KLD, PD gati të rrëzojë Vishën

Ardian Visha
Komisioni i Ligjeve do të zhvillojë sot seancën dëgjimore me kandidatin e propozuar nga PS-ja, Ardian Visha, për anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjatë ditës së djeshme, deputetët e këtij komisioni janë pajisur me dokumentacion e ardhur nga disa institucione ku ka punuar më parë ish-prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme. Materiali, që pritet të jetë si referencë e deputetëve të PD-së, duket se do të jetë ai i Prokurorisë, i cili është ndalur në një moment të karrierës së Vishës, pasi u dekretua nga Presidenti Bamir Topi si prokuror në Gjirokastër. Burime nga grupi i maxhorancës në Komisionin e Ligjeve thanë se një prej arsyeve që do të theksohen në mbledhjen e sotme për të argumentuar votën kundër Ardian Vishës është se ka lënë për të dëshiruar deri pak kohë më parë në përmbushje të detyrës së tij; ka ceduar në sjelljen e tij; ky fenomen mund të përsëritet nëse merr detyrën e anëtarit të KLD.
Letra e Prokurorisë
Në dosjen e shpërndarë deputetëve është edhe një korrespondencë me Prokurorinë e Përgjithshme, institucion në të cilin Ardian Visha ka punuar nga viti 1998 si oficer i Policisë Gjyqësore deri në vitin 2008, kur dha dorëheqjen si prokuror në Gjirokastër. Me dekret të Presidentit të Republikës nr. 5598, datë 28.01.2008, është transferuar si prokuror në Prokurorinë e Apelit Gjirokastër. Konstatohet se në këtë detyrë nuk është paraqitur asnjë ditë. Mosparaqitja për një periudhë kohe prej një muaji është bërë për shkak të një lejeje të pakryer dhe një raporti mjeko- ligjor, si dhe pa ndonjë arsye të bërë prezent për periudhën tjetër prej 2 muajsh, thuhet në letrën e Prokurorisë drejtuar Komisionit të Ligjeve dhe që mban firmën e Ina Ramës. Në të njëjtin dokument thuhet se gjithashtu nuk është filluar procedim disiplinor dhe nuk është marrë ndonjë masë disiplinore ndaj tij. Pavarësisht sa më lart, është konstatuar një mungesë e etikës zyrtare në komunikimin e tij institucional, siç mund të vërehet edhe në dokumentacionin bashkëngjitur kësaj shkrese. Në korrespondencën me Prokurorinë e Përgjithshme përfshihet edhe letra që Ardian Visha u ka dërguar Presidentit Topi dhe kryeprokurores për dhënien e dorëheqjes nga posti ku ishte dekretuar. Presidenti i Republikës, me një dekret kolektiv dhe të paligjshëm, ka vendosur transferimin tim nga prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër. Mungesa e dëshirës për të vijuar punën në institucionin e Prokurorisë, tashmë që ky institucion drejtohet, në vlerësimin tim, nga njerëz jokompetentë, të pamoralshëm dhe ligjshkelës, si dhe për sa kohë garanti i institucionit të Prokurorisë konsiston absolutisht i njëanshëm dhe i padrejtë, janë dy nga katër arsyet që ka cituar Visha në letrën e dorëheqjes. Letra mbyllet me dorëheqjen e parevokueshme të Ardian Vishës dhe në fund të saj, për institucionet më të larta të shtetit thuhet pa konsideratë. Në të njëjtën kohë, edhe Gjykata e Lartë dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë kanë sjellë mendimet e tyre, në të cilat theksohet se ndaj Vishës nuk ka ndonjë masë disiplinore. Ndërsa në letrën e ardhur nga Drejtoria e Tatimeve, lidhur me aktivitetin e tij privat si avokat, thuhet: Sipas të dhënave të sistemit tonë informatik, të cilat janë bashkëngjitur, nuk rezulton të ketë detyrime tatimore të palikuiduara. Në vitin 2008 qarkullimi i realizuar është 368 mijë lekë, në vitin 2009, 649 mijë lekë, në vitin 2010, 1.2 milion lekë, në vitin 2011, 382 mijë lekë, thuhet në letrën e Tatimeve.
Letra e Prokurorisë
Zoti Ardian Visha, me urdhrin e prokurorit të Përgjithshëm nr. 42, datë 16.10.1998, është emëruar oficer i Policisë Gjyqësore me gradën Kapiten në Prokurorinë e Përgjithshme. Me dekret të Presidentit të Republikës nr. 2712, datë 31.07.2000, është emëruar prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe me urdhrin nr. 35, datë 31.10.2000, të prokurorit të Përgjithshëm, është caktuar drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. Me dekret të Presidentit të Republikës nr. 5598, datë 28.01.2008, është transferuar si prokuror në Prokurorinë e Apelit Gjirokastër. Konstatohet se në këtë detyrë nuk është paraqitur asnjë ditë. Mosparaqitja për një periudhë kohe prej një muaji është bërë për shkak të një lejeje të pakryer dhe një raporti mjeko-ligjor, si dhe pa ndonjë arsye të bërë prezent për periudhën tjetër prej 2 muajsh. Në datën 12.05.2008 është larguar nga kjo detyrë me kërkesë të tij. Gjatë periudhës së punës në Prokurori, për z. Ardian Visha nuk është kryer ndonjë vlerësim pune si prokuror apo drejtues, pasi nuk ka funksionuar një sistem i tillë vlerësimi. Gjithashtu nuk është filluar procedim disiplinor dhe nuk është marrë ndonjë masë disiplinore ndaj tij. Pavarësisht sa më lart, është konstatuar një mungesë e etikës zyrtare në komunikimin e tij institucional, siç mund të vërehet edhe në dokumentacionin bashkëngjitur kësaj shkrese.Letra e Vishës për largimin nga Prokuroria
Unë, prokurori Ardian Visha, sot, më datë 5 maj 2008, kushtëzuar nga rrethana dhe faktorë të poshtërenditur pa hierarki:
1. Presidenti i Republikës, me një
dekret kolektiv dhe të paligjshëm, ka vendosur transferimin tim nga prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër;
2. Kushtet ekonomike dhe familjare,
si dhe rëndimi i padrejtë i pozitës
sime të karrierës dhe asaj financiare, në kundërshtim me rekomandimet e Këshillit të Europës për prokurorët;
3. Mosmirënjohja për sakrificën time personale dhe familjare gjatë këtyre 10 viteve të kontributit profesional dhe të devotshëm në Prokurorinë e shtetit, i mishëruar kjo jo vetëm në përmbajtjen e aktit të transferimit, por edhe në procedurën e ndjekur si dhe indiferencën e mëtejshme të vendimmarrësve;
4. Mungesa e dëshirës për të vijuar punën në institucionin e Prokurorisë, tashmë që ky institucion drejtohet në vlerësimin tim, nga njerëz jokompetentë, të pamoralshëm dhe ligjshkelës, si dhe për sa kohë garanti i institucionit të Prokurorisë konsiston absolutisht i njëanshëm dhe i padrejtë;
Vendosa: të paraqes aktin e parevokueshëm të dorëheqjes sime nga detyra e prokurorit.
Pa konsideratë
Ardian Visha
Gjykata e Lartë: Ska procedim disiplinor ndaj Vishës
Në letrën e Gjykatës së Lartë drejtuar Komisionit të Ligjeve, thuhet se ky institucion nuk ka regjistruar ndonjë procedim disiplinor ndaj Ardian Vishës. Në përgjigje të shkresës suaj me anë të së cilës kërkohet informacion për kandidaturën e zotit Ardian Visha ju informojmë se zoti Visha ka punuar pranë Gjykatës së Lartë nga data 01.08.1994 deri në 31.12.1994 me detyrën e inspektorit të ligjshmërisë. Për këtë periudhë kohore nuk rezulton të ketë pasur procedim disiplinor ndaj tij, thuhet në letër.
Pasuria e Ardian Vishës
Në letrën nga ILDKP-ja për Komisionin e Ligjeve thuhet se në vitin 2003, Ardian Visha ka deklaruar një banesë të ndërtuar para vitit 1990, ku 2/3 janë përfituar nga trashëgimia dhe 1/3 e blerë në shumën 200 mijë lekë. Në vitin 2003 ka deklaruar gjithashtu një llogari kursimi në shumën 700 USD, ndërsa në vitin 2004 gjendje cash në shumën 500 mijë lekë. Në vitin 2005 ka blerë një apartament 68 m2 + 28 m2 verandë të pahipotekuar, blerë në shumën 5 milionë lekë. Në vitin 2005 ka blerë një garazh me sipërfaqe 12 m2 në shumën 500 mijë lekë. Sa u përket detyrimeve financiare, ka marrë në mars 2005 një kredi në shumën 5 milionë lekë.
ADI SHKEMBI