Pëllumbi: PS lëshoi, tani radhën e ka PD
Ish-kryeparlamentari Servet Pëllumbi, i cili ka qenë një nga drejtuesit kryesorë të socialistëve, ka vizituar dje grevistët në bulevard, ku është interesuar për gjendjen shëndetësore.
Pas vizitës në çadrat e grevistëve, Pëllumbi i ka dhënë një mesazh politikës shqiptare, për të gjetur rrugën e dialogut.
“E quaj të pafalshme, është dita e 16 e grevës dhe forcat nuk janë ulur ende në tavolinën e bisedimeve. Nuk mendoj se çështja ka ngecur në detaje, por në mentalitet, në kulturën demokratike. Në demokraci duhet të lëshojnë të dyja palët, pra duhet gjetur një zgjidhje e mesme. Duhet të tërhiqen nga pozicionet fillestare dhe në rastin konkret, PS më duket se është tërhequr, pasi kërkon thjesht hapjen e materialeve zgjedhore dhe jo të kutive”, theksoi Pëllumbi. Ish-kryeparlamentari shtoi gjithashtu se PD duhet të tërhiqet nga pozicioni fillestar, pasi kjo situatë rrezikon vendin. “Tani ka ardhur një moment kur duhet menduar nga të gjitha palët me pjekuri, me maturi, sepse ka një limit gjithçka, ka një limit greva, ka një limit durimi, ka një limit demokracia dhe vjen një moment që e merr në dorë populli. Po u shndërrua populli në turmë, destabilizohet vendi”, shtoi ai.
Sipas Pëllumbit, politikanët duhet të gjejnë mundësinë që të ulen në tavolinë dhe të zgjidhin ngërçin politik. “Intelektualët që mendojnë për të ardhmen, duhet të thonë me forcë mendimin e tyre, t’i përkushtohen kësaj situate. Realisht ajo që duket humbje e njërit ose e tjetrit, është fitore e demokracisë dhe historia për këtë do t’i vlerësojë”, përfundoi Pëllumbi. Politikanët veteranë të vendit, që kanë drejtuar institucionet kryesore të shtetit në 20 vitet e fundit, bënë thirrje që mazhoranca dhe opozita të gjejnë zgjidhje për krizën. Ish-presidenti Rexhep Meidani, edhe pse nuk ka qenë dakord me grevën si mjet, ka kërkuar hapjen e kutive. Ndërkaq edhe ish-kreu tjetër i shtetit, Alfred Moisiu, bëri thirrje për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në një qëndrim të fundit për mediat, ish-presidenti Moisiu deklaroi se “mund të them se nuk ka situatë pa zgjidhje, por e rëndësishme është vullneti politik, që për fat të keq mungon deri më tani. Për të dalë nga kjo situatë, do të sugjeroja uljen e palëve në bisedime. Transparenca është e rëndësishme, por kjo nuk mund të bëhet me fjalë, por mbi bazë të fakteve për të gjykuar se çfarë ka ndodhur. Dhe për të bërë këtë, duhet të shikojmë se çfarë kanë brenda kutitë e votimit”. Për të gjetur zgjidhjen, tha Moisiu, një variant mund të jetë që të mos hapen të gjitha kutitë, një tjetër është hapja vetëm e materialeve zgjedhore. “Kjo është më se e domosdoshme, sepse mbi bazën e kësaj, mund të shkojmë dhe në korrigjimet e Kodit Zgjedhor. Tashmë është e qartë se ky Kod Zgjedhor nuk funksionon”, tha ai.
#