Pëllumbi: Qeveria e re, e ndërtuar me kujdes. Berisha është dashakeq
Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi komenton për gazetën Panorama kabinetin e ri qeveritar. Sipas tij, kjo qeveri është ndërtuar me kujdes.
Unë i uroj sukses të plotë qeverisë së re që doli nga vota plebishitare e 23 qershorit. Do ta cilësoja si një qeveri të menduar dhe ndërtuar me kujdes për të arritur sukses në punën e saj, përmes kombinimit të profesionalizmit, ndërthurjes së përvojave në administratë, por edhe kombinim brezash, edhe pse mosha mesatare e saj është nën të 50-at. E shoh si një kabinet me energji dhe potencial, të bazuar në përvojë për të përballuar sfidat e vështira që do të gjejë në ringritjen e vendit dhe të ekonomisë, shprehet ai.
Pëllumbi e vlerëson si një ogur të mirë për mirëqeverisjen dhe klimën politike prezencën e gjashtë ministreve gra.
Në konceptin tim, kjo lidhet me një përpjekje për të emancipuar sa më shumë politikën shqiptare, e cila besoj se do të sjellë një qeverisje më pozitive, më me pak tensione dhe më të paqtë, dhe një shembull që duhet ndjekur edhe nga kundërshtarët politikë, tashmë në opozitë, nënvizon ai.
Për sa i përket Berishës, Pëllumbi shprehet se: Unë do ta cilësoja zotin Berisha, sidomos në këto moment, një politikan keqdashës. Ai duhet ta uronte qeverinë e re dhe jo ta anatemonte dhe të priste ta gjykonte atë nga punët që do të bëjë. Prandaj është edhe në opozitë, të gjykojë dhe të bëjë oponencën e qeverisë së vendit të tij, por duke gjykuar punën. Por Berisha tregon se nuk është politikan, por vijon të mbajë një qëndrim dashakeq.
Ai nënvizon se nuk beson se Berisha do të largohet nga politika, por shton se me qëndrimet e përditshme që mban, po i shton zullumet e tij./A.XH