E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëllumbi: Topi të marrë rolin e tij moderues

Ish-kryetari i Kuvendit, një ndër figurat me peshë në Partinë Socialiste, Servet Pëllumbi, deklaroi dje se Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duhet të marrë rolin e tij moderues sa më shpejt, në mënyrë që të zgjidhet kriza politike në vend. Pëllumbi, në një prononcim për "Shqip", vërejti se komunikimi mes palëve duhet të zhvillohet në tryezë dhe jo në konferenca shtypi apo deklarata publike. "Unë mendoj se është kurdoherë koha që Presidenti i Republikës të marrë rolin e tij moderues për të tërhequr vëmendjen e partive politike, megjithëse reagimi i tij është i vonuar. Para një muaji jam shprehur se krerët e partive politike duhet të mos komunikojnë mes tyre përmes konferencave të shtypit. Duhet të ulen në tryezë dhe të bisedojnë rreth kërkesave të opozitës, se cilat mund të realizohen. Por mbi të gjitha i takon qeverisë që të marrë nisma konkrete", tha Pëllumbi, duke shtuar se është qeveria që mban përgjegjësi, pa përjashtuar këtu edhe opozitën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›