E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: "Nëse qeveria provokon protestën, mban përgjegjësi"

Nëse qeveria do t‘i provokojë protestuesit, çdo incident bie mbi qeverinë. Kjo ishte deklarata e djeshme e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Sipas tij, nëse kutitë hapen dhe numërimi i votave tregon se fitorja anon nga ana e PS-së, kjo parti nuk do kërkojë transferimin e mandateve drejt saj, por zgjedhje të parakohshme. Deklaratat Ruçi i bëri në emisionin "Top Story" në "Top Channel". Ruçi tha se nga të dhënat që qarkullojnë në rrugë informale, një komisioner është blerë deri edhe për 5 milionë lekë dhe një votë deri në 250 mijë lekë. Ruçi sqaroi se nëse ndodh të hapen kutitë, PS do të kalojë në një tjetër qëndrim në rast se vërtetohet se ajo është fituese e këtyre zgjedhjeve. Ai vuri në dukje se nuk synohet që të transferohen mandatet drejt PS-së, por do kërkohen zgjedhjet e parakohshme, si e vetmja mënyrë për t‘i kthyer legjitimitetin e munguar. "Në kërkesat e mia të thëna deri tani unë jam para një të panjohure. Unë e kam lënë të hapur. Mund të mos kem të drejtë unë. Dhe unë sot kam thënë që ky Parlament dhe ky pushtet janë në legjitimitet të cunguar. Po nëse vërtetohet ajo që thotë raporti i ODIHR për numërimin? Do kemi një qëndrim tjetër të PS-së", theksoi Ruçi. Sipas tij, nëse ka një njeri që e di se çfarë ka brenda në kuti, është Berisha. "Nëse kutitë vërtetojnë atë që themi ne, atëherë kemi legjitimitet të munguar, që nuk do thotë transferimin e disa mandateve. Por do kërkohen zgjedhje të parakohshme", u shpreh Ruçi. I pyetur mbi përgjegjësitë e opozitës për ruajtjen e votës, Ruçi vuri në dukje se nuk ka asnjë tentativë të kësaj partie për t‘iu shmangur. "Ne nuk duam t‘i shmangemi asnjë përgjigjeje dhe s‘kemi etiketuar se fajin e ka ky apo ky komisioner. Ne duam të vendosim një standard, ne s‘kërkojmë të kundërshtojnë asnjë vendim të KQZ-së apo Kolegjit Zgjedhor dhe e kemi bërë të qartë. Kërkesat tona janë konform sugjerimeve dhe konkluzioneve të arritura nga këta partnerë. Nuk do kemi korrigjim të Kodit Elektoral dhe mirëfunksionim të administrimit të procesit zgjedhor nëse nuk del e vërteta", nënvizoi Ruçi.

A.Thomollari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›