E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, Berishës: Të të vijë turp për akuzat ndaj nesh

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, iu përgjigj dje direkt akuzave të Kryeministrit Berisha, të bëra në seancën e Kuvendit. Gjatë një komunikimi me mediat në orët e vona të mbrëmjes, Rama tha se është e turpshme që Kryeministri deklaron se opozita nuk e do integrimin. "Të të vijë turp se na akuzon se nuk duam Europën, nuk duam viza, nuk duam integrimin, sepse deri në moshën time i ke shërbyer komunizmit, madje ke marrë pjesë në internimin e njerëzve të pafajshëm. Kur Shqipëria ishte në rrugën e integrimit, e çove në rrugën e piramidave", tha Rama.

Ndërsa sot, për Ramën Kryeministri është përgjegjës për vonesën e Shqipërisë për heqjen e vizave, apo për aplikimin për t‘u bërë kandidat. "Sa për Partinë Socialiste, as ti e as më pak Ilir Meta nuk mund të hapni dot gojën, veçse të pranoni rolin e saj në integrimin e Shqipërisë, pa llogaritur këtu atë që bëre t‘i në vitin 1997. Të të vijë turp që vazhdon t‘u tregosh shqiptarëve se s‘mund të hapen kutitë. Me siguri protesta të ka bërë të shohësh ëndrra. Kërkesa jonë për hapjen e kutive s‘ka asnjë lidhje me vendimin e gjykatës. Thirrja jonë është mos u kap pas mikut të huaj që ke parë në ëndërr, por hapi kutitë përpara se populli të të largojë", vijoi ai.

Sa më shumë plakesh, aq më shumë gënjen, vijoi Rama, duke iu drejtuar personalisht Kryeministrit. "Më ngatërron mua me veten. S‘kam sharë asnjë njeri të familjes tënde. E kam thënë dhe e them që interesat e familjes tënde drejtojnë vendin. Të jemi të qartë, mes teje e meje është se ti u plake duke u marrë me gratë, motrat, vëllezërit e kushërinjtë, ndërsa unë merrem me konfliktin e interesit ku ti e ke futur vendin", insistoi Rama.

Ai bëri edhe një herë thirrje që Kryeministrit të plotësojë kërkesat e apelit, ndërsa mohoi që Bashkia e Tiranës ka 4200 punonjës, sikundër tha Kryeministri. Rama vuri në dukje se ka vetëm 325 nëpunës. "Sot pushteti i derrave arriti kulmin, duke përdorur ministrin e Shëndetësisë që bënte lidhjen idioteske mes protestës së opozitës dhe gripit të derrit. Protesta e nesërme do jetë paqësore dhe shprehje e jashtëzakonshme e frymës demokratike dhe demokratizuese që e karakterizon këtë opozitë, e cila është shumica e shqiptarëve e që pa asnjë dyshim nuk e sheh veten të ndarë nga ajo pjesë e shqiptarëve që sot jetojnë në një regjim të keqqeverisjes dhe korrupsionit", përfundoi kreu i PS-së.

A.Thomollari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›