Peme ne sherbim te mjedisit pergjate Lanes
Pas sistemimit të shtratit të lumit Lanë në brendësi të lagjes pranë Unazës së Re, Bashkia e Tiranës ka nisur gjelbërimin e zonës përreth. Afro 510 pemë të llojit rrap janë mbjellë përgjatë skarpateve të lumit të Lanës në segmentin nga Shkolla Teknologjike deri në Unazën e Re, të cilat do të ndikojnë në rritjen e cilësisë së mjedisit për banorët që jetojnë përgjatë këtij segmenti. “Sot nuk është më pengesa e dikurshme e ujit që shkakton edhe përmbytje në qytet, por është një garanci kundër përmbytjeve. Ne kemi hyrë në një fazë tjetër duke nisur me mbjelljen e disa qindra pemëve që janë pjesa e parë e punës për ta shndërruar gjithë këtë zonë në një park linear, i cili do të jetë në shërbim të të gjithë komunitetit”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Sipas planit të ri rregullues, ky segment i Lanës është planifikuar ndryshe nga pjesa që i paraprin, pasi në të nuk do të ketë rrugë kalimi për automjetet, por vetëm në shërbim të këmbësorëve dhe komunitetit që jeton pranë kësaj zone.