E Diel, 1 Nëntor 2026

Penalizim kush ka fshehur të ardhurat nga qiradhënia

25/02/2009  Kryeinspektori Llalla sqaron se janë në verifikim subjektet. Së shpejti ai do deklarojë emrat

OSBE-ja dhe qeveria mbështesin ILDKP-në në kontrollin e interesave private të zyrtarëve

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive gjatë hetimit administrativ do t’i konsiderojë fshehje të pasurisë rastet e mosdeklarimit të të ardhurave të fituara nga zyrtarët nëpërmjet qiradhënies. Kjo u bë e ditur dje nga kryeinspektori Adriatik Llala gjatë takimit që institucioni i tij zhvilloi në bashkëpunim me Institutin e Trajnimit të Administratës Publike dhe me mbështetjen e OSBE-së. Kreu i ILDKP-së pritet që së shpejti të bëjë publike edhe emrat e shumë personave që gjatë deklarimit të pasurisë së tyre nuk kanë deklaruar të ardhurat nga qiradhënia. Në takimin e djeshëm, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Arsimit Fatos Beja dhe ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, u vlerësua roli i ILDKP-së në luftën kundër konfliktit të interesit të punonjësve të administratës publike. Palët rikonfirmuan angazhimin e tyre për çuarjen deri në fund të kësaj lufte, si një prioritet i qartë i qeverisë shqiptare.

Hetimi

Verifikimi i dhënies me qira të objekteve nga subjektet që preken nga ligji “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publike”, është një nga pikat kyçe të punës së ILDKP-së për këtë vit, me qëllim zbatimin e objektivave. Kryeinspektori Llalla garantoi se do të vijojë kontrollin rigoroz të deklarimit të interesave private. “ILDKP-ja ka konstatuar se disa prej subjekteve deklarojnë se sigurojnë të ardhura nga dhënia me qira e objekteve të ndryshme. Këto raste janë në proces verifikimi nga ana e Inspektoratit të Lartë, me qëllim verifikimin e shlyerjes së detyrimeve fiskale për të ardhurat që subjektet deklarojnë se realizojnë nga dhënia me qira e objekteve, verifikimi i cili realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”, - eksoi ai gjatë fjalës së tij.

Bashkëpunimi

Vlerësimet për rezultatet e prekshme në misionin e saj ILDKP-ja i ka marrë edhe nga kreu i OSBE-së në vendin tonë Robert Bosch. Duke garantuar për vijueshmërinë e mbështetjes së OSBE-së për këtë institucion edhe gjatë këtij viti, ai tha gjithashtu se lufta kundër korrupsionit nuk duhet parë si punë vetëm e një institucioni. “Qeveria, siç e dini, në strategjinë e asaj kundër korrupsionit dhe në kuadër të strategjisë kombëtare ka përcaktuar qartë qëllimin e saj në lidhje me deklarimin e aseteve dhe e ka trajtuar problemin e konfliktit të interesave në të. Për këtë arsye puna e ILDKP-së duhet të parë në këtë kuadër. Megjithatë, ILDKP-ja nuk mund të punojë e izoluar nga institucionet e tjera”, - tha Bosch. Ai tha gjithashtu se përpjekjet e këtij institucioni mund të kenë sukses vetëm nëse zyrtarët publikë të të gjitha institucioneve dhe në të gjitha nivelet kanë një angazhim personal në këtë përpjekje. Në emër të qeverisë shqiptare mbështetje për këtë çështje dhanë edhe ministrat Godo dhe Beja. “Është për të ardhur keq që në raste të rralla edhe në punën e institucioneve tona janë konstatuar raste të abuzimit apo të keqpërdorimit të pozicionit zyrtar. Pavarësisht se të çfarë natyre janë, jam e vendosur të mbështes masa ligjore kundër çdo drejtuesi apo punonjësi që abuzon me ligjin. Çdo veprim apo nismë juaja kundër këtyre akteve do të jetë i mirëpritur dhe i vlerësuar”, - tha ministrja e Shëndetësisë. Nëpërmjet një programi pune intensive 3-javore ILDKP-ja, në bashkëpunim me OSBE-në dhe ITAP-in, arriti të trajnojë rreth 200 zyrtarë të niveleve të ndryshme për parandalimin e konfliktit të interesave. Në fokus të trajnimeve ishin punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë, Arsimit si dhe zyrtarë të ALUIZNI-t, ZRPP-së, AKKP-së, si institucione me risk të lartë në rënie në konflikt interesi. Në përfundim të takimit Inspektori i përgjithshëm i ILDKP-së shpërndahu certifikata për zyrtarët e trajnuar.

Adriatik Llalla

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive do të ndjekë në vazhdimësi strategjinë, e cila tashmë ka filluar të konkretizohet, nëpërmjet së cilës ILDKP-ja është i angazhuar të forcojë rolin kontrollues për sa i përket zbatimit të ligjit mbi konfliktin e interesave në institucionet publike, duke aplikuar në këtë mënyrë sanksionet dhe masat shtrënguese të parashikuara në ligj.

Robert Bosch

Rritja e ndërgjegjësimit publik mes zyrtarëve të administratës publike në lidhje me kuadrin ligjor të parandalimit të konfliktit të interesave është një objekt strategjik i ILDKP-së. Shprehem i bindur se kemi rezultate të prekshme. Edhe më 2009-n OSBE-ja do vazhdojë të përkrahë ILDKP-në, në mënyrë që të trajtohen edhe pjesëmarrës të institucioneve të qeverisjes qendrore.

Anila Godo

Asnjë zyrtar i shtetit apo punonjës që pretendon të bëjë pjesë në elitën e shoqërisë nuk mund të tolerohet në përpjekjet për të shfrytëzuar postin në të cilin ndodhet. Pranoj se ne mund dhe duhet të bëjmë më shumë në drejtim të një sistemi më praktik të pagave. Por kjo nuk i jep askujt të drejtën për të shfrytëzuar postin e tij dhe besimin e qytetarëve për çfarëdo akti korruptim.

Trajnime nga ITAP-i

Në vitin 2007 u trajnuan të gjitha autoritetet vendore të zgjedhura, rreth 316 persona.

Në maj të 2008 u trajnua administrata tatimore dhe doganore, rreth 159 persona.

Në shkurt 2009 janë trajnuar administrata e Ministrisë së Shëndetësisë, Arsimit, ALUIZNI, ZRPP-ja dhe AKKP-ja, rreth 197 persona.

Opozita në Komisionin e Ligjeve kërkon kohë

Votimi i studentëve, shtyhet mbledhja

Komisioni parlamentar i Ligjeve shtyu sërish miratimin përfundimtar të projektligjit të qeverisë “Për gjendjen civile”. Kërkesa erdhi nga deputetët e opozitës, të cilët kërkuan më tepër kohë për të gjetur formulimin e duhur ligjor lidhur me nenin e shumëdebatueshëm, nenin 14, që përcakton votimin e studentëve në vendqëndrimin e tyre dhe jo në vendbanim. Kjo pikë është kundërshtuar ashpër nga deputetët e PS-së gjatë debatit të zhvilluar në komision në mbledhjen e 9 shkurtit. Ata akuzuan qeverinë se me këtë nen po vë në rrezik procesin e ardhshëm zgjedhor. “Gjatë procesit të hartimit të Kodit Zgjedhor, një nga debatet kryesore për regjistrimin e zgjedhësve, ka qenë lidhur me votimin e studentëve. Përfundimisht u pranua, se studentët do të votojnë në vendbanimet e tyre, pra aty ku ata kanë shtëpitë dhe jo ku aty ku kryejnë studimet, pra ku janë me vendqëndrim. Neni 14 i projektit të ri, në mënyrën se si është shkruar, e cenon drejtpërdrejtë këtë konsensus, pasi sipas tij, studentët janë të detyruar që për periudhën kur ata janë në shkollë, të votojnë në vendqëndrimin dhe jo aty ku kanë vendbanimin e përhershëm”, theksoi Klosi. Për sa i takon argumentit ligjor ai tha se projektligji bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Civil. Neni 38/1 i Kushtetutës thotë qartë se “kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin.....", ndërsa në nenin 14 të projektit, ndryshimi i vendbanimit të një kategorie të caktuar shtetasish (student, ushtarë, të burgosur, të sëmurë etj.), bëhet me detyrim dhe pa pëlqimin as të shtetasit dhe madje as të njësisë vendore përkatëse ?!. Për këtë arsye ai sugjeroi rishikimin dhe diskutimin e këtij neni. Komisioni ka miratuar të 67 nenet e tjera të projektit dhe ka mbetur peng vetëm i këtij neni.

Doda raporton në Kuvend për veprimtarinë e KKRT-së

Ligji të përkufizojë qartë “reklamë politike”

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit Mesila Doda ka prezantuar para anëtarëve të Komisionit të medias raportin një vjeçar të veprimtarisë së institucionit që ajo kryeson. Shqetësimi i opozitës është përqendruar te legjitimiteti i reklamave të qeverisë për arritjet e saj në mandatin 4-vjeçar pas muaj para zgjedhjeve të përgjithshme. Kryetarja e KKRT-së ka përmendur ligjin për radion dhe televizionet si dhe Kodin Zgjedhor, për t’i cilësuar spotet jo në kundërshtim me to, pasi nuk përmbanin logo të partive politike. Ndërkohë raporti i saj për këtë çështje sqaron se “në ligj mungon përcaktimi i reklamës politike, por përmendet porositësi i reklamës. Kjo ka sjellë keqkuptime ose keqinterpretime nga operatorët e ndryshëm radioteleviziv, ashtu edhe subjekte politike. Ligji ka nevojë të japë një përkufizim më të qartë për reklamën politike”. Që në hyrje të tij raporti vlerëson se viti 2008 prezantoi zhvillime pozitive në drejtim të forcimit të rolit ligjor dhe institucional të KKRT-së, përmirësimit të zbatimit të ligjit nga operatorët dhe mbi të gjitha u hodhën hapa konkretë në kryerjen e reformave të nevojshme në fushën e medieve elektronike, reforma këto të kërkuara edhe nga institucionet ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë mbi etikën në media, KKRT-ja vëren se ka ende raste kur shkelet e drejta e prezumimit të pafajësisë për të dyshuarit nga disa medie, e nxitur kryesisht edhe nga organet e rendit. KKRT-ja ngre edhe shqetësimin për mospërcaktimin në ligj të raporteve kohore që duhen respektuar nga operatorët radiotelevizivë në periudha që nuk kanë lidhje me fushatat zgjedhore. Për këtë KKRT-ja propozon që koha që u është dhënë partive të mazhorancës të jetë 20 % apo 30 % më shumë se koha që u është dhënë partive të opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›