Autoritetet identifikojnë personin e bombave në Stokholm
Autoritetet suedeze thonë se kanë identifikuar personin që aktivizoi dy bomba në Stokholm të shtunën, Taimur Addulwahab Al-Abdaly, i lindur në Irak, i rritur në Suedi dhe ish-student në Angli. Zyrtarët besojnë se ai ishte pronari i makinës që shpërtheu në një zonë tregtare të qytetit dhe kishte pasur me vete mjete shpërthyese në brez dhe në një çantë shpine. Në një regjistrim audio, i cili duket se është bërë nga një i njëjti person, thuhet se ai nuk mund të rrinte e të shihte se si shtypeshin myslimanët në Europë. Gjatë shpërthimit të së shtunës në një zonë tregtare të kryeqytetit të Suedisë, u vra vetëm autori i shpërthimit. Policia suedeze thotë se është e bindur për identitetin e autorit, edhe pse ende nuk e ka bërë identifikimin tij zyrtar, me anë të testeve të ADN-së ose nga të afërmit. Zyrtarët thanë se ai kishte jetuar në Britani për katër apo pesë vjet dhe kishte tre fëmijë, më i vogli i lindur këtë vit. Kryeprokurori suedez tha se viktima kishte pasur me vete tri mjete të ndryshme shpërthyese. Prokurorët mendojnë se ai i aktivizoi bombat gabimisht, teksa po udhëtonte drejt një vendi me më shumë njerëz për të kryer sulmin.