E Diel, 1 Nëntor 2026

Penalizmi, Ruçi: “Vendimi i Topallit ndaj deputetit Balla është i turpshëm”



Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka reaguar dje ndaj vendimit të kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, për penalizimin e deputetit Taulant Balla në seancën e ditës së enjte. Ai e ka cilësuar vendimin e saj ndaj deputetit Balla dhe paralajmërimin ndaj deputetit tjetër Saimir Tahiri të turpshëm. Kryetarja Topalli, për këtë sesion parlamentar, ka penalizuar deputetin Balla se ka shkelur Rregulloren e Kuvendit duke përdorur fjalë fyese. Në këtë kontekst, ajo ka paralajmëruar për penalizim edhe deputetin Tahiri. Sipas Ruçit, sjellja e Topallit është për t’i mbyllur gojën opozitës, pasi maxhoranca nuk ka fakte dhe argumente për të dëshmuar të kundërtën e manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kreu i Grupit të socialistëve tha se vendimi i djeshëm ishte veçse njolla më e fundit e turpit që u vendos në këtë parlament nga kryetarja e tij, që do të mbahet mend si kryetarja e zheleve dhe rreckave, e komanduar me SMS nga një kryeministër i papërgjegjshëm.
Si kundërpërgjigje dhe me fakte në dorë, Ruçi ka sjellë në kujtesë fjalimin e kryeministrit Sali Berisha të mbajtur në foltoren e Parlamentit më 26 nëntor. “Kavalieri shqiptar kërcënonte për shkulje dhëmbësh e nofullash, etiketonte përfaqësuesit e opozitës me fjalë që nuk mund të thuhen në publik, por kryetarja e Parlamentit, dhe jo vetëm ajo, por të gjithë deputetët e kësaj maxhorance, zgërdhiheshin dhe duartrokitnin kavalierin e tyre”, - kujtoi Ruçi.
Deklarata
“Dje, Sali Berisha dhe kryetarja e Parlamentit shqiptar u dhanë shqiptarëve dhe gjithë partnerëve ndërkombëtarë provën më të qartë se në ç’derexhe është katandisur parlamentarizmi në Shqipëri, duke marrë kështu një vendim krejtësisht të pajustifikueshëm për të përjashtuar deputetin e PS-së, Taulant Balla, sepse na preku në sedër kryeministrin kavalier e ministrat e tij dhe po kështu, po dje, paralajmëruan për përjashtim kolegun tjetër të PS-së, Saimir Tahirin, në mënyrën më të pajustifikueshme”, - u shpreh Ruçi. Sipas tij, ngjarja e djeshme në sallën e Kuvendit ishte prova më e fundit që vërteton edhe njëherë katërcipërisht se Sali Berisha, Parlamentin nuk e sheh si një institucion ku diskutohen e zgjidhen hallet e shqiptarëve, por si një pronë të tijën, ku opozita duhet dhunuar nëse ajo guxon të denoncojë të vërtetat e hidhura e të shëmtuara të këtij pushteti. “Sali Berisha na tregoi qartë se ai nuk e do opozitën në Parlament, se ai nuk është i interesuar për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Sali Berisha vërtetoi mbrëmë se pasi vodhi zgjedhjet e 28 qershorit, ka zgjedhur të vendosë nën diktatin e tij të gjitha institucionet e këtij vendi, deri dhe Parlamentin, madje edhe opozitën e këtij vendi”, - u shpreh Ruçi, duke shtuar: “Nëse ka një politikan në Shqipëri që duhej përjashtuar jo për dy javë, por për një legjislaturë të tërë, ky është vetëm një deputet, që e ka emrin Sali Berisha. E si ka mundësi që një deputet na u përjashtuaka për dy javë sepse kryeministrit nuk i vinin për mbarë fjalët e tij, ndërkohë që vetë Sali Berisha mund të vjellë vrer, të shpifë e të shajë, të merret me fëmijët apo me familjen, apo me jetën private të kujtdo deputeti e kundërshtari politik?!”.
Penalizimi
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, është deputeti i parë i këtij sesioni parlamentar që është penalizuar nga Kuvendi për shkelje të Rregullores. Gjatë fjalës së tij ai ka hedhur akuza ndaj qeverisë për ryshfete për një vend pune. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bëri të ditur se menjëherë pas seancës do të mblidhet Byroja për të vendosur për penalizimin e deputetit socialist, Balla. Topalli tha se po zbaton Rregulloren, pasi Balla ka përdorur shprehje ofenduese gjatë fjalës së tij në minutazhin e debatit të lirë.

Akuza
"Ne kutitë do t’i hapim më 30 prill, do t’i hapim, do apo s'do ti. Ne do t’i hapim kutitë më 30 prill për të nxjerrë në dritë jo vetëm mekanizmin e vjedhjes se votave, por dhe për ta çliruar Shqipërinë njëherë e mirë nga skllavëria e keqqeverisjes dhe për të hapur njëherë e mirë rrugën e mirëqenies. Kutitë do të hapen më 30 prill jo vetëm për të çmontuar sistemin mafioz të familjes që pushtetin e do për të mbrojtur paratë e korrupsionit dhe paratë e pista, por për të shpëtuar qindra mijëra familje shqiptare nga varfëria, nga papunësia apo mungesa e kujdesit shëndetësor", - tha Balla te enjten ne Kuvend.
“A e ke marrë rrogën ti, Taulant? Byroja, pas seancës plenare, do të mblidhet për të marrë masa ndaj shkeljes flagrante përmes fjalëve shpifëse, trilluese, mashtruese, të deputetit Balla. Kemi rregulla. Parlamenti funksionon me rregulla. Do të mësojë edhe zoti Balla se si flitet në Parlament", - i është kundërpërgjigjur Topalli.

Pezë, banorët protestojnë për ujin, faturimin aforfe dhe rrugën Tiranë-Plepa

Banorët e Pezës kanë dalë dje në protestë të mbështetur edhe nga deputetë të Partisë Socialiste. Mësohet nga selia rozë se qindra persona kanë bllokuar rrugën nacionale përreth 30 minuta. Kreu i komunës së Pezës, Enver Dorzi, u shpreh për mediat se nëse vazhdohet me heshtje dhe shurdhëri nga qeveria, protestat do të vazhdojnë dhe do të përshkallëzohen edhe më tej. Banorët e Pezës, të mbledhur në hyrje të komunës së tyre, kanë protestuar për ujin e pijshëm, i cili u shkon më pak se një herë në 4 ditë. OSSH-ja ka vendosur matës të rinj në komunën Pezë, por përsëri atyre faturimi u vjen aforfe. Kjo gjë nga banorët që folën në protestë u konsiderua si vjedhje e hapur e buxheteve të tyre të rrënuara tashmë, keq edhe nga kriza ekonomike. Një tjetër arsye për të cilën banorët e komunës Pezë kanë protestuar të premten në mesditë është rruga nacionale Tiranë –Plepa dhe gjendja e saj e mjerueshme. Banorët e Pezës thanë se kur kalon në këtë rrugë të duket se je kthyer qindra vite në kohë. Ndërkohë që më të penalizuarit prej rrugës janë bizneset, të cilat edhe pse paguajnë taksa njësoj si çdo biznes tjetër, nuk arrijnë të kenë fitime për shkak të gjendjes mjerane të rrugës. Deputetët socialistë që e mbështetën këtë protestë ishin Artan Gaçi e Dashamir Peza.

10 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›