E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i shtrin dorë Ramës për ndërtimin e sheshit “Skënderbej”



Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar kryetarit të Bashkisë së Tiranës që të bashkëpunojë me qeverinë për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”. Gjatë një konference për shtyp, të mbajtur dje pasdite, Berisha garantoi se nëse do të zbatohen të gjitha kërkesat ligjore, qeveria do të ndihmojë financiarisht dhe me të gjitha mënyrat Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e sheshit. Kreu i Ekzekutivit i bëri thirrje kundërshtarit politik që të zbatojë kërkesat ligjore të vendimit të propozuar prej tij në kohën kur mbante postin e ministrit të Kulturës. Bashkia e Tiranës, sipas Berishës, duhet të marrë miratimin e Institutit të Monumenteve për të kryer ndërtime dhe ndryshime në sheshin “Skënderbej”, pasi ky shesh bën pjesë në të ashtuquajturin Ansamblin e Trashëgimisë Kulturore. Berisha kërkoi që plani i sheshit të diskutohet më parë gjerësisht me qytetarët e Tiranës, akademikët, median, grupet e interesit, si dhe studiot e urbanistikës. Sipas kryeministrit, ky plan duhet të marrë edhe miratimin e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, pasi bëhet fjalë për një sipërfaqe të madhe. Ai tha se plani aktual nuk e zgjidh problemin e trafikut rrugor dhe se ky plan është ndërtuar plotësisht në konflikt interesi.
Thirrja
“Qeveria ime nuk ka synim të marrë kompetencat e pushtetit vendor, përkundrazi, qeveria shqiptare, duke e konsideruar sheshin ‘Skënderbej’ sheshin e vendit dhe të kombit, është e angazhuar të kontribuojë në të gjithë procesin e rindërtimit të tij. Qeveria e konsideron sheshin dhe bulevardin qendror si Ansambël të Trashëgimisë Kulturorë të shqiptarëve, e shpallur kjo rreth 10 vjet më parë nga qeveria socialiste, me propozim të ministrit të Kulturës së asaj kohe, zotit Edi Rama. Vlerësoj se ky propozim ka qenë plotësisht i drejtë dhe i bazuar, pasi për të gjithë ata që njohin rregullat e arkitekturës dhe urbanistikës, sheshi ‘Skënderbej’, bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe ‘Zogu I’ përbëjnë në të vërtetë një trashëgimi të çmuar kulturore për Tiranën dhe kombin në tërësi”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka kërkuar nga Rama të zbatojë vendimin që ai vetë ka propozuar në kohën kur ka mbajtur postin e ministrit të Kulturës. “Kryetari i Bashkisë së Tiranës, mbi bazën e këtij vendimi të marrë nga qeveria socialiste, në bazë të propozimit të tij, duhet të marrë më parë miratimin e Institutit të Monumenteve për të filluar punimet në shesh. Instituti i Monumenteve të Kulturës, pasi ka shqyrtuar planin, i ka kërkuar Ramës modifikimet që vijojnë. Së pari heqjen dorë nga bllokimi i bulevardit ‘Zogu I’, pasi projekti e shndërron atë në një rrugë qorre. Instituti ka ngritur problemin e kullave, të cilat prekin atë që quhet identitet kulturor. Instituti i kërkon gjithashtu të ruajë ndërtimin e sheshit me blloqe dhe jo me rrasat e Shkëlzenit. Se nga i gjeti ky rrasat e Shkëlzenit, nuk e di. Së treti, Instituti i thotë jo piramidës, e cila ka një pjerrësi 2.7%, që e pret pamjen. I bëj thirrje zotit Rama të zbatojë ligjet e vendit dhe përcaktimet e këtij instituti”, - është shprehur kryeministri Berisha. Sipas Berishës, në bazë të ligjit të urbanistikës, Rama është i detyruar të marrë miratimin e KRRTRSH-së për zbatimin e planit për ndërtimin e sheshit “Skënderbej”. Në fund të fjalës së tij kryeministri ka kërkuar që plani i sheshit të Tiranës të jetë objekt i diskutimeve të gjëra me të gjitha grupet e interesit. Berisha nuk i është përgjigjur pyetjes nëse qeveria do të ndërhyjë për të prishur punimet e Bashkisë në shesh, por ka bërë thirrje që Rama të bashkëpunojë me qeverinë për të rënë dakord për një projekt të përbashkët. Ai tha se sheshi duhet të jetë një kryevepër dhe do të ishte mirë të përfundonte me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Por, sipas Berishës, Rama nuk e pranon këtë propozim, pasi ka frikë nga rezultati i zgjedhjeve lokale. “Ne kërkojmë të arrihet një marrëveshje. Kjo është një çështje shumë thelbësore dhe duhet të vijë si një zgjidhje harmonisht e pranueshme gjerësisht nga qytetarët e Tiranës, nga grupet e ndryshme. Kryetari i Bashkisë kërkon shpronësimin. Nuk kam as më të voglin hezitim, por unë kam zero garanci përsa i përket trafikut. Nuk përballohet trafiku i qendrës nga një segment me dy korsi. Le të bëjmë një vepër madhështore për 100-vjetorin e Pavarësisë. Por ai s’bie dakord se nuk i dihet rezultatit të zgjedhjeve. Me kutitë të merremi veçmas. Sheshin s’duhet ta bëjmë si kutia, pasi është sheshi i Shqipërisë”, - ka përfunduar Berisha.

“Start 2”, Berisha përshëndet traktatin e firmosur nga Obama dhe Medvedev

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur dje firmosjen e traktatit të ri për kufizimin me 30% të armëve bërthamore. Kreu i qeverisë shqiptare e vlerëson këtë nënshkrim si një arritje historike në çështjen e armëve të shfarosjes në masë, që përbën dhe kërcënimin më serioz për paqen, stabilitetin dhe qytetërimin botëror. Kryeministri Berisha vlerëson se firmosja e kësaj marrëveshjeje nga Presidenti i SHBA-ve Barak Obama dhe Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, është një kthesë thelbësore që dëshmon vullnetin e padiskutueshëm të SHBA-ve dhe të Rusisë për të ecur drejt qëllimit final të një bote pa armë nukleare. Presidenti amerikan, Barak Obama dhe presidenti rus, Dimitri Medvedev, nënshkruan dy ditë më parë në Pragë një traktat të ri, “Start 2”, që parashikon një reduktim të konsiderueshëm të arsenaleve bërthamore nga të dyja vendet. Për të hyrë në fuqi, traktati i ri duhet të ratifikohet si nga Duma ruse, ashtu dhe nga Senati amerikan.

Partia Republikane fillon përgatitjet për zgjedhjet vendore 2011

Republikanët kanë mbledhur dje Asamblenë rajonale të qarkut të Tiranës, ku kanë çelur fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm. Në këtë mbledhje është diskutuar për fillimin e përgatitjes së partisë në bazë dhe për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkish dhe komunash. Kryetari i kësaj partie, Fatmir Mediu, gjatë fjalës së tij u ndal dhe te situata politike që është krijuar në vend, për shkak të qëndrimit që Partia Socialiste mban ndaj zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Sipas Mediut, kërkesat e Partisë Socialiste janë antikushtetuese dhe se qëllimi kryesor i opozitës është mbajtja e vendit në krizë dhe bojkotimi i zgjedhjeve të ardhshme lokale. “Partia Socialiste nuk mori përsipër përgjegjësinë e saj përballë votuesve dhe fateve të vendit, por kërkon të krijojë dhe të sajojë kriza institucionale që nuk ekzistojnë. Ajo edhe është në Parlament dhe është jashtë Parlamentit. Dhe kërkon bashkëpunim me ndërkombëtarët, por asnjëherë nuk i dëgjon propozimet, qëndrimet dhe zgjidhjet që ato ofrojnë. Duket qartë që kjo strategji kërkon të krijojë një krizë tjetër, atë të zgjedhjeve lokale. Ky ndoshta është qëllimi politik i Partisë socialiste, duke vendosur si shantazh bojkotin e këtyre zgjedhjeve me kërkesat e tyre antikushtetuese”, - është shprehur Mediu. Sipas tij, asnjë politikan nuk mund të qëndrojë mbi Kushtetutën e vendit.

10 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›