E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSK, përballë sfidave të sigurisë

Trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jenë të gatshme të marrin detyra shtesë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në Kosovë, nëse do të merrej ndonjë vendim i ri politik, thonë zyrtarë të Forcës së Sigurisë dhe analistë për çështje sigurie. Autoritetet kosovare vlerësojnë se Forca e Sigurisë së Kosovës është në rrugë të mbarë dhe të mirë që të arrijë në nivelin e dëshiruar të profesionalizmit të saj. Ato shprehin bindjen se në një të ardhme të afërt, edhe FSK-ja do të jetë e gatshme t‘i marrë përgjegjësitë në lidhje me sigurinë në Kosovë.

Zëdhënësi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala, pohon se trupat e FSK-së janë të gatshme t‘i kryejnë detyrat dhe obligimet në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës. Por, megjithatë, thotë ai, aktualisht FSK nuk është e ngarkuar të ruajë gjendjen dhe sigurinë në Kosovë. "Pas çdo vendimi të ri politik në mes qeverisë së Kosovës dhe NATO-s dhe në momentin kur do t‘i jepen detyra shtesë FSK-së, atëherë ne mund të konkludojmë me bindje të plotë se trupat e FSK-së do të jenë në gjendje për të dhënë kontributin e tyre dhe misionin që u caktohet", thotë Shala.

Janë ekspertët e NATO-s ata që kanë marrë përsipër ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Aktualisht, janë duke u trajnuar mbi 1400 ish-pjesëtarë të TMK-së, që janë zgjedhur për të qenë pjesë e FSK-së. "Duke përcjellë zhvillimet e këtyre trajnimeve të FSK-së, ne mund të konkludojmë se trajnimi i tyre ka qenë shumë i suksesshëm. Mirëpo, të gjitha këto faza të trajnimeve kurorëzohen me një stërvitje të madhe dhe me këtë stërvitje fushore do të vlerësohen dhe do të tregohen aftësitë e FSK-së se në çfarë shkalle kanë arritur për të dëshmuar kapacitetet e para operacionale", shprehet Shala.

Sidoqoftë, Forca e Sigurisë së Kosovës në shtator të këtij viti do të fillojë së vepruari me kapacitete të pjesshme operative dhe më pas do të ketë stërvitje të avancuara, kur do të përgatiten pjesëtarët, që më vonë t‘i marrin përgjegjësitë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Kosovë.

Analisti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, konsideron se Forca e Sigurisë së Kosovës jep mundësi që të krijojë një stabilitet rajonal, por edhe mundësi që të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare. "Edhe pse me ligj është paraparë si forcë, që pak determinon nga ajo që është përcaktuar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, por në esenë FSK është forcë që i ofron siguri dhe stabilitet Kosovës, jo vetëm në pikëpamjet emergjente, por edhe në pikëpamje të tjera, në rend të parë u ofron (ndihmë) mekanizmave ushtarakë ndërkombëtarë, që veprojnë në Kosovë dhe policisë", thotë Ibishi.

Forca e Sigurisë së Kosovës parashikohet të ketë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë. FSK-së fillimisht do t‘i lejohet që të mbajë armë të lehta, ndërsa misioni i saj është që të marrë pjesë në operacione për reagim ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj, operacione të mbrojtjes civile në Kosovë dhe t‘i ndihmojë autoritetet civile, duke reaguar gjatë katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›