E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pendohet Mainc, Hyka do të qëndrojë

A është Jahmir Hyka (21-vjeç) i fituari i parë i fazës përgatitore? Kjo është pyetja që ngrinte dje prestigjiozja gjermane "Bild", në lidhje me mundësinë e konfirmimit të talentit shqiptar te Mainci për sezonin tjetër. Dëmtimet e Trojan, Chadlit dhe Polanskit, kanë vënë në pikëpyetje mesfushën e kësaj skuadre. Menaxheri Kristian Heidel konfirmoi: "Hyka është përmirësuar gjithnjë e më shumë". Shqiptari shfaqet konkurrues në stërvitje, ka një driblim të bukur, është i etur për të zbritur në fushë. Për mirë ka ndikuar edhe aktivizimi i tij me Kombëtaren e Shqipërisë në ndeshjen e fundit. Për një aktivizim më të madh u mendua të huazohet. Por tani Mainci ka ndryshuar mendje. "Do të ishte katastrofike për të nëse nuk do të luajë për dy sezone radhazi", thotë Heidel. Hyka, për shkak se është një lojtar ekstrakomunitar, nuk mund të luajë as tek amatorët e Maincit në Regionalliga. Ndërsa zërat për një transferim të tij te Palermo nuk po konkretizohen, pasi mungon oferta e italianëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›