E Diel, 1 Nëntor 2026

Pengesat për OBT

Një prej qëllimeve të marrëveshjes së CEFTA’s është edhe përgatitja e vendeve për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë. Serbia vazhdon ta shkelë këtë marrëveshje, duke mos i njohur produktet kosovare. Ekonomistët deklarojnë se kjo do të sjellë vështirësi edhe në anëtarësimin e Kosovës në OBT. Nga Albulena Maloku më 25 dhjetor 2010 në ora 12:07

Problemet e dala nga marrëveshja e CEFTA’s, mund t’i sjellin Kosovës vështirësi në rrugën drejt anëtarësimit në Organizatat Botërore të Tregtisë. Përveç dëmtimit ekonomik që i ka sjellë, ajo mund t’ia zvarritë edhe anëtarësimin e shtetit në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).

Zyrtarë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thonë se gjatë vitit të ardhshëm do ta dorëzojnë aplikacionin për anëtarësim në OBT. Drejtori i Departamentit të Tregtisë në MTI, Flamur Keqa, thotë se edhe gjatë këtij viti kanë pasur takime me udhëheqësit e OBT’së.

“Gjatë takimeve që kemi pasur, janë këmbyer ide lidhur me mundësitë dhe përfitimet e anëtarësimit të Kosovës në OBT. Po ashtu janë diskutuar edhe hapat të cilët duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë”, tha Keqa. Sipas planit të aktiviteteve të MTI-së, Keqa thotë se gjatë vitit të ardhshëm pritet të dorëzojnë aplikacioni për anëtarësim. “ Sipas planeve që i kemi dhe aktiviteteve tona, gjatë vitit 2011 pritet të dorëzojmë aplikacionin zyrtar për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare, që nënkupton një proces shumë të gjatë negociator me OBT’në”, thotë Keqa.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se problemet që i ka sjellë Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, do të lindin edhe në procesin e anëtarësimit të vendit në këtë organizatë. Eksperti i ekonomisë, Gazmend Qorraj thotë se rruga e anëtarësimit në OBT do të jetë një proces i gjatë negociator. “Gjatë këtij procesi do të shfaqen edhe probleme politike nga Serbia, duke marrë parasysh natyrën komplekse të anëtarësimit në OBT”, thotë Qorraj.

Përgatitja e procedurave si dhe anëtarësimi, sipas tij, do të jenë procese sfiduese. “Them sfiduese, sepse Kosova edhe në institucionet dhe mekanizmat që ka qenë e anëtarësuar, ka probleme serioze, siç është funksionalizimi i CEFTA’s dhe përfitimet nga kjo marrëveshje. Prandaj, mendoj se së pari duhet të merremi me problemet ekzistuese, t’i zgjidhim ato para se t’u hyjmë sfidave të reja”, thotë Qorraj. Anëtarësimi në institucionet ndërkombëtare, sipas tij, është proces pozitiv, pasi që legjitimon dhe promovon shtetin e Kosovës si në aspektin politik, ashtu edhe ekonomik. Edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Nagip Skënderi, thotë se përveç që CEFTA i ka sjellë humbje ekonomike vendit, ajo do t’ia vështirësojë rrugën drejt organizatave botërore. “Problemet që Kosova ka në kuadër të CEFTA-s me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën, jo vetëm që e kanë dëmtuar atë ekonomikisht në kuadër të këtij asociacioni kur nuk mund të eksportoheshin produktet kosovare, sipas rregullave të CEFTA-s, por ato kanë ndikuar që edhe të ketë vështirësi në anëtarësimet e tjera të ekonomisë globale, siç është rasti me OBT”, tha Skënderi.

Rrethanat e krijuara nga zgjedhjet e parakohshme, sipas tij, kanë ndikuar që të ketë vakuum institucionesh dhe të vonohet në proceset integruese. Përderisa, njëra ndër qëllimet kryesore të marrëveshjes së CEFTA’s, është edhe përgatitja e vendeve për anëtarësimin në Organizatën Botërore të Tregtisë. Ndërkaq, Kosovës i mungon edhe një votë për në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ndërsa, gjatë këtij viti ajo ka arritur të jetë pjesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›