Pengmarrja 1.8 mln euro në Greqi, bllokohet pasuria e dy shqiptarëve
Gjykata e Krimeve të Rënda ka bllokuar rreth 230 mijë euro prona dhe llogari bankare të Mariglen Kuqit dhe Oltjon Sadikajt të akuzuar në shtetin grek për pengmarrje. Dy shqiptarët, një vit më parë, kanë rrëmbyer shtetasen Evanthia Farnkogjeorgji dhe kanë kërkuar nga familjarët e saj rreth 1.8 milionë euro. Pagesa është realizuar dhe shqiptarët e kanë liruar pengun, duke transferuar në Shqipëri paratë e “fituara” duke kryer një vepër penale. Krahas hetimeve në shtetin helen, dosja është regjistruar edhe në Shqipëri me akuzën e pastrimit të parave, pasi ka dyshime se sasia e parave është transferuar dhe pastruar në Shqipëri. Dosja ka shkuar së fundi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe nga verifikimet e njësisë së “Antimafies” ka rezultuar se dy shqiptarët kishin një pasuri të investuar në vlerën e 230 mijë eurove, ndërsa sasia e parave të tjera dyshohet se është “fshehur”. Prokurori Besnik Muçi, anëtar i seksionit “Antimafie” në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka realizuar disa ditë më parë një kërkesë në gjykatë me objekt bllokimin e pasurive të Kuqit dhe Sadikajt. Kërkesa e prokurorit Muçi është pranuar nga togat e zeza.
Pasuria e KuqitSipas vendimit të gjykatës, Prokuroria e Athinës, Greqi, ka nisur procedimin penal për veprën penale të “Pengmarrjes dhe kërcënimit në bashkëpunim” në ngarkim të 8 të akuzuarve mes tyre edhe shtetasit Mariglen Nikoll Kuqi. Kjo vepër penale ka ndodhur gjatë periudhës 19 qershor 2009 – 25 qershor 2009. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se është rrëmbyer shtetasja Evanthia Farnkogjeorgji dhe është kërcënuar miku i saj, Ari Anastasiu Theodhoridhi, i cili u ka dhënë pengmarrësve pagesën në kesh prej 1 800 000 euro për të bërë të mundur lirimin e shtetases së marrë peng. Sipas hetimeve, Mariglen Kuqi është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Paralelisht me hetimet që janë duke u zhvilluar në shtetin grek, Prokuroria e Tiranës dhe më pas Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë filluar hetimet, të cilat kanë filluar mbi bazën e informacionit të përcjellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, e cila ka raportuar për disa raste transaksionesh financiare që përbëjnë dyshim për pastrim të produkteve të veprës penale. Kishte dyshime se sasia e lekëve e fituar nga vepra penale e pengmarrjes në shtetin grek është futur në qarkullim civil në RSH nga ana e personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale në formën e hapjes së llogarive bankare dhe blerjes së pasurive të paluajtshme. Një prej personave të akuzuar për kryerjen e veprës penale në shtetin grek është Mariglen Kuqi. Sipas policisë, shtetasi Mariglen Kuqi pas kryerjes së veprës penale ka hyrë në territorin e Shqipërisë. Ndërsa bashkëshortja dhe babai i tij, respektivisht Blerta Kuqi e Nikoll Kuqi pak kohë pas kryerjes së veprës penale të pengmarrjes kanë realizuar blerje të pasurive të paluajtshme në vlera të konsiderueshme monetare, me para kesh, në kushtet kur këto transaksione nuk i përgjigjen nivelit të tyre ekonomik, pasi nga të dhënat e disponuara nga QKR nuk rezulton të kenë pasur ndonjëherë aktivitete tregtare. Sipas prokurorisë, shtetasja Blerta Kuqi, bashkëshortja e Mariglen Kuqit ka lidhur një kontratë me një firmë për ndërtimin e më pas blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 106 m2 në Tiranë. çmimi i apartamentit është paguar tërësisht nga porositësja me para kesh në dorë në vlerën 137 800 euro. Shtetasja Blerta Kuqi tha se burimi i të ardhurave është puna në emigracion. Ndërkohë, Nikoll Kuqi, i ati i personit nën hetim, Mariglen Kuqi, në muajin korrik të vitit të kaluar ka lidhur një kontratë për ndërtimin dhe blerjen e një apartamenti në Golem, Kavajë, me sipërfaqe ndërtimi 99 m2. çmimi i apartamentit është paguar tërësisht nga porositësi me para kesh në dorë në vlerën 70 000 euro.
Pasuria e SadikajtKrahas Mariglen Kuqit, nën hetim është marrë edhe Oltion Sadikaj, i njohur me emrin Janis. Ka dyshime se ky person sasinë e lekëve të fituara nga vepra penale e pengmarrjes në shtetin grek e ka futur në qarkullim në Shqipëri. Sipas sistemit TIMS rezulton se Sadikaj, ka hyrë në territorin e RSH më datë 27 qershor 2009 që përkon me periudhën kur është kryer krimi i pengmarrjes në shtetin grek. Sipas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, personi nën hetim, Oltion Sadikaj, ka çelur një llogari bankare me afat njëvjeçar në shumën 30 000 euro më datë 23 korrik 2009 me përshkrimin “Të ardhura nga emigracioni”. Kjo shumë është bllokuar, ndërsa prokuroria dyshon se sasi të tjera në para në kesh janë futur në treg nga ky person në shumën prej 100 mijë euro.
#