Ajala: Berisha, pa vullnet për krizën
Keqardhje për Kryeministrin Sali Berisha dhe përgëzime për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndarja e gjykimeve politike ndaj krizës shqiptare, sipas pozicionit ideologjik, ka përfshirë edhe komunitetin ndërkombëtar, i cili vijon të përcjellë më shumë mesazhe mbështetëse për aleatët e vet në Tiranë sesa të japë zgjidhje reale. Kjo është verifikuar edhe dy ditët e fundit, teksa zhvillimi në Nju Jork i Këshillit të Internacionales Socialiste ka riaktualizuar deklarimet solidarizuese për selinë rozë të ardhura nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Luis Ajala. “Unë do të thosha që ne ndërkombëtarët në momentin aktual shprehim keqardhjen për mungesën vullnetit për kompromis që vërehet nga ana e qeverisë së Kryeministrit Berisha. Nga ana tjetër, ne, jemi shumë krenarë nga qëndrimi shumë i përgjegjshëm, nga maturia e liderit të opozitës, Edi Rama, i cili ndërkohë ka pranuar këtë kompromis. Ne ndërkombëtarët kishim pritshmëri kur ishim atje në Tiranë për zgjidhjen e këtij kompromisi, që nisma e Parlamentit Europian, e dy kryetarëve, do të sillte rezultat”, u shpreh Ajala në një prononcim për mediat. Vija ndarëse për përgjegjësitë e situatës ka prekur edhe grupet politike europiane që vetëprofilizohen në diskutimin e problemit shqiptar nën okelion e rreshtimit ideologjik. Por fjalët e sekretarit të Përgjithshëm të IS, janë shfaqur të sinkronizuar me qëndrimin e mbajtur në mbledhjen e Nju Jorkut nga kreu socialist, Edi Rama, i cili ka ritheksuar edhe njëherë shqetësimin e opozitës për realizimin e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. “Këshilli i IS-së rikonfirmoi qëndrimin e Komitetit të Europës Juglindore, duke e mbështetur fuqishëm PS dhe të gjithë opozitën shqiptare në përpjekjen e vet për transparencë. Duke e konsideruar transparencën një domosdoshmëri për një demokraci funksionale, për një parlament funksional, për një qeverisje funksionale, të një vendi i cili po troket në derën e Europës...”, citohet Edi Rama nga zyra e shtypit e PS. Një moment me rëndësi specifike për zhvillimet politike shqiptare ka qenë takimi që ai ka zhvilluar me Kryeministrin grek, Jorgos Papandreu, që është njëkohësisht edhe një figurë me mjaft ndikim në të majtën ndërkombëtare. Detajet rreth këtij bashkëbisedimi janë përcjellë nga Rama, sipas të cilit Papandreu ka shprehur shqetësimin për situatën e bllokuar në Shqipëri. “Ishte kënaqësi dhe privilegj në një kohë që të ndaja këtë shqetësim edhe me Kryeministrin Papandreu, i cili e nënvizoi domosdoshmërinë e zgjidhjes së kësaj krize përmes transparencës dhe kushtetutshmërisë, në mënyrë që Shqipëria të nxitojë përpara dhe të mos ngadalësojë procesin e vet të integrimit europian”, është shprehur Edi Rama. Bie në sy një theks jo shumë kategorik në mesazhin e Kryeministrit grek, i cili sipas edhe qëndrimeve të shprehura në punimet e Këshillit ka rikonfirmuar këmbënguljen e Greqisë për nismën “Axhenda 2014”, që synon anëtarësimin e të gjithë Ballkanit në BE brenda 3 viteve të ardhshme. Nëse deklarimet dhe thirrjet e së majtës europiane apo figurave kryesore të saj përcillen në kontestin shqiptar si mbështetje për pozicionet e selisë rozë, atëherë është e pritshme që beteja e negociatave së bashku me penalizimet e mundshme që priten prej saj të jenë produkt i raporteve në Parlamentin Europian. Kjo pasi si partitë e majta ashtu edhe ato të djathta, nuk kanë afishuar ndonjë qëndrim parimisht të ngurtë, por janë angazhuar në lobim reciprok, duke ndikuar në ngrirjen e krizës shqiptare që sa vjen e bëhet më artificiale, sidomos po të mbahet parasysh stina e re elektorale që po afron.
#