Ura Vajgurore, shpallet zonë e rëndësisë së veçantë
Ndotja e lartë që shkaktohet nga nxjerrja dhe përpunimi i gurëve në qytezën e Urës Vajgurore ka bërë që dje dy zëvendësministra të inspektojnë zonën dhe të premtojnë marrjen e masave për shpalljen e zonës së rëndësisë së veçantë. Pas shumë shqetësimeve të ngritura nga ana e prefektit të Qarkut të Beratit, Bujar Hoxha, ka mbërritur sot pranë institucionit të prefektit zëvendësministri i Mjedisit, Taulant Bino, dhe zëvendësministri i Energjetikës, Neritan Alibali. Zëvendësministrat kanë zhvilluar fillimisht një takim në zyrën e prefektit të qarkut Bujar Hoxha, ku janë njohur me problematikën e ndotjes në zonën e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit në Urën Vajgurore, zonë e njohur si gurorja e qytetit. Prefekti Hoxha i ka njohur zëvendësministrat me aktivitetin e guroreve, ndërsa ka ngritur shqetësimin e banorëve të zonës për ndotjen që shkaktohet nga mosvendosja në punë e filtrave mbrojtës për pastrimin e ajrit dhe shkeljet e rregullave të punës, gjatë aktivitetit të 23 firmave të gurit. Më pas, dy zëvendësministrat kanë mbërritur në zonën e guroreve që ndodhet në lagjen “Guri i Bardhë”, në dalje të Urës Vajgurore, ku ushtrohet aktiviteti i guroreve.
Zëvendësministrat inspektuan zonën nga afër së bashku me specialistë të institucionit të prefekturës, ku pas këtij inspektimi u vendos që të përcaktohet zona e rrezikut dhe të ndalet puna në zonën ku ndotja është më e lartë. Prefekti i qarkut, Bujar Hoxha, u shpreh pas këtij inspektimi se do të bëhet kërkesa pranë qeverisë për ta shpallur zonën e mbrojtur. “Ndonëse firmat që punojnë për nxjerrjen dhe përpunimin e gurëve janë të licencuara, përcaktimi i zonës së rëndësisë së veçantë do të krijojë mundësinë që aktiviteti në ato zona ku ndotja është e lartë, të ndërpritet, pasi banorët e lagjes “Guri i Bardhë” jetojnë mes ndotjes që shkaktohet nga mosrespektimi i rregullave në punë.
#