Dëshmitaret: Punimet u sponsorizuan nga Disho
KORÇË- Dëshmitarët e radhës të çështjes së dhunimit të varreve të fshatit Boboshticë për ndërtimin e një platforme për memorialin grek kanë thënë se punimet u sponsorizuan nga kreu i organizates ‘Omonia’. Të thirrur nga pala mbrojtëse, dy dëshmitaret Elenica Kotelli dhe Maria Male, kanë thënë për gjykatën se pas një mbledhjeje të bërë nga kryesia e OMONIA-s, për pastrimin e varreve dhe rregullimin e tyre u vendos që kjo të kryhej me rastin e festës greke të 28 tetorit. Dy dëshmitaret e pyetura nga mbrojtja dhe prokuroria kane mbajtur të njëjtin qëndrim, duke thëne se nuk kanë dijeni për marrjen e ndonjë leje për punimet nga organizata dhe se në mungesë të fondeve të OMONIA-s, punimet u financuan nga kreu Naum Disho.
Ato kanë pohuar para gjykatës se u zgjodh Boboshtica, për faktin se aty janë bërë çdo vit ceremoni për ushtarët grekë. Në seancë nuk janë paraqitur dy dëshmitarë të tjerë të mbrojtjes, të cilët do të dëshmojnë në seancën e radhës.
Të pandehurit u akuzuan nga Prokuroria e Korçës për dhunim të varreve, pasi në tetor të këtij viti ata kanë kryer punime të paligjshme, duke mos marrë lejen e ndërtimit nga organet kompetente në varrezat e vjetra të fshatit Boboshticë, të cilat ndodheshin brenda territorit të Kishës së Shën Marisë. Sipas hetimit të prokurorisë, rezultoi se nga kryerja e punimeve dhe konkretisht nga hedhja e një sasie prej 58m2 beton në pjesën ku ndodhet një kryq betoni, duke zgjeruar bazamentin e tij, me qëllim krijimin e një rrugice, midis këtij kryqi dhe vendit ku është kambana, janë dhunuar disa prej varreve të fshatit Boboshticë. Këto varre fillimisht u gërmuan nga punëtorët e paguar nga ‘Omonia’ dhe më pas janë mbuluar nga betoni, me qëllim shtrimin e rrugës. Për këtë ngjarje, prokuroria mori në përgjegjësi penale kreun e Degës së ‘Omonias’ për qarkun e Korçës, Naum Disho, dhe dy punëtorët Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe.