E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengmarrja e avionit Tiranë-Stamboll, i akuzuari arrestohet në Gjermani

Policia gjermane arrestoi Hakan Ekinxhi, që akuzohet se mori peng më 2006 avionin e Turkish Airlines, pasi kishte frikë të përfundonte në burg në Turqi ku akuzohej për dezertim
Njeriu që mori peng në mënyrë të çuditshme një avion të Turkish Airlines, që udhëtonte nga Tirana në Stamboll dhe e devijoi atë për në Brindisi, është arrestuar dje në Gjermani. Hakan Ekinxhi ishte arrestuar në Itali dhe është ende e paqartë se si ai ka përfunduar në Gjermani, ku sipas agjencive gjermane të lajmeve, është arrestuar me dokumente italiane false. Njeriu në fjalë kërkohet nga drejtësia shqiptare për akuzën e pengmarrjes së një avioni. Ekinxhi me anë të kërcënimit se ishte i armatosur detyroi në 3 tetor 2006 avionin e linjës Tiranë-Stamboll, në bordin e të cilit ndodheshin 113 pasagjerë, pjesa më e madhe shqiptarë, të ndryshonte drejtim për në Brindisi ku ai u dorëzua, duke pretenduar se nuk donte të kthehej në Turqi, sepse nuk donte të kryente ushtrinë në këtë vend.
Arrestimi
Hakan Ekinxhi është arrestuar në landin e Shlesvig-Holstajnit, ndërsa kishte hyrë në Gjermani nga Danimarka. Turku, 31 vjeç, është ndaluar pasi u ka paraqitur policëve gjermanë dokumente italiane që pasi janë verifikuar, kanë rezultuar se ishin false. Agjencia e lajmeve AFP, seksioni në gjermanisht, bën të ditur se 31-vjeçari ishte ndaluar në rrugën që lidh landin verior të Gjermanisë me Danimarkën dhe pas verifikimeve, policisë i ka rezultuar se ai ishte i kërkuar në Shqipëri. Menjëherë ndaj tij është marrë masa e arrestit. Policia gjermane nuk ka dhënë detaje për personin e arrestuar dhe as për mënyrën se si ai ka shkuar më parë në Danimarkë dhe tani në Gjermani. Hakan Ekinxhi ka qenë i arrestuar në Itali, ku ai detyroi të ulej avionin e linjës Tiranë-Stamboll. Ajo që mbetet e paqartë është mënyra se si personi i kërkuar në të njëjtën kohë nga Shqipëria dhe Turqia, të jetë lënë i lirë nga autoritetet italiane. Ndërkohë, zëdhënës të Policisë Federale Gjermane citohen të kenë thënë se presin vendimin e gjykatës për të parë se ç’do të bëhet më tej me turkun e akuzuar për pengmarrje.
Pengmarrja
Ishte ndoshta një nga pengmarrjet më të çuditshme në botë, ku në fund pengmarrësi u tha pengjeve të tij, një pjesë nuk e dinin ende që ishin pengje: “Më falni” në shqip, është përulur para tyre dhe ka dalë nga dera e avionit. Hakan Ekinxhi shkaktoi katër orë panik në Tiranë, Stamboll, Romë dhe Brindisi. Ideja e parë ishte se ai kërcënonte Papën që të mos vizitonte Turqinë, pengmarrja u bë pak ditë para vizitës së Atit të Shenjtë të Kishës Katolike në Azinë e Vogël, por shpejt u zbulua se ai thjesht kërkonte ndihmë nga Papa dhe e quante veten katolik. Sidoqoftë, u deshën katër orë për të sqaruar se avioni që “komandohej” nga kërcënimet e Ekinxhi (ishte i paarmatosur dhe thjesht kishte kërcënuar se kishte armë), kishte për synim thjesht të ulte në Itali personin në fjalë, i cili nëse do të shkonte në Turqi, pas deportimit nga Tirana do të arrestohej për dezertim nga ushtria. Nga frika se avioni, i cili mes pasagjerëve kishte edhe deputetë të Shqipërisë, do të rrëzohej nga avionët ushtarakë italianë, sepse pritej që ai të tentonte të godiste Vatikanin, u kalua në tragjikomedinë e një të arratisuri që pretendonte se ishte katolik, madje pacifist. Përgatiti: V. Karaj

Historia e pengmarrësit nga Turqia

Njeriu që devijoi avionin, që u nis nga Rinasi për në Stamboll, do të arrestohej nga policia turke, sepse nuk kishte pranuar të mbante armë. Rrëmbyesi i “Boeing 737-400” të kompanisë ajrore Turkish Airlines, Hakan Ekinxhi, është një ish-dezertor nga ushtria turke, që thotë se ka përjetuar një jetë të vështirë në burgjet dhe spitalet ushtarake të Turqisë. Mjaftoi vetëm një kërkim në internet me emrin e tij, që të na dilte përpara historia e jetës së Ekinxhi. Një “aktivist paqeje”, “njeri që nuk i donte armët”, mori “peng” një avion vetëm me anë të fjalëve.
Ai ka lindur në Izmir në vitin 1978 dhe ka luftuar për shumë vite kundër autoriteteve turke për të mos kryer shërbimin ushtarak, të cilin e quan të padrejtë në letrën e tij drejtuar Papës. Shtetasi turk nga Izmiri, që u bë i famshëm për disa orë në të gjitha kanalet televizive botërore dhe agjencitë e lajmeve, është një person që ka marrë një raport mjekësor, që e ka cilësuar si të paaftë për të kryer shërbimin ushtarak. Ai tregon në historinë e tij se si është rrahur dhe torturuar në një nga burgjet e Turqisë, ku kryente dënimin për dezertim nga ushtria. Ekinxhi tregon se si e rrihnin sistematikisht dhe e fyenin gati çdo orë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›