Epidemi protestash

(Foto: Petrit Rrahmani)
Mjekëve të QKUK-së iu ka plasur durimi. Me kërkesat kryesore për ngritjen e pagave, miratimin dhe aplikimin e Ligjit të punës si dhe Ligjit për sigurime shëndetësore, mbi 1500 punëtorë shëndetësorë të organizuar nga Sindikata e QKUK-së marshuan në mesditën e së mërkurës, rrugëve të kryeqytetit.
Para ndërtesës së Qeverisë, protestuesit vendosën në mënyrë simbolike një mantel të bardhë e të vjetruar, në mëngët e të cilit shkruante ‘pacienti’ dhe ‘punëtori ‘shëndetësor’.
”Rroga dinjitoze, krahasuar me kolegët tanë në rajon”, ishte një ndër pankartat që mjekët e QKUK-së e mbanin mbi kokat e tyre.
Pikërisht për këtë kërkesë, anëtari i Kryesisë së Sindikatës, Besnik Bicaj, tha se presin ngritje të dyfishtë të rrogës. “Presim ngritje të dyfishtë, e jo 44 euro të mëngjesit, e as 10 apo 20 për qind. Duam, duam rroga si në rajon, as më të mëdha, as më të vogla”, tha Bicaj.
Ndërsa kryetari i Sindikatës së QKUK-së, Xhemajl Selmani tha se do të heqin dorë nga kërkesat e tjera dhe do të kërkojnë vetëm rritjen e rrogës, nëse nuk do të kenë ndonjë sinjal nga qeveritarët e vendit për plotësimin e tyre.
“Kërkesat janë që ata të jenë shumë aktivë, që të paktën të na japin sinjale që janë duke punuar në të mirë të realizimit të këtyre kërkesave. Në qoftë se nuk na japin sinjale që këto kërkesa të paktën po fillojnë të trajtohen, ne do të dalim me një kërkesë të vetme, për rritjen e rrogave tona”, tha Selmani.
Megjithatë, Selmani nuk ka saktësuar nëse do të ketë ashpërsim të protestave në rast të mosplotësimit të kërkesave të tyre.
“Nuk mund të prononcohemi para se të mbahet mbledhja e radhës e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të Sindikatave. Ne do të mbajmë shpejt mbledhjen e të gjithave klinikave dhe instituteve dhe në atë mbledhje do të marrim vendime për forma të vendimeve dhe organizimeve dhe format e parashtrimit të kërkesave tona”, tha Selmani për Express.
Ndërkohë, pas protestës së mbajtur, sindikalistët e QKUK-së kanë mbajtur një takim me ministrin e Shëndetësisë, Alush Gashi dhe u.d i sekretarit permanent i kësaj ministrie, Haxhi Kamberi.
Pasi ka dëgjuar kërkesat e tyre, ministri Gashi u ka thënë sindikalistëve se kërkesat që ata po i shprehin janë çështje dhe tema me të cilat Ministria i ka pjesë të punës së saj të rregullt, me qëllim të përmirësimit të kushteve të punonjësve shëndetësorë dhe cilësisë së shërbimeve.
“Askush në sistemin shëndetësor nuk po thotë që paga që marrin sot punonjësit shëndetësorë është ajo që duhet, përkundrazi, mantelbardhët meritojnë shumë më tepër, por pagat janë sipas fuqisë ekonomike që ka vetë vendi ynë dhe sipas buxhetit që e miraton Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës”, është arsyetuar Gashi.
Sa u përket kërkesave për Ligjin e punës dhe Ligjin për sigurime shëndetësore, ministri Gashi ka theksuar se Ligji i punës është në procedura nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe MSh-ja i jep përkrahje miratimit të këtij ligji.
Ai ka treguar se Ministria e Shëndetësisë tashmë e ka proceduar Projektligjin për sigurime shëndetësore në Qeveri. Sipas tij, tashmë i mbetet Qeverisë dhe Parlamentit që të ecin me dinamikën e paraparë për miratimin e këtij ligji.
Megjithatë, edhe pas këtij takimi, udhëheqësit e Sindikatës së QKUK-së janë ndarë të pakënaqur, duke thënë se ministri Gashi nuk ka thënë asgjë konkrete.
“Nuk jemi të kënaqur me takimin, ministri nuk ka thënë kurgjo të re. Nuk ka përmendur asnjë çështje e cila neve në preokupon, asgjë që mund të zgjidhet”, tha Xhemajl Selmani.
Sindikalistët e QKUK-së janë shprehur të pakënaqur edhe me FSSHK-në dhe me këtë rast ata kanë pohuar se nuk janë më pjesë e saj.
“FSSHK-ja për neve më nuk është me rëndësi a na përkrah a jo, se ne nuk jemi më pjesë e tyre. FSSHK-ja sigurisht e pa me zili këtë numër të punëtorëve, të cilin e ka parë sot, i cili deri para një viti ka qenë i tyre, por jo më”, tha Besnik Bicaj duke shprehur besimin se tashmë ata do të kenë mbështetjen e BSPK-së.
Në anën tjetër, Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka vlerësuar se marshi protestues i punëtorëve të QKUK-së është organizuar nga një grup joformal interesi.
“Ky marsh protestues është organizuar nga një grup joformal interesi, i cili, në thelb ka qëllime personale promovuese dhe karrieriste, për të mos zbatuar dhe respektuar organizimin institucional sindikal, por është edhe i mbështetur e i nxitur nga qarqe të caktuara politike, të cilave nuk iu intereson një organizim sindikal i fortë dhe i pavarur”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga FSSHK-ja.
Përkundër grevës së mbajtur, puna në QKUK nuk është ndërprerë, pasi që pacientët janë trajtuar nga ekipet kujdestare.
Se mbajnë fjalën
Për herë të parë, policët kosovarë iu kishin afruar bankomatit me një parandjenjë të mirë. Me shpresë, që këtë muaj rroga e tyre është rritur dhe mundi shpërblyer. Por, për shumicën e tyre, shkuarja në bankë u shndërrua në ankth. Rritje kinse, por ajo për shumicën ishte ofenduese. Disa kishin marr 20 euro më shumë, disa më shumë. Të pakënaqur me këtë rritje simbolike, një pjesë e policisë kanë dalë në rrugë për të protestuar.
“Paralajmërimet për rritjen e pagave dhe benificioneve të tjera për Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës, në ditën kur po prisnim në radhë për të marrë pagat, deklarata juaj zyrtare na doli e pavërtetë”, thuhet në një reagim të Këshillit përfaqësues të njësive të Specializuara në Policinë e Kosovës drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Kjo ishte edhe arsyeja pse pjesëtarët e njësive të specializuara janë mbledhur në bazën e Njësisë Speciale Intervenuese në Kishnicë për të shprehur pakënaqësitë dhe për të shtruar kërkesat për rritje të pagave.
Në këtë protestë spontane ishin Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për mbrojtje të afërt, njësia për trajtimin e eksplozivëve, njësia K9, njësitë speciale operative të Prizrenit, Ferizajt, Prishtinës, Mitrovicës, Pejës, Gjilanit, Departamenti i Krimit të Organizuar si dhe Divizioni i Sigurimit.
“Kërkesa e parë është zbatimi i menjëhershëm në tërësi i Ligjit për Policinë e Kosovës si dhe dispozitave të tjera ligjore përcjellëse, që është i aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Kërkojmë rritjen e pagave 100 për qind nga paga bazë. Kërkojmë urgjentisht të bëhet ndryshimi i kontratave të punës nga ato të tanishme, të cilat janë të përkohshme në të përhershme, ku edhe specifikohet në mënyrë detale marrëdhënia e punës dhe niveli i pagës duke u bazuar në kërkesën 2”, thuhet në këtë letër.
Policët paralajmërojnë se nëse kërkesat e parashtruara nuk plotësohen deri në orën 09.00 të mëngjesit të së enjtes, atëherë të gjitha aktivitetet policore të njësive të specializuara, do të pezullohen.
Ndërkohë, në një njoftim të Policisë së Kosovës thuhet se puna policore dhe angazhimet e tyre në detyra ditore nuk është ndërprerë, edhe përkundër kësaj proteste simbolike.
“Menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës ka formuar një grup punues për rishikimin e sistemit të ri të pagave, ku për ndonjë lëshim teknik eventual të mundshëm, në mënyrë retroaktive do t’u bëhet kompensimi i mjeteve”, thuhet në këtë njoftim.
Pas kësaj proteste ka reaguar Kryesia Qendrore e Sindikatës të Policisë së Kosovës. Në reagimin e tyre thuhet se duke filluar nga njësitë regjionale dhe ato qendrore, mbështesin të gjitha kërkesat që kanë të bëjnë me përmirësimin e mirëqenies të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe zbatimin e Ligjit të Policisë së Kosovës, sistemin e ri të pagave sipas Marrëveshjes së nënshkruar në mes të Sindikatës dhe Qeverisë së Kosovës, si dhe solidarizohemi me kërkesat e tyre.
“Kryesia fton Qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente të përmbushin obligimet dhe këto kërkesa, të cilat janë shumë të arsyeshme dhe jetike për Policinë e Kosovës dhe të dilet nga kjo situatë e rëndë dhe e padëshiruar”, thuhet në këtë reagim.