Kërkojnë drejtësi
Përfaqësues ligjor i familjeve të Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, avokati Halim Sylejmani, e ka bërë publike një letër nga UNMIK-u për rastin e 10 shkurtit 2007, të Panelit Këshillues për të Drejtat e Njeriut (PKDNJ). Sylejmani, ka thënë se ka pranuar përgjigjen më të fundit të UNMIK-ut drejtuar Panelit për rastin e 10 shkurtit 2007.
“Në letrën e tij, UNMIK-u thotë se rasti ynë nuk është i vlefshëm më te PKDNJ-ja për shkak të Udhëzimit të ri Administrativ të PSSP-së të shpallur më 17 tetor 2009. Neni 2 e bën të pavlefshëm çdo rast që është duke u shqyrtuar për dëmshpërblim në OKB dhe kërkon nga Paneli që t’i rishqyrtojë vendimet e mëparshme për ranueshmërinë” thuhet në deklaratën e Sylejmanit.
Sipas tij, kjo është përpjekja më e fundit e UNMIK-ut për të bllokuar rrugën drejt drejtësisë. “Vjet UNMIK-u ka ndërhyrë në mënyrë të vazhdueshme për të na penguar në mbajtjen e një dëgjimi publik. Përveç kësaj, ai pastaj i ka fyer familjet duke u ofruar kompensim me kusht që të heqin dorë nga e drejta e tyre për të mbajtur UNMIK-un përgjegjës”, ka thënë Sylejmani.
Pas dështimit për të bllokuar rastin me këto metoda, sipas tij shefi i UNMIK-ut, ka shfrytëzuar pushtetin e tij ekzekutiv për të shpallur një Udhëzim Administrativ, qëllimi i vetëm i të cilit është të bëjë rastin të pavlefshëm.