Pengohemi nga vesi i vjetër, por ëndrra vazhdon
Shqipëria është ndëshkuar në fundin e takimit nga një pakujdesi e mbrojtjes, e cila na hoqi mundësinë e marrjes së tri pikëve
Shqipëri-Norvegji 1-1
Shënues: Rama 41, Hogli 87
Shqipëria: Berisha, Teli, Dallku, Agolli, Bulku (Hysaj 90+1), Rama, Vila (Kaçe 85), Basha, Mavraj, Salihi (Osmani 77), Çani. Trajner: Xhani De Biazi
Norvegjia: Jarstein, Hogli, Reginiussen, Hangeland, Henriksen, Nordveit, El Younoussi (Berisha 46), Ruud, King (Soderling 70), Jensen (Skjelbrend 84), Braten. Trajner: Egil Olsen
Gjyqtarë: Ë. Collum, M. Cryans, Ë. Conquer
Kartonë të verdhë: Ruud, Dallku, Basha
16- Rama jep një top brenda zone, por Salihi nuk gjen dot portën kundërshtare, duke goditur jashtë.
19 – Pas një goditje këndi, Henriksen godet nga jashtë zonë, por jashtë kuadratit.
33- Agollit godet nga 30 metra, topi përfundon jashtë.
41- Shqipëria kalon në avantazh, Rama nxjerr nga arkivi i tij një perlë duke shënuar me të djathtën, 1 me 0
56- Vila merr një top të bukur nga Basha, por goditja nuk është e saktë në drejtim të portës norvegjeze
67 Salihi godet me kokë, por portieri bën mrekullinë duke e prekur dhe përplasur topin në traversë.
71- Vila ekzekuton pas një skeme, por ai gjen vetëm rrjetën e jashtme të portës nordike.
77- Agolli ekzekuton një goditje këndi nga e djatha e sulmit, Basha preket nga një mbrojtës brenda zonë, duke ndikuar te goditja e tij në drejtim të portës.
87 – Pas një krosi nga një goditje këndi, Hogli për norvegjezët shënon duke barazuar shifrat e takimit, 1 me 1.
94- Goditje dënimi, por topi nuk shfrytëzohet siç duhet nga lojtarët tanë
Shqipëria ka barazuar një ndeshje, të cilën duhej ta fitonte, kjo të paktën nga mënyra se si luajti përballë nordikëve. Shpërqendrimi në fundin e takimit na ndëshkoi sërish, duke na rikthyer vesin e vjetër, pikërisht pësimin e golave në fundin e takimit.
Gjithsesi, kjo pikë na mban në vendin e dytë, tashmë të shkëputur një pikë nga Islanda, e cila u mposht në shtëpi nga Sllovenia. Përpara nisjes së takimit, trajneri De Biazi mbledh skuadrën në formën e një rrethi, kjo në shenjë mbështetjeje dhe besimi.
Sfida nis me përplasje të forta në mesin e fushës, ku Norvegjia shfaqet më agresive. Kundërshtarët luajnë një lojë të fortë në 10 minutat e para, ku luftohet fort për topin e parë. Shqipëria është e paqartë në lojë, kjo nga presioni i skuadrës kundërshtare. Gjatë minutave të para, kombëtarja hasi vështirësi nga krahu i majtë i mbrojtjes, ku u depërtuan disa topa të rrezikshëm brenda zonës së Berishës.
Por skuadra jonë funksionon mjaft mirë nga krahu i majtë i mesfushës me Ramën, i cili shfaqet i rrezikshëm, duke krijuar hapësira për lojtarët e tjerë. Në minutat e para, skuadra kërkoi të depërtojë nga krahët, por pa rezultat. Në minutën e 16, Rama jep një top brenda zone, por Salihi nuk gjen dot portën kundërshtare. Basha godet nga jashtë zonë, por pret Jarsten. Pas tri minutash, pas një goditje këndi, Henriksen godet nga jashtë zonë, por jashtë kuadratit.
Edhe Shqipëria godet nga jashtë zonë në minutën e 33-të me anë të Agollit, ku nga 30 metra topi përfundon jashtë. Janë minuta që karakterizohen nga një lojë shumë e fortë fizike. Norvegjia shfaqet e rrezikshme nga krahët, ku tregohet shumë e rrezikshme nga krahët. Por, kur pritej që skuadrat të shkonin në paqe në dhomat e zhveshjes, Rama nxjerr nga arkivi i tij një perlë për Shqipërinë.
Pas një inkursioni nga krahu i majtë, mesfushori shmang bukur një mbrojtës dhe me të djathtën shënon një gol të jashtëzakonshëm, duke mposhtur portierin nordik dhe duke bërë që stadiumi të shpërthente nga entuziazmi. Minuta e 41-të dhe 1 me 0 për Shqipërinë. Minutat e fundit e tërheqin Shqipërinë në zonën e saj, duke kontrolluar avantazhin. Arbitri skocez akordon tre minuta shtesë, të cilat nuk sjellin asgjë përsa i përket ndryshimit të rezultatit.
Pjesa e dytë
Pjesa e dytë nis me ofensivën e miqve, të cilët ngulmojnë nga krahu i djathtë. Nga ky krah krosohen dy topa të rrezikshëm, por pa pasoja për skuadrën tonë. Janë minuta që flasin për skuadrën nordike. Pas një krosi nga krahu i djathtë, Hogli godet nga jashtë zonë, por topi përfundon rrezikshëm në kokën e Mavrajt, i cili e largon jashtë zonë. Pas një kundërsulmi, Shqipëria shfaqet rrezikshëm.
Vila në të 56-ën merr një top të bukur nga Basha, por goditja nuk është e saktë në drejtim të portës. Pas këtij rasti, Norvegjia shfaqet sërish rrezikshëm nga krahët, por krosimet në zonën tonë devijohen pa problem nga mbrojtja. Janë minuta që nordikët kërkojnë barazimin dhe Shqipëria mbrohet mirë, por pa u tërhequr në zonën e saj.
Në të 67-ën vjen rasti i parë në pjesën e dytë nga një goditje me kokë e Salihit, por portieri bën mrekullinë duke e prekur dhe përplasur topin në traversë. Pas dy minutash, pikërisht në të 71-ën, një skemë e jashtëzakonshme për skuadrën tonë, ku pas një goditje dënimi, Vila nuk shënjestron si duhet portën kundërshtare.
Basha jep një top të lehtë në zonë për Salihin, i cili e kthen pas për Agollin, i cili e pason te Vila, por ky i fundit gjen vetëm rrjetën e jashtme të portës nordike. Në të 77-ën, Agolli ekzekuton një goditje këndi nga e djathta e sulmit, Basha preket nga një mbrojtës brenda zonë, duke ndikuar te goditja e tij në drejtim të portës, top i cili nxirret nga zona nga mbrojtësi nordik. Në minutat në vijim, kuqezinjtë nuk paraqesin lojë të mirë, duke lëshuar në lojën e saj.
Kjo i dha mundësi kundërshtarëve që të luanin një lojë sulmuese të theksuar. Pikërisht në minutat e fundit do të shfaqet dhe sëmundja jonë e përhershme, pësimi i golit në fundin e takimit. Pas një krosi nga një goditje këndi, Hogli për norvegjezët shënon duke barazuar shifrat e takimit dhe duke shtangur një stadium të tërë.
Minuta e 87-të dhe 1 me 1. Në minutat në vijim, lojtarët e kombëtares zgjohen, duke ushtruar presion në fushën kundërshtare. I sapo futuri në lojë, Kaçe krijon rrezik me depërtimet e tij, duke krijuar rrezik në portën kundërshtare. Në minutën e katërt shtesë, Kaçe ekzekuton një goditje dënimi, e cila nuk shfrytëzohet siç duhet nga lojtarët ne zonën e rreptësisë.
Më rezultatin 1 me 1 do të përfundonte dhe ndeshja midis kuqezinjve dhe nordikëve. Rezultati përfundimtar nuk kënaqi skuadrën tonë, pasi goli i barazimit u pësua tre minuta para fundit, por nga ana tjetër ky rezultat mund të konsiderohet shumë i mirë për renditjen në grup dhe perspektivën në ndeshjet e ardhshme.
