E Diel, 1 Nëntor 2026

Pengu: Tortura me shkop te "komisariati" i Aldo Bares

 

Armand Bajrami

Adem Arapi nuk gjente fjalë dje për të përshkruar torturat çnjerëzore që ka përjetuar në vitin 1998, kur u mor peng nga anëtarët e "bandës së Lushnjës". I thirrur si dëshmitar në procesin gjyqësor në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të kësaj bande, Arapi rrëfeu tmerrin e përjetuar gjatë momenteve të qëndrimit në "bazën" e tyre në qytetin e Lushnjës. "Formalitetet" nga banda ishin bërë për të vetmin qëllim, zbulimin e vendndodhjes së Gramoz Selmanit, shokun e ngushtë të Artur Dajës, me të cilin dëshmitari kishte lidhje krushqie. Bishti i një beli, shkelmat dhe çfarë të mundnin tjetër ishin lëshuar mbi të, ndërsa qëndronte me duar të prangosura në ambientet e garazhit të Aldo Bares, të njohur në qytetin e Lushnjës në atë kohë si "Komisariati nr.2". Por, ndërsa ishte hedhur pa ndjenja në një përrua, "terrori" nuk kishte mbaruar me aq për të dhe familjen e tij. Në ditët në vijim bashkëshortja e tij thirrej nga kreu i bandës, Aldo Bare, për të dhënë shpjegime në lidhje me vendndodhjen e Gramoz Selmanit, të cilin banda kërkonte të eliminonte. Në vetëm pak minuta dëshmi, togat e zeza të Krimeve të Rënda administruan dje thëniet e njërit prej viktimave të mbijetuara të "bandës së Lushnjës". 
DËSHMIA
Dëshmitari tha dje se kishin qenë Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu, të dy të pandehur në proces, ata që e kishin dërguar te garazhi ngjitur me Komisariatin e Policisë. "Në vitin 1998, nuk e kujtoj periudhën, më thërret Arben Boriçi së bashku me Ilir Stërgun, tek Xhamllëku. Unë po dilja nga shtëpia. Ata ishin nisur për te shtëpia ime. Më thanë 'hajde me ne'. Më hipën në makinë. Ishte një makinë pa targa, veturë, llojin nuk e mbaj mend. Më çuan tek një garazh afër policisë. Aty më lidhën dhe më torturuan në një mënyrë që nuk di ç'të them. Nuk di si ta përshkruaj. Më kishin lidhur duart me pranga nga pas. Ishte Arben Boriçi, Ilir Stërgu dhe ai që ishte njëshi i torturës, që nuk jeton më Leonard Prifti. Kishte edhe persona të tjerë aty, por unë nuk i njihja. Më goditën me një bisht beli dhe me shkelma. Më kërkonin se ku ndodhej Gramoz Selmani, se ai ishte kunati i motrës sime. Unë thosha që nuk di gjë dhe në të vërtetë nuk dija. Më torturonin jashtë mase. Në tortura ka qenë edhe Ledi Nurçe. Pastaj më patën hedhur pa ndjenja në një përrua. Nuk mbaj mend se cili më ka shpënë në spital dhe madje as sot nuk e di. Por edhe aty qëndrova shumë pak ditë, pasi mjekët kishin frikë të më mbanin. Më pas mjekohesha në shtëpi. Ushtarët e bandës vinin te shtëpia. Vinin Leonard Prifti e Ledi Nurçe dhe më pyesnin për Gramoz Selmanin. Vinin të armatosur me pistoleta në duar. Unë ndenja dy muaj shtruar, për shkak të plagëve të rënda që kisha marrë. "Ushtarët" e bandës vinin te shtëpia një ditë po një ditë jo. Gjithmonë interesoheshin për Gramoz Selmanin. Dërgoheshin nga drejtuesi i tyre, Fredi Shkurti (Aldo Bare). Pastaj merrnin dhe pyesnin bashkëshorten time që nuk jeton më tani, Kujtime Arapi. Ajo më thoshte që "mirë ti, po do të gjej edhe unë belanë". Një ditë po, një ditë jo e thërrisnin dhe e pyesnin te garazhi. Nuk mund të kundërshtonim dot. Unë nuk e njihja Aldo Baren, se nuk kisha pasur të bëja me të, ndërsa bashkëshortja ime njihej, pasi kishin punuar bashkë në fabrikë. Garazhi për të cilin po flisja më lart ishte afër komisariatit të policisë, ngjitur me të", tha dëshmitari.

"Na morën Karavastanë për 60 mijë lekë"
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda administroi dje deklarimet e Alfred Gjonit, një ish-peshkatari në ndërmarrjen e peshkimit të Karavastasë, gjatë kohës kur ajo kaloi në duart e Aldo Bares. Ndonëse ishte thirrur si dëshmitar në proces, për shkak të qëndrimit të tij jashtë vendit, gjykata pranoi kërkesën e organit të akuzës për leximin e deklarimeve të dhëna nga Gjoni në polici tre vjet më parë. Referuar deklarimit, Gjoni ishte një nga ish-aksionerët e Lagunës, të cilët u detyruan të firmosin një dokument, të cilit nuk ia dinin përmbajtjen, duke firmosur në këtë mënyrë kontratën e shitjes së aksioneve Aldo Bares. Në këmbim të firmës atyre u ishin dhënë në dorë 60 mijë lekë të reja dhe që prej atij momenti, nga aksionerë ata ishin punonjës të thjeshtë në Lagunë. "Në pranverën e vitit 1999, teksa ishim në Lagunë, na thirrën dy presona të panjohur. Na thanë 'hajdeni të firmosni tek zyra'. U thamë që të ndërroheshim, por dy persona thanë të shkonim ashtu siç ishim, pa u ndërruar. Firmosa ca dokumente të cilat nuk i lexova. Na dhanë nga 60 mijë lekë të reja", lexoi dje nga deklarimet e Gjonit njëri nga prokurorët e çështjes. Ndërsa i pyetur nëse ishte i kënaqur me shitjen, Gjoni kishte pohuar se, "nuk jam i kënaqur me shitjen, por nuk kisha ç'të bëja, isha i detyruar". a.b

"Firmosëm ruajtjen, shitëm Lagunën"
TIRANE - Pas vitit 1990, në ndërmarrjen e peshkimit në Lagunën e Karavastasë që funksiononte në formën e një kooperative, Naun Prendi kishte aksione me vlerë 4 milionë lekë, ndërsa në vitin 1999 ai i shiti ato tek Aldo Bare për 60 mijë lekë. Deklarimet e dhëna në polici në vitin 2006 nga Prendi, ish-peshkatar në Lagunë, aktualisht me qëndrim jashtë vendit, u lexuan dhe u administruan dje nga Gjykata për Krimet e Rënda. "Në shkurt të '99-ës erdhën disa persona të armatosur që na u prezantuan si ruajtësit e kënetës. Ata kontrollonin peshkatarët. Nuk lejonin persona të tjerë të vinin të gjuanin në Lagunë. Ata rrinin veshur me të zeza dhe kishin makina e armë. Një ditë unë me një kolegun tim ishim tek vendi që quhej 'tek Rezi', kur disa nga këta persona na thirrën. Na thanë 'shkoni merrni lekët, se të gjithë i kanë marrë, vetëm ju jo'. Shkuam te zyra e llogarisë. Firmosëm në fund të një dokumenti. Kur firmosa njëri nga personat mbante dorën mbi dokument për të mos më lejuar të shikoja se çfarë ishte. Kur kolegu im i pyeti se çfarë ishin ato, njëri nga ata personat i tha: 'Shiko punën tënde dhe merr lekët'. Mora 600 mijë lekë të vjetra", kishte pohuar Prendi përpara oficerëve të policisë gjyqësore tre vjet më parë. a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›