Vdes i burgosuri, dyshime për overdozën dhe dënimin
Fatos Mahmutaj
Vdes në qeli i arrestuari për shpërndarje droge. Drini Hajdaraj humbi jetën në qelitë e burgut të Rrogozhinës vetëm dy javë pasi prokuroria kërkoi ndaj tij dënimin me 8 vite burg. Ngjarja ndodhi në qelitë e burgut të Rrogozhinës, mesnatën e djeshme, kur i paraburgosuri Drini Hajdaraj ka pësuar infarkt si pasojë e depresionit në të cilin kishte rënë, pasi organi i akuzës kërkoi dënimin me 8 vjet burg ndaj tij. Ndërkohë një tjetër variant i hetimit është ai për një mbidozë të mundshme me lëndë narkotike brenda në burg, që ka shkaktuar vdekjen. Burime nga burgu thanë se rreth orës 23:00 të mbrëmjes të së enjtes i paraburgosuri kishte pësuar goditjen e parë në zemër dhe ishte ankuar për dhimbje të forta. Shokët e qelisë të alarmuar kanë njoftuar gardianët, të cilët më pas kanë dhënë sinjalin për autoritetet e burgut. Brenda pak minutash është bërë e mundur nxjerrja e tij nga qelia dhe hipja në një autoambulancë burgu për t'u transportuar drejt Spitalit të Burgjeve në Tiranë, por gjithçka ka qenë e kotë. I paraburgosuri ka dhënë shpirt ende pa kaluar portën e burgut. Burime nga ky institucion pohuan se dy javë më parë Prokuroria kishte paraqitur pretencën në gjykatën e Fierit në ngarkim të Drini Hajdarajt dhe tre të bashkakuzuarve me të: Ardjan Hate, Artur Gropa dhe Simon Xoxi, duke kërkuar nga tetë vite burg për secilin nën akuzën e "prodhimit dhe shitjes së narkotikëve". Referuar burimeve zyrtare nga gjykata e Fierit, ku po gjykohen katër të akuzuarit, organi i Prokurorisë e ka paraqitur pretencën më datë 9 shtator. Pas tetë ditësh avokatët dhe vetë të pandehurit paraqitën para gjykatës mbrojtjen, ndërsa ishte caktuar që më datë 1 tetor trupi gjykues të shpallte vendimin. Pikërisht pas kësaj, gjendja psikologjike e të paraburgosurit është paraqitur tepër e rënduar, pasi ai pretendonte se ishte i pafajshëm, nisur edhe nga fakti se sasia e narkotikut që u ishte kapur atyre në momentin e arrestimit më 7 prill të vitit të kaluar ishte vetëm 11 gramë heroinë. Gjatë gjykimit në gjykatën e Fierit në ngarkim të katër të pandehurve janë zhvilluar 29 seanca gjyqësore, ndërsa e 30-a është ajo në të cilën do të shpallet vendimi. Tashmë sipas ligjit pritet që në seancën e datës 1 tetor gjykata të vendosë pushimin e akuzës për 53-vjeçarin, për shkak të vdekjes së tij në qeli, ndërsa për tre të bashkakuzuarit pritet të jepen vendime fajësie ose pafajësie. Burime nga çështja pohojnë se arrestimi i katër të akuzuarve është kryer më datë 7 prill të vitit të kaluar, pasi dyshoheshin të ishin pjesë e një rrjeti shpërndarësish narkotikësh në zonën Fier-Patos. Pas kontrollit të banesës së njërit prej të akuzuarve u gjetën 10.8 gramë lënë narkotike heroinë, ndërsa policia bëri lidhjen se midis katër të akuzuarve ekzistonte bashkëpunim në posedim narkotikësh. Atëherë policia pohoi se kapja e katër të akuzuarve: Ardian Hate, 40 vjeç dhe Simon Xoxi, 34 vjeç, banorë të qytetit të Fierit si dhe Artur Gropës, 35 vjeç dhe Drini Hadaraj, 52 vjeç nga Patosi, ishte pasojë e aksionit të nisur prej dy javësh që kishte konsistuar në vëzhgimin e tyre. Tri ditë më vonë ndaj tyre u vendos masa e sigurisë "burg pa afat", ndërsa u ngrit akuza e "përdorim dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim". Burime nga procesi pohojnë se sipas ligjit, minimumi i dënimit për këtë vepër penale është 7 vjet burg dhe maksimumi 15 vjet burg, ndërsa përfaqësuesi i akuzës kërkoi dënimin me nga 8 vjet për secilin prej të pandehurve. Kjo ka bërë që të katër të akuzuarit për këtë çështje të përjetonin me ngarkesë psikologjike ditët e fundit e kaluara në qelitë e Rrogozhinës. Ndërsa burime nga burgu pohojnë se gjatë një viti e gjysmë qëndrimi në qeli, Hajdaraj s’ka vuajtur nga ndonjë sëmundje tjetër si dhe s’është ankuar nga probleme shëndetësore.
Babai: Mungesa e drejtësisë lëndoi djalin tim
PATOS - Vdekja e papritur e të paraburgosurit Drini Hajdaraj në burgun e Rogozhinës ka sjellë indinjatën e familjarëve të tij. Sipas babait të Hajdarajt , Mustafait, i biri qëndronte pafajësisht në qeli prej një viti e gjysmë, ndërsa pas pak ditësh pritej vendimi gjyqësor në ngarkim të tij. Babai i ish-çiklistit Drini Hajdaraj gjatë një prononcimi për "Panorama" shkon edhe më larg, duke fajësuar për vdekjen e papritur të të birit, shtetin shqiptar. Ai tregon se Drini ishte prangosur pa të drejtë, i akuzuar për shpërndarje narkotikësh, ndërsa kishte qenë më nënën e vet në spital. Ky veprim i policisë, sipas Mustafait u dhjetëfishua nga organet e drejtësisë, të cilët e mbajtën djalin në qeli pa siguruar asnjë provë implikuese. "Nuk i kemi shtetit asnjë borxh. E arrestuan djalin pa faj dhe e mbajtën mbyllur derisa i hëngrën shpirtin. E dija që do t'i ndodhte diçka e keqe në rast se nuk do të dilte nga ajo birucë. Ai po e vuante shpirtërisht dhe kjo e fundosi shëndetin e tij", tha Mustafa Hajdëraj, duke treguar se tyë birin ia kishin arrestuar ndërsa po përcillte të ëmën në spital. ma.ra.