E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, pedagogët letër studentëve: Nuk do t'iu regjistrojmë

 

VLORE - Universiteti i Vlorës vijon t'i thotë "jo" regjistrimit të 400 studentëve, të cilët rezultojnë fitues por mesataren e shkollës së mesme e kanë poshtë notës 6. Ky fakt bëhet i ditur në një letër të hapur të pedagogëve të Universitetit "Ismail Qemali", drejtuar pretendentëve për studentë. Në këtë letër nuk ka munguar as ironia për ta. "Të dashur prindër dhe studentë me mesatare poshtë notës 6"! Ju bëjmë me dije, për t'u ndihmuar, se fëmijët tuaj me mesatare poshtë notës 6, nuk do të regjistrohen në UV! Për momentin, zgjidhja më e mirë është që të qëndroni larg dyerve të UV-së! Ju nuk jeni të regjistruar për ne! Çdo regjistrim tjetër është fiktiv. Përdorimi i dhunës apo forcës prej jush, siç bëtë herën e parë, është akoma një argument tjetër për mosqenien tuaj "Student"', thuhet në letrën e hapur të pedagogëve. Reagimi zyrtar i tyre, i cili duket se ka marrë edhe miratimin e rektorit Shaska, i cili ka qenë i pari që ka mohuar uljen e maturantëve në auditoret e Universitetit të Vlorës, ka zhgënjyer studentët. Ata presin prej ditësh para dyerve të universitetit, me shpresën se urdhri i Ministrit të sapoemëruar të Arsimit, Myqerem Tafaj, do të hyjë në fuqi. Por duket se universiteti do të këmbëngulë që në universitetin e saj të regjistrojë vetëm maturantët me nota të larta. "Nëqoftëse do të ndodhë ndonjë "Deutchecs et machines'' atëherë me ju do të organizohet një provim në matematikë me ushtrime dhe problema të klasës së katërt fillore dhe do t'ia japim për t'i korrigjuar mësueses së matematikës znj. Elida Hoxha, Drejtoreshë e Arsimit të Lartë në MASH. Ne do ti bëjmë publike këto rezultate që opinioni dhe populli të njihet se çfarë specialistësh kërkon shteti ynë", përfundon letra e hapur e pedagogëve të UV-së.                                      q.b.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›