Universitetet, shpallen listat përfundimtare
zirina llambro
Shpallen listat përfundimtare të fituesve në shkollat e larta. Pas spostimit të preferencave të fituesve mbi bazën e kuotave bosh, renditja e re u jep një tjetër mundësi kandidatëve. Ata që kanë pasur pikët e nevojshme kanë fituar një degë më të mirë. Gazeta publikon emrat e fituesve në degët më të kërkuara të Universitetit të Tiranës dhe atij Politeknik. Në këto lista, përveç fituesve të fazës së parë, të cilët kanë ndryshuar preferencat, janë shtuar edhe emra të tjerë fituesish, të cilët publikohen për herë të parë. Këta të fundit janë vendosur sipas kuotave të mbetura bosh për 215 programet e studimeve të larta që do të ofrohen në fakultetet publike për këtë vit akademik. Sot pritet që Ministria e Arsimit të shpallë afatet që do t’u lihen maturantëve për të kryer procesin e regjistrimit. Në rast se një gjë e tillë nuk do të bëhet, atëherë kandidatët humbasin përfundimisht të drejtën e studimeve të larta për 2009-2010-n. “Kandidatët që kanë ndryshuar në renditjen e preferencave, domosdoshmërisht duhet të çregjistrohen, në të kundërt rrezikojnë ndjekjen e studimeve të larta. Kështu, nëse një maturant gjatë fazës së parë ka fituar në preferencën e pestë dhe pas rishpërndarjes së re (në të cilën është bërë plotësimi i kuotave të mbetura bosh nga regjistrimet paraprake) rezulton të jetë fitues në preferencën e tretë, më parë duhet të bëjë çregjistrimin në degën ku është regjistruar në fazën e parë. Vetëm pas kësaj, ai mund të shkojë për t’u regjistruar në preferencën e tretë, që është përzgjedhja më e lartë e këtij kandidati në formularin A-2”, thuhet në udhëzimin e MASH. Për të bërë çregjistrimin, kandidatët duhet të paraqiten vetë dhe të marrin pranë sekretarive përkatëse dosjen me dokumentet e duhura, të cilën më pas do ta çojnë për procedurat e regjistrimit në preferencën më të lartë. Ndërsa kandidatët që gjatë dy fazave të regjistrimit kanë rezultuar fitues në të njëjtat preferenca, nuk e kanë të nevojshme të bëjnë riregji-strimin”. Nëse edhe pas fazës së dytë të regjistrimeve do të rezultojnë sërish vende të parealizuara, atëherë do të hapet një fazë e tretë pranimi gjatë dy javëve të para të muajit tetor, ku kandidatët jofitues në asnjë program do të plotësojnë një formular të tretë preferencash.
LISTA E PLOTE NDODHET NE FORMATIN PDF