E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mali i Ftohtë



Han SHAN

66

Ai, në krye të herës, ndau qiellin nga toka
dhe atje poshtë, mes tyre, la njeriun të jetojë.
Mjegullën vërviti që ne të na ngatërrojë,
pastaj dërgoi erën nga gjumi të na zgjojë.
Kur është me të mirat na jep nder e shend,
veç po të zemërohet telash e skamje mbjell.
Ju që aty poshtë vini rrotull, mor të gjorë,
dijeni se çdo gjë Ai lart e ka në dorë.

47

Në mal, këtu lart, tani bën aq ftohtë!
Ashtu, si kurdoherë, jo vetëm këtë mot.
Me borë përherë mbuluar janë kreshtat e shumta,
ndërsa pylli i errët thith mjegullën pafund.
Deri në qershor as bar këtu nuk mbin,
Vjeshta pa u qasur, gjethet zën e bien.
Ndaj zhgënjimi kaplon shtegtarin e ngratë,
se vështron e vështron, por qiell nuk sheh lart.

46

Ah, po ky vend, ku unë çoj ditët e mia
është tepër larg që të mund t'ua rrëfej.
Atje, dhe kur s'fryn erë, fërgëllon pjergull e egër,
bambutë, dhe pa mjegull, gjithë kohën janë në terr.
Përrenjtëkush i gjarpëron, tej atje, nëpër pllajë?
Përse dyndet aq dendur ngaherë mjegull e bardhë?
Ulur në koliben time, vetëm në drekë-herë,
Unë munda të kuptoj se dielli paskësh lerë.

61

Mes mijëra reve e dhjetra mijëra përrenjve,
këndej, një burrë i plogët e çon jetën e vet;
gjithë ditën ai endet mbi malet e blertë
dhe natën fle në shpi, në mes shkëmbenjve.
Këtu, ikin shpejt pranverë e vjeshtë e parë,
veç mendja është në paqë, pa zhgënjim e andrallë.
Ç'kënaqësi, kur e di se nuk të duhet mbështetje
për të qënë krejt i qetë, si ujtë e lumit në vjeshtë.

Përktheu Pandeli Çina
_____
Poet kinez para shek. IX, i famshëm për poezitë e tij në Kinë e Japoni. Fragmentet e kësaj poeme u shqipëruan sipas versionit anglisht të B.Watson.

26 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›