E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrimtari dhe “tradhtari” i nevojshëm

Jo rrallë mund të gjesh një shkrimtar që të mos jetë pushtuar nga frika e ankthi, vetëm nga ideja se një përkthyes i keq mund ta përmbyste veprën e tij. Por nuk janë të rralla edhe rastet, kur ka mjaftuar një përkthyes i mirë për ta ngritur veprën dh

Astrit LULUSHI

Mendohet se përkthyesit kanë qenë mes njerëzve më të urryer, kjo ndoshta që nga kohët kur sipas legjendës, njerëzit u dënuan me ndarjen e gjuhës për shkak të një kulle, Kullë e Babelit, që ata kishin ngritur.
Jo rrallë mund të gjesh një shkrimtar që të mos jetë pushtuar nga frika e ankthi, vetëm nga ideja se një përkthyes i keq mund ta përmbyste veprën e tij. Por nuk janë të rralla edhe rastet, kur ka mjaftuar një përkthyes i mirë për ta ngritur veprën dhe shkrimtarin në piedestal. Dhe këtë askush nuk e ka shprehur më qartë, sesa fjala e urtë italiane: traduttore, traditore (përkthyes, ti je tradhtar).
Megjithatë, përkthyesi është pranuar si një e keqe e nevojëshme, për faktin se përkthimi është art i interpretimit; poezi e vlerave semantike; është rruga për t’iu afruar me frymëzim brendisë dhe formës, ku njohjuritë e gjëra bëhen shpesh më të rëndësishme sesa zotërimi i gjuhës. (P. Alonso)
Për një përkthyes të tillë, “armik-tradhtar” bën fjalë edhe tregimi “Autobusi i datës 1”, që shkrimtari Faruk Myrtaj e ka përfshirë në librin me tregime “Hijet e virgjëreshave”.
“ǒt’i ketë bërë qeverisë ky plak i gjorë?”, pyet autori. Disa, veçanërisht të rinjtë, ndoshta e kanë të vështirë ta kuptojnë një pytje të tillë dhe aq më tepër përgjigjen e saj, sa më shumë vite kalojnë. Por e vështirë për t’u jetuar e kuptuar ishte gjithë ajo kohë. Prandaj duhet shkrimtari.
Tregimi “Autobusi i datës 1” titullohet kështu jo pa qëllim. Për personazhin Sheraf Veroni, dita e parë e muajit shënon fillimin e fundit të viteve të zymta të kohës së mjerimit të paperceptueshëm; mjerim mpirës, si i ftohti aq i madh, sa nuk ndjehet më. Prandaj duhet shkrimtari; jo për të lundruar përsëri mes copave të akullit, por për t’u zhytur thellë, për të prekur më të vuajturin e për të mxjerrë prej andej atë që mund të shpëtohet.
Në këtë mënyrë, shkrimtari sikur tërheq nga humnera "plakun e gjorë Sheraf", duke e ngritur lart, që njerëzit sot të mos harrojnë e ta njohin. Ngjarja zhvillohet në një qytezë minatorësh, ku “njerëzit ushqehen nga miniera, aty punojnë tërë burrat, derisa dalin në pension ose deri ditën kur pësojnë ndonjë aksident nën tokë”.
Eshtë ky qyteti i vuajtjes, i turpit e perçudnimit. Eshtë Shqipëria e viteve komuniste, vendi industrialo-bujqësor: “Në hyrje dhe në qendër të qytetthit është vendosur i njëjti bust, Busti i Minatorit, dhe... edhe VC-ja publike quhet VC Minatori”. E në këtë qytet jeton Sheraf Veroni, i mbyllur si në shpellën homerike të ruajtur nga Qiklopi i verbuar, e cila kishte vetëm dy dalje: njëra shumë e ngushtë për trupin e tij, dhe tjetra tepër e ndyrë. Dhe Veroni nuk pranoi as njërën, as tjetrën, “…se vetëm një njeri i tillë mund të pranojë me aq përulësi të dalë tri herë në ditë, pas tri vakteve të të ngrënit, për të pastruar VC-të”.
Një punë e tillë e detyruar thyen shpirtin më shumë sesa trupin, njeriu shkatërrohet, i detyruar të prishet. Dhe përsëri, po të mos ishte shkrimtari. “E di ti Shahit këtë njeri që u ka pastruar haletë?!”, pyeti ministrori. “Ky plehra këtu ka përkthyer librat e shkrimtarit të madh...” “S’më ka faj shkrimtari mua”, belbëzoi i trembur Sheraf Veroni. “Shyqyr që ndërhyri ai, që mezi më dhanë këtë punë e mbeta gjallë...” (Myrtaj, po aty)
Nga njëra anë, ky duket se është një tregim mbi përkthyesin e madh Jusuf Vrioni, ndërsa nga ana tjetër është historia e një beteje nga lufta e ftohtë; një histori e dyfishtë e njerëzve si Shahiti dhe ministrori, që u shpëtuan plumbave/vuajtjeve, por dolën nga lufta të plagosur; dhe e njerëzve si Vrioni e të tjerë që, megjithese plumbat/vuajtjet u prekën trupin, ato nuk mundën të thyenin shpirtin e tyre.

Art e galeri

Romani “Qyteti i Ministrave” ështe pathologji letrare e një shteti; fletore shënimesh, dorëshkrimesh, përshkrimesh, tregimesh të ndërthurura, që shkrimtari Faruk Myrtaj, ka mundur të përmbledhë në disa dekada.
Autori flet për qytetin e tij, ashtu si një mjek që e njeh mirë trupin e njeriut e përpiqet të përcaktojë simptomat dhe shkaqet e sëmundjes, shpërfytyrimit a vdekjes. Ai shënon me laps kopjativ vendet, ku duhet të kalojë bisturia: “Qyteti fillon te Burgu dhe Shkolla, e mbaron me Varreza e Çmendinë. Midis këtyre piketave…gjallon jeta e këtij qyteti.”
“Qyteti i Ministrave” është një libër, që i kujton bashkëkohësve se do të ishte mirë të shkruhej më shumë për atë periudhë të jetës askete plot kufizime nën komunizëm, sepse atëherë jo vetëm e sotmja do të ishte ndryshe, por edhe ndjenja mbizotëruese nuk do të ishte zhgënjimi, që i shtyn njerëzit në veprime të dëshpëruara drejt dy rrugëve: fitimit a shkatërrimit.
Titulli i librit “Qyteti i Ministrave” nxit imagjinatën e jetës në “bllok”, por Myrtaj kërkon të mos vonohet në atë, që ka në plan të thotë. Që në kapitullin e parë kuptohet se ai ironizon, duke lënë të kuptohet se vetë libri është sarkazëm ndaj diktaturës, sa mizore dhe e frikshme dje, aq qesharake dhe zhgënjyese sot. “Nuk dimë të kërcejmë me atë lloj muzike... Na Kuptoni?! Ju s’keni faj, por as ne. S’na ka ndodhur kurrë kështu... Ne jemi mësuar me Gazeliun.” (fq.239.)
Megjithëse botuar 10 vjet më parë, “Qyteti i Ministrave” ështe shtet i sotëm, “pak për t’u quajtur qytet e tepër për t’u quajtur fshat, prandaj aty sollën një pjesë të qyetetit, ish-ministrat”; qytet ku pak rëndësi kishte se kush ishte vendas dhe i ardhur, rëndësi kishte “kujtesa” se kush kishte ardhur i pari e përse kishte ardhur; qytet ku njërëzit mendonin se, për të mbetur a mbijetuar, ata duhej të iknin, të braktisnin gjithçka, qoftë edhe emrin.
Në këtë libër, Faruk Myrtaj shpalos intelektin, përfshi njohuritë e tij si inxhinier minierash, duke i vënë në shërbim të artit. Nëse roli i artit është për të zhbiruar të panjohurën e për të zbuluar të padukshmen, thotë Buno Schultz (1892-1942), atëherë artisti është si një aparat për regjistrimin e proceseve në shtresat e thella, ku ndodh formimi i vlerave; në galeritë e jetës apo të minierave. Dhe ajo që Myrtaj zbulon gjatë këtij vëzhgimi të hollë është se qyteti – shteti, që vazhdimisht premton se do të ndryshohet, ka filluar të humbasë fizionominë.

26 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›