E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peniani kërcënon Seulin me luftë, Obama thërret Këshillin e Sigurisë



Acarohen më tej marrëdhëniet ndërmjet dy Koreve, pas incidentit që shkaktoi mbytjen e një anijeje ushtarake të Seulit në ujërat e detit të Verdhë. Koreja e Veriut ka kërcënuar me aksione ushtarake, nëse Jugu do të vazhdojë të shkelë kufirin e ujërave territoriale. Udhëheqësi Kim Jong Il ka dhënë urdhër që trupat ushtarake koreano-veriore të jenë në gatishmëri maksimale për te luftuar nese sulmohen. Urdhëri i tij është transmetuar nga të gjitha mediat lokale, përmes të cilave ka bërë me pas xhiron e botës. Koreja e Veriut në të njëjtën kohë ka lajmëruar se do të ndërpresë raportet me Jugun dhe se nuk do të impenjohet për dialogun që ndërkombëtarët pretendojnë. Ndërkohë SHBA-të kanë mbështetur fuqishëm Korenë e Jugut dhe për këtë arsye presidenti Barak Obama ka mbledhur grupin e tij të sigurisë ndërkombëtare.
Deklarata e Shtëpisë së Bardhë e përshkroi fundosjen e anijes luftarake të Koresë së Jugut, si pjesë e një stili të provokimeve të Koresë së Veriut dhe sfidë ndaj ligjit ndërkombëtar. Ndërkohë që pjesa dërrmuese e konferencës për shtypin u përqendrua nga diskutimet për rrjedhën e naftës në fund të detit, zëdhënësi Gibs ju referua deklaratës së mëparshme dhe udhëtimit të Sekretares së Shtetit, Hilari Klinton në Kinë dhe bisedimet e caktuar mbi Seulin me presidentin Li Myung-bak. Ndërkohë, Pentagoni njoftoi se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut do të zhvillojnë manovra të përbashkëta ushtarake. Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes Brajan Uitman thotë se forcat e Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut së shpejti do të zhvillojnë dy lloj manovrash detare, njëra synon përmirësimin e aftësive të përbashkëta për të zbuluar dhe sprapsur nëndetëset dhe tjetra përqendrohet në trajtimin e kërcënimeve në sipërfaqe nga anijet. Këto nisma janë rezultat i gjetjeve të dala nga incidenti i kohëve të fundit si dhe konsultimeve thuajse konstante me Korenë e Veriut. Zëdhënësi nuk përcaktoi se kur dhe ku do të zhvillohen manovrat, apo sa anije dhe trupa do të përfshihen. Ai tha se sapo ishte marrë vendimi për zhvillimin e manovrave. Javën e kaluar, një hetim ndërkombëtar doli në konkluzionin se Koreja e Veriut përdori një silur për të fundosur anijen luftarake të Koresë së Jugut, Cheonan, në afërsi të ujërave të debatuara ndërmjet dy koreve duke vrarë 46 marinarë. Koreja e Veriut ka hedhur poshtë gjetjet duke thënë se ato janë fabrikime. Koreja e Jugut njoftoi një seri hapash shpagimi të hënën, përfshi dhënien fund të tregtisë dhe shkëmbimeve, dhe ndalimi i anijeve të Penianit për të përdorur ujërat e Koresë së Jugut. Shtëpia e Bardhë shprehu mbështetje për veprimet duke e quajtur mbështetjen amerikane për mbrojtjen e Koresë së Jugut të qartë.

26 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›