E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Shëndetësisë kërkon të njihen diplomat e para viteve 90



Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë që të njoh arsimimin e infermierëve që punojnë
në sektorin publik shëndetësor. Kryetari i këtij Komisioni, njëherësh dhe deputet i maxhorancës, Tritan Shehu, shprehet se pas dëgjimit të ankesave nga Urdhri i Infermierit, ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, që të njohë të gjitha nivelet e kurseve profesionale që kanë qenë të licencuara nga Ministria në periudhën para viteve ’90. Lidhur me deklaratën e ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, për
plotësimin e arsimit të infermierëve përmes shkollave të larta publike e private apo kurseve që mund të kryhen në spitale, kryetari i Komisionit të Shëndetësisë, e cilëson këtë shkelje të Ligjit të Arsimit të Lartë. Për këtë, ai bën të ditur se në datat 19 dhe 20 maj janë zhvilluar dy mbledhje radhazi për çështjen e kualifikimit të infermierëve. “Në adresë të komisionit kishin mbërritur disa ankesa për urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë ndaj ne kërkuam një seancë dëgjimore me përfaqësues nga Urdhri i Infermierit, Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë. Problemi qëndron në atë që aktualisht në vendin tonë punojnë infermierë me forma edukimi të ndryshme, sipas periudhave të formimit të tyre profesional. Në sektorin publik shëndetësor janë të punësuar infermierë që kanë kryer studime të mesme dhe që aktualisht janë në prag të pensionit”, - shprehet Shehu. Sipas këtij të fundit, ka infermierë që kanë kryer studime 1 ose 2-vjeçare pas shkollës së mesme, të realizuara në fillim të viteve ’90 dhe të organizuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë që ka edhe infermierë që kanë përfunduar studimet e larta për këtë profesion. Në këto kushte, Komisioni i Shëndetësisë, pasi dëgjoi mendimet e të ftuarve, i ka sugjeruar Ministrisë së Shëndetësisë që infermierëve të diplomuar me cikle të ndryshme në periudha të
ndryshme kohore në përputhje me legjislacionin e atyre periudhave, të vazhdojnë t’u njihen ato studime si të vlefshme. “Ne kemi tashmë një përvojë me mjekët, për edukimin e vazhdueshëm profesional. Mendojmë se ka ardhur koha që dhe për infermierët të procedohet në këtë mënyrë, që përmes trajnimeve të detyrueshme e krediteve të plotësohet formimi i tyre profesional. Por nuk mund të jemi
dakord me urdhrin e Vasilit, i cili kërkon arsimim shtesë, pasi të konvertosh diplomën e shkollës së mesme në atë të fakultetit me kohë të pjesshme studimi, apo të konvertosh diplomat e lëshuara nga kurset profesionale me diploma universitare përmes studimeve shtesë, është në
kundërshtim me Ligjin e Arsimit të Lartë”, - ka përfunduar kreu i Komisionit të Shëndetësisë.

Politikat shëndetësore, ministri Vasili, takime në Bolonjë

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u takua dje në mesditë në Bolonjë me këshilltarin rajonal për Politikat Shëndetësore, Charles Lusenti. Një delegacion i Ministrisë së Shëndetësisë është duke kryer një vizitë dy ditore në Emilia-Romagna, për të njohur disa tipare kryesore të shërbimit shëndetësor të Emilia-Romagna si dhe për të përcaktuar prioritetet në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të mundshëm për zhvillimin e sistemit shëndetësor shqiptar. Kjo ishte një mundësi për delegacionin shqiptar për të thelluar së bashku me përfaqësues të qarkut të Emilia-Romagna bashkëpunimin në fusha të tilla si: trajnimi i personelit mjekësor, sistemin e menaxhimit administrativ dhe financiar të spitaleve, si dhe atë të urgjencave, dhurimit të gjakut, parandalimin e sëmundjeve.

26 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›