Gjykata dërgon letër-porosinë e tretë për Avdyl Loshajn
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje të nisë letër-porosinë e tretë drejt Holandës për të marrë në pyetje Avdyl Loshaj. Dëshmia e këtij të fundit po mban peng procesin që po zhvillohet prej kohësh në këtë gjykatë. Loshaj është dhe një prej personave që u mbijetoi torturave nga SHIK-u i vitit 1995. Ashtu sikurse ishte vendosur një seancë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda arriti të gjejë adresën e saktë të Loshajt dhe ia dorëzoi atë gjykatës. Sipas prokurorit Xhevat Hana, njeriu që konsiderohet si dëshmitari kryesor për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të tetorit të vitit 1995 gjendet me banim në qytetin e Bradës në Holandë. Adresa është arritur të vërtetohet nga familjarët dhe të afërmit e Loshajt. Sipas akuzës, pyetja e këtij dëshmitari është vendimtare për procesin. Është i vetmi që ka dijeni për personat që e arrestuan dhe më pas e kanë mbajtur të mbyllur në ambientet e Drejtorisë së Policisë. Ndërsa bëhet e ditur se ka dijeni edhe për ish shikasit që morën peng Remzi Hoxhën. Për akuzën Avdyl Loshajt e ka dhënë një herë dëshminë e tij në dhjetor të vitit 2003. Por ky procesverbal nuk mund të përdoret si provë para gjykatës. Nëpërmjet letër-porosisë, gjykata i ka nisur të gjitha pyetjet e formuluara nga akuza dhe mbrojtja për dëshmitarin. Pasi të konfirmohet adresa e Loshajt nga autoritetet holandeze do të caktohet edhe data e marrjes në pyetje. Më pas do të jenë po autoritetet e Drejtësisë së shtetit nordik që në rrugë zyrtare do të nisin përgjigjen për pranimin ose jo për dhënien e dëshmisë nga Loshaj. Letër-porosia do të niset nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë së vendit tonë, e cila do të kalojë më pas nga Ministria e Jashtme. Derisa të arrihet marrja e dëshmisë së Avdyl Loshajt, trupi gjykues është në pritje të marrjes së dëshmisë edhe të dëshmitarëve që ndodhen në Itali. Kjo pritet të realizohet më datë 25 qershor.
26 Maj 2010