E Diel, 1 Nëntor 2026

EMIGRACION, kur një emigrant shqiptar mund të kërkojë shtetësinë italiane



ROMË – Marrja e një shtetësie të huaj nga emigrantët është një procedurë e gjatë dhe e vështirë. Shumë prej shqiptarëve, të cilët kanë vite që jetojnë e punojnë në Itali, nuk janë të qartë se kur duhet ta bëjnë kërkesën e shtetësisë dhe kur u nis numërimi i viteve të qëndrimit që u njihet si kohë qëndrimi. Aplikimi për të marrë pasaportën italiane mund të bëhet kur një emigrant ka qëndruar prej dhjetë vjetësh dhe ka të paktën tetë vite si rezident. Sipas Ligjit Nr. 91 të vitit 1992 për shtetësinë, shtetasit joitalianë mund ta marrin shtetësinë italiane jo vetëm për martesë me një shtetas italian, por edhe për “natyralizim”, sepse janë rezidentë në territorin italian prej të paktën një periudhe minimale të përcaktuar me të njëjtin ligj.
Kategoritë
Marrja e shtetësisë bëhet pas një periudhe të caktuar, që është e ndryshme për kategori të ndryshme të huajsh. Kështu: për shtetas jokomunitarë, koha e qëndrimit duhet jetë të paktën 10-vjeçare; për shtetas komunitarë, koha e qëndrimit duhet jetë të paktën 4 vjet; për refugjatë politikë apo të paatdhe, koha e qëndrimit duhet jetë të paktën 5 vjet; për persona në moshë madhore të adoptuar nga shtetas italianë, të paktën 5 vjet nga data e adoptimit. I huaji, të cilit njëri prej prindërve apo njëri nga paraardhësit (deri te stërgjyshërit) ka lindur në Itali, merr shtetësinë italiane nëse në çastin e mbushjes së moshës 18 vjeç është rezident në Itali prej të paktën dy vjetëve. Në këtë rast, ama, duhet të deklarojë para se të mbushë 19 vjeç që dëshiron të bëhet italian. Ndërsa i huaji i lindur në Itali merr shtetësinë nëse ka qenë rezident, pa ndërprerje, deri në mbushjen e moshës madhore (18 vjeç), por edhe në këtë rast duhet të shprehë, para se të mbushë 19 vjeç, vullnetin për t’u bërë shtetas italian.
Koha e qëndrimit
Konsiderohet legalisht rezident në territorin italian ai që banon aty dhe që ka respektuar gjithnjë normat lidhur me hyrjen dhe qëndrimin në Itali dhe ato të regjistrimit në zyrën e gjendjes civile të komunës. Kjo do të thotë që nuk është e mjaftueshme të ketë pasur lejen e qëndrimit për të gjithë periudhën e përcaktuar si më lart; ligji parashikon shprehimisht që i huaji të jetë rezident, pra i regjistruar në zyrën e gjendjes civile në mënyrë të vazhdueshme për të gjithë periudhën, për të pasur të drejtën e paraqitjes së kërkesës për marrjen e shtetësisë. I interesuari mund të kontrollojë nëse ka apo jo rezidencë të pandërprerë duke kërkuar pranë komunës ku banon certifikatën historike të rezidencës.

Rregullat e reja në ligj
Kategoritë, kush mund të punojë part-time
Ekzistojnë punë që kryhen me raste, pa vazhdueshmëri e sipas nevojës së punëdhënësit (për shembull, guvernante, kamerier) që tashmë disiplinohen nga ligji për “Punën rastësore plotësuese” (Lavoro occasionale accessorio). Për këtë tip pune nuk është e nevojshme të lidhësh kontratë pune dhe pagesa bëhet me “bono pune” pa fletë-pagë (apo e thënë shqip, pa firmë në bordero). Megjithatë, edhe në këtë rast punonjësit i garantohet sigurimi shoqëror qoftë pranë INPS, qoftë pranë INAIL (për fatkeqësitë në punë). Punonjësi, në këto raste, nuk është i detyruar të paguajë taksat mbi fitimet nga puna plotësuese dhe nuk humbet asnjë të drejtë për kompensime të mundshme për sëmundje, papunësi, lindje etj., që mund të marrë nga puna parësore që kryen.
Kush mund të punësojë për punë rastësore
Ata që kanë të drejtë të punësojnë dikë për punë rastësore mund të jenë: familje, shoqata pa qëllim fitimi, ndërmarrje familjare, sipërmarrës, zyra shtetërore (për shembull, për veprimtari sportive, kulturore, bamirësie, panaire, punë urgjente të jashtëzakonshme). Por, një ndërmarrje, për shembull, një kooperativë, nuk mund të rekrutojë dikë për të kryer punë në favor të të tretëve.
Kush mund të kryejë punë të rastësishme
Jo të gjithë mund të kryejnë këtë lloj pune të rastit. Ligji përcakton shprehimisht disa kategori. Ata që mund të kryejnë punën e rastësishme plotësuese janë: 1) pensionistët, 2) nxënësit dhe studentët. Vetëm në periudhat e pushimeve të Vitit të Ri (nga 1 dhjetori deri më 10 janar), pushimeve të Pashkëve (nga i diela e Palmave deri të martën pas Pashkëve), si dhe gjatë pushimeve verore (nga 1 qershori deri më 30 shtator). Mund të kryejnë punë të rastit edhe të shtunën e të dielën në çdo periudhë të vitit.
Studentët (ata që ndjekin shkollën e lartë) mund të kryejnë punë të rastësishme plotësuese kurdoherë. Nxënësit e studentët duhet të jenë nën 25 vjeç (por të paktën 16 vjeç), të regjistruar në universitet ose në një shkollë çfarëdo. Në rastin e nxënësve nën 18 vjeç nevojitet autorizimi me shkrim i prindit apo i kujdestarit që ushtron pushtetin atëror.
Punonjësit part-time
Punonjësit me kontratë pune me kohë të pjesshme mund të kryejnë punë të natyrës rastësore në çdo sektor produktiv, por nuk mund të përdorin bonot e punës pranë punëdhënësit me të cilin kanë nënshkruar kontratën me kohë të pjesshme. Saktësohet që pensionistët, nxënësit e studentët, përfituesit e masave në mbështetje të të ardhurave dhe punonjësit part-time mund të kryejnë punë të natyrës rastësore në çfarëdo sektor produktiv, përfshirë entet lokale.
Shtetasit jokomunitarë
Mund të kryejnë punë rastësore edhe të huajt me leje qëndrimi që u lejon të punojnë, përfshirë edhe leje-qëndrimin për studime, apo leje-qëndrimin për pritje punësimi. Por punët rastësore plotësuese nuk japin të drejtën e lëshimit apo të përtëritjes së lejes së qëndrimit për motive pune.
Kategori të tjera personash që mund të kryejnë këto punë janë të gjithë ata që janë në kërkim të punësimit të parë, atë që përfitojnë kompensimin e reduktuar të papunësisë, ose të papunësisë speciale për bujqësinë, punonjësit e varur në sektorin shtetëror e privat.

Sa duhet të jenë të ardhura për të marrë shtetësinë italiane
Shtetasit e huaj rezidentë në Itali që kërkojnë shtetësinë sipas nenit 9, paragrafi 1, të ligjit 91/1992, pra për natyralizim, përveç kushtit të viteve të rezidencës duhet të plotësojë edhe kushtet minimale të të ardhurave. Edhe pse ligji mbi shtetësinë nuk thotë asgjë mbi të ardhurat, me dekretin e 22 nëntorit 1994, të modifikuar në vitin 2002, ministria e Brendshme ka vendosur që, për të ardhurat që duhet të konsiderohen për njohjen e shtetësisë italiane, duhen marrë si pikë referimi të ardhurat e të interesuarit gjatë tre vjetëve të fundit dhe të deklaruara në mënyrë të rregullt me anë të CUD-it, modelit unik apo 730. Bashkëpunëtorët familjarë që nuk kanë detyrimin të bëjnë deklaratën e të ardhurave mund të dorëzojnë një deklaratë zëvendësuese të CUD-it të përpiluar nga punëdhënësi, që dëshmojë rrogën mujore dhe vjetore bashkë me fotokopjet e kontributeve INPS të derdhura gjatë tre vjetëve të fundit dhe me fotokopjen e dokumentit të identitetit të punëdhënësit. Dhënia e shtetësisë italiane për natyralizim është fryt i një pushteti vetëgjykimor të administratës që, në fakt, shqyrton kapacitetin ekonomik të të interesuarit, ose e thënë me fjalë të tjera, që kërkuesi të ketë mjete të mjaftueshme për të mbajtur veten në mënyrë që të mos rëndojë në kurriz të kolektivitetit. Ministria e Brendshme, për dhënien e shtetësisë, falë pushtetit vetëgjykimor, ka marrë si pikë referimi për të ardhurat, sentencat e shumta të Këshillit të Shtetit; ka vendosur që kërkuesi duhet të ketë të ardhura jo më të ulëta se 8.300 euro, pikërisht kufirin e parashikuar për përjashtimin nga pjesëmarrja në shpenzimet shëndetësore. Në çastin e paraqitjes së kërkesës së shtetësisë duhen bashkëngjitur kopjet e modeleve fiskale dhe të kuponit të dërgesës telematike në Agjencinë e të Ardhurave.
Në rastin kur ai që kërkon shtetësinë nuk përmbush kushtin e kapacitetit ekonomik, me fjalë të tjera nëse i interesuari nuk arrin me të ardhurat e tij shumën 8.300 euro në vit mbahet parasysh edhe kapaciteti ekonomik i të gjithë bërthamës familjare, pra të ardhurat vjetore të secilit pjesëtar të familjes. Në këtë rast kërkesës i bashkëngjiten edhe dokumentet fiskale të familjarëve. Ligji parashikon që shtetësia italiane, në rast se plotësohen të gjitha kushtet, duhet të jepet (apo të mohohet) brenda 735 ditëve nga paraqitja e kërkesës. Është e rëndësishme që prefekturës ku është paraqitur kërkesa t’i nisen çdo vit me postë rekomandè me lajmërim marrjeje, ose të dorëzohen duke shkuar personalisht dokumentet fiskale të përditësuara.

26 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›