Gjuha dhe Letërsia, modeli i testit për profilin natyror dhe shkollat 5-vjeçare
Jonida Tashi
Publikohen modelet e testeve për provimin e parë të detyruar tw Maturës, Gjuhës shqipe dhe Letërsi, për dy profile gjimnazesh. Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve rreth konceptimit të testit të provimit Gjuhë shqipe dhe Letërsi, gazeta boton sot, testin e përdorur vjet për gjimnazin e drejtimit natyror dhe shkollat teknike-profesionale 5-vjeçare. Sipas të njëjtave modele do të hartohen dhe këtë vit testet e provimit të parë më detyrim të Maturës, që do të mbahet në datën 2 qershor. Dje, në mjediset e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) nisi procesi i hartimit të testeve të provimit Gjuhë shqipe dhe Letërsi, për Maturën Shtetërore 2010. Dy përcaktuesit e testeve përfundimtare (PTP) që janë “ngujuar” dje në ambientet e AVA-s janë ndër specialistët më të mirë të kësaj fushe, të përzgjedhur nga Komisioni i Maturës Shtetërore pas seleksionimit të kandidaturave të propozuara nga të gjitha drejtoritë dhe zyrat arsimore. Ministria e Arsimit ka njoftuar zyrtarisht dje se AVA tashmë ka në dispozicion një fond pyetjesh, rreth 20-fish të testit (500 pyetje), të përshkallëzuara sipas nivelit të nxënësve, të përgatitura nga specialistët më të mirë të arsimit. Përcaktuesit e testeve do të hartojnë variantin përfundimtar të testeve të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë. Më tej, grupi i punonjësve teknikë të AVA-s do të realizojë shumëfishimin, paketimin, përgatitjen e barkodeve, përpilimin e listave për çdo mjedis dhe klasë ku do të zhvillohet provimi i detyruar i Maturës Shtetërore. MASH ka përcaktuar edhe afatet kohore për tërheqjen e testeve pranë AVA-s, për shpërndarjen në çdo drejtori dhe zyrë arsimore dhe janë marrë të gjitha masat e sigurisë për shoqërimin e materialeve të provimit drejt destinacionit. Nga dita e djeshme, pjesë e sigurisë është edhe ruajtja e mjediseve të AVA-s nga forcat e Policisë së Shtetit.
26 Maj 2010