Pension invaliditeti, ja kushtet që duhen plotësuar
Kush është në prag të pensionit të invaliditetit duhet të plotësojë disa dokumente të caktuara, përpara se të përfitojë pensionin. Sipas rregullores së re të ISSH-së, personat që janë në prag pleqërie duhet të plotësojnë një vit përpara kërkesën për të dalë në pension. Së bashku me formularin, ata duhet të dorëzojnë dhe disa dokumente të tjerë si certifikatat e gjendjes civile: të lindjes, familjare, të martesës, fletë-drejtimi për në KMCAP, epikriza dhe dokumentet mjekësore, sipas diagnozës për të cilën kërkohet pension invaliditeti. Të gjitha këto dokumente së bashku më kërkesën duhet të dorëzohen tek inspektori pritës i Agjencisë lokale të Sigurimeve Shoqërore. Më pas do të jetë mjeku i ekspertizës mjekësore, i cili do të kalojë në skanerin e tij të gjithë dokumentet e dorëzuara dhe vendos për bazueshmërinë ligjore dhe shkakun nëse është aksident në punë, sëmundje profesionale apo sëmundje e përgjithshme. Mjeku i ekspertizës pasi bën të gjitha verifikimet, cakton datën e paraqitjes për në KMCAP ose përgatit shkresën zyrtare, nëse personi nuk plotëson kushtet për pension invaliditeti.
Kërkesa për pension invaliditeti (për herë të parë).Dokumentacioni dhe procedurat administrative
1. Pensionet e invaliditetit të të gjitha llojeve që parashikon ligji nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, caktohen në bazë të kërkesës me shkrim, sipas formularit tip bashkëlidhur dhe dokumenteve të përcaktuara në këtë Rregullore.
2. Kërkesa për pension plotësohet në ALSSH nga vetë personi, në prani të pritësit, në tri kopje, nga të cilat kopja e parë shoqëron dosjen, kopja e dytë i jepet personit dhe kopja e tretë ngelet në ALSSH, duke u ruajtur për një periudhë kohe deri në një vit. Fletë kërkesa në këtë moment shërben edhe si fletë inventari e dokumenteve që dorëzohen.
3. Kërkesa, së bashku me dokumentet, paraqiten në ALSSH-në e vendbanimit, sipas gjendjes civile të personit, që kërkon të dalë në pension invaliditeti.
4. Inspektori pritës i ALSSH-së është i detyruar dhe mban përgjegjësi për: - pajisjen me formularin tip të dokumenteve për pension invaliditeti (bashkëlidhur kësaj rregulloreje); - pajisjen me listën e dokumenteve mjekësore, e cila është e veçantë sipas diagnozës për të cilën pretendohet pension invaliditeti;
- informimin dhe sqarimin e të interesuarit se kur i lind e drejta për pension, si dhe procedurën që do të ndiqet me dokumentet për pension; - kontrollin nëse dokumentet e paraqitura për pension invaliditeti janë të plota, nga ana formale të plotësuara në të gjitha rubrikat, nëse kanë ose jo korrigjime, të meta, mangësi etj., nëse janë të regjistruara të gjithë dokumentet në kërkesë, janë të gjitha dokumentet mjekësore sipas diagnozës për të cilën kërkohet pension invaliditeti; - sqarimin e të interesuarit, kur dokumentet kanë të meta apo kur dokumentet nuk janë të plota.
5. Procedura e pranimit dhe regjistrimit të kërkesës për pension invaliditeti nuk fillon nëse nuk paraqiten dokumentet përjashtuese, të cilat janë certifikatat e gjendjes civile: të lindjes, familjare, të martesës, fletë-drejtimi për në KMCAP, epikriza dhe dokumentet mjekësore, sipas diagnozës për të cilën kërkohet pension invaliditeti.
6. Inspektori pritës, përveç sa u parashikua më sipër, është i detyruar dhe mban përgjegjësi për respektimin e të gjitha procedurave të caktuara për inspektorin pritës në pikën I. A.b “Kërkesa për pension pleqërie”.
7. Inspektori pritës dorëzon në fund të ditës dokumentet për pension invaliditeti te Përgjegjësi i ALSSH, i cili kontrollon procedurat, regjistron kërkesën në regjistrin e kërkesave për pension dhe me postë ose protokoll, i dërgon në DRSSH brenda ditës kur ALSSH-ja ka selinë në DRSSH ose një herë në javë për ALSSH-të e tjera.
8. Në DRSSH, pas protokollimit, Drejtori i DRSSH-së i adreson dokumentet te Kryetari i Degës së Përfitimeve. Ky i fundit i kalon dokumentet tek inspektori përpunues, ndërsa dokumentet mjekësore te mjeku i ekspertizës.
10. Mjeku i ekspertizës mjekësore shprehet me shkrim për bazueshmërinë ligjore dhe shkakun nëse është aksident në punë, sëmundje profesionale apo sëmundje e përgjithshme, nëpërmjet formularit tip (bashkëlidhur). Mjeku i ekspertizës bën të gjitha verifikimet që nevojiten për dokumentacionin mjekësor, ballafaqon fletë-drejtimin me kartelën klinike të shtrimit apo shërbimit ambulator, cakton datën e paraqitjes për në KMCAP ose përgatit shkresën zyrtare, nëse personi nuk plotëson kushtet për pension invaliditeti.
11. Dosja i dorëzohet Kryetarit të Degës së Përfitimeve, brenda 5 ditëve kalendarike nga dita e marrjes në dorëzim.
12. Kryetari i Degës së Përfitimeve i paraqet për firmë Drejtorit të DRSSH-së shkresën për ALSSH, sipas rastit, për të njoftuar kërkuesin për datën e paraqitjes për në KMCAP ose për refuzimin e kërkesës për pension invaliditeti.
13. Përgjegjësi i ALSSH-së dërgon me postë shkresat dhe afishon datat e paraqitjes në KMCAP.