Qeveria, ligj për privatizimin e përmbarimit
Qeveria depoziton në Kuvend projektligjin “Për privatizimin e shërbimit Përmbarimor gjyqësor në vend”. Vendimi i qeverisë parashikon licencimin e shërbimit përmbarimor privat, duke bërë që për çështjet e ndryshme për mos pagim kredie apo për detyrime të tjera të mos merret vetëm shteti. Në bazë të nenit 7 të këtij p/ligji parashikohet se “përmbaruesi gjyqësor privat ose shoqëritë përmbaruese private ushtrojnë funksionet e tyre procedurale përmbarimore në të gjithë territorin e vendit”. Ndërsa është përcaktuar se përmbaruesi privat nuk mund të ushtrojë funksione publike, të praktikojë profesionin e noterit, avokatit, ose çdo profesion tjetër, i cili është i papajtueshëm me ushtrimin e paanshëm të profesionit të tij. Shoqëritë Përmbaruese Private duhet të kenë si objekt të veprimtarisë së tyre tregtare vetëm ekzekutimin e titujve ekzekutivë. Ministri i Drejtësisë është autoriteti shtetëror, i cili jep licencën e personave, që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre si përmbarues gjyqësorë privatë. Asnjë person nuk e merr këtë licencë, nëse ministri nuk e lëshon atë. Ndërsa kushtet për t’u pajisur me këtë licencë janë: të jetë shtetas shqiptar; të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të ketë arsim të lartë juridik; të ketë eksperiencë pune 3 vjet si jurist; të ketë kaluar me sukses provimin e kualifikimit si përmbarues gjyqësor privat; si dhe të mos jetë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë. Ndërsa provimi i kualifikimit parashikohet se do të realizohet përpara një komisioni të caktuar nga ministri i Drejtësisë. Në relacionin e qeverisë theksohet se kanë qenë problemet e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore dhe kohëzgjatja e realizmit të procedurës kanë shtruar si nevojë kryerjen e reformave në këtë institucion, me qëllim përmirësimin e këtij sistemi, duke shkuar drejt liberalizmit.