E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet 2009, kriteret për mësuesit dhe pedagogët

Autori i Lajmit: red.
Për të përfituar pension të plotë për vitin 2008-2009 mësuesit dhe pedagogët duhet të plotësojë disa kushte. Së pari, kërkohet kriteri i moshës (52 vjeç për femra/ 62 vjeç për meshkuj), të kenë 35 vite punë dhe të ketë 26 vite pune të siguruara në arsim. Sipas specialistit për problemet sociale në Akademinë e Shkencave, Fadil Kepi, në rastet kur nuk plotësohen këto tri kushte deri më 30 qershor 2009, mësuesit e pedagogët do të përfitojnë pension më vonë se fundi i qershorit të vitit që vjen. Po sipas tij, edhe në të ardhmen, gradualisht në çdo datë l korrik, moshat e daljes në pension të mësuesve dhe pedagogëve, do të shtohen me 6 muaj. Por nga data 1 janar 2013 e në vazhdim mësueset femra do të dalin ne pension të plotë 60 vjeç dhe meshkujt 65 vjeç kur kanë 35 vjet punë gjithsej të siguruara, pavarësisht se ku kanë punuar. Sipas Kepit, koha e studimeve të larta ditën, llogaritet një vit shkollor e barabartë me një vit punë. Gjithashtu, në kohë pune gjithsej për efekte pensioni, përfshihet edhe koha e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak për meshkujt, duke e dokumentuar me vërtetim nga dega ushtarake, periudha e invaliditetit të pjesshëm ose të plotë, sipas nenit 58 të ligjit të sigurimeve shoqërore, pavarësisht nga gjinia, periudhat e lejeve të zakonshme, raporteve mjekësore të pagueshme, për paaftësi të përkohshme në punë, të lejeve të barrëlindjes, periudha e papunësisë ose e asistencës, etj. Në punët në arsim për pension, përfshihen periudhat e punuara: edukatore në kopshtet e fëmijëve, mësuese dhe mësues në shkollat e ciklit të ulët, 7-, 8- e 9-vjeçare, të mesme të përgjithshme e profesionale, drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave dhe të konvikteve, kur kanë dhënë mësim në klasa, pedagogë në Universitete apo shkolla të tjera të larta, pavarësisht nëse kanë ose jo grada shkencore, etj. Kepi thekson se dokumentet që duhen përgatitur për të dalë në pension janë: Libreza e punës e plotësuar deri ditën e fundit, që është paguar me rrogë; Libreza ushtarake për meshkujt që kanë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak; Certifikatë personale me fotografi dhe certifikatë e gjendjes familjare; Vërtetim i pagës nga 1 janari i vitit 1994, deri ditën e ndërprerjes së marrëdhenieve financiare; Kopja e noterizuar e diplomes të shkollës së lartë.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›