E Diel, 1 Nëntor 2026

Të verbërit protestojnë për më shumë barazi

Autori i Lajmit: red.
Dhjetëra persona me shikim të kufizuar, kryesisht fëmijë, protestuan dje në sheshin “Skënderbej” për të kërkuar përmirësimin e kushteve jetësore. Dita Botërore e Shkopit të Bardhë (të të verbërve) e cila simbolizon përpjekjet e personave të verbër për përmirësimin e standardit të të drejtave të tyre ka filluar me një marshim të të verbërve jo vetëm nga Tirana, por dhe nga rrethet e vendit. Ata manifestuan duke kërkuar më shumë integrim në shoqëri, më tepër angazhim nga qeveria për përmbushjen e kërkesave të tilla si aksesi në informim, arsim të integruar, punësim, si dhe përfshirje në aktivitete kulturore e sportive. “Shoferët duhet të respektojnë kalimin në se më shohin me shkopin tim të gjatë e të bardhë, pasi vetëm një qytetar i verbër mund të ecë në rrugë i shoqëruar me të”, - u shpreh një prej 60 nxënëseve të Institutit të Nxënësve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi”. Fëmijët me aftësi të kufizuara të shikimit, dje në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, kryen një shëtitje të lirë me simbolin e shkopit të bardhë, ku përcollën dhe kërkesat e tyre për më shumë integrim në shoqëri. Shumë prej personave të verbër e përdorin shkopin e bardhë për të frekuentuar shkollën, punën, etj. “Respektimi i së drejtës së një të verbëri për të ecur mungon nga qytetarët, kryesisht nga drejtuesit e automjeteve, pasi nuk janë të ndërgjegjësuar. Me synim sensibilizimin e opinionit publik, ne ecëm të gjithë së bashku në rrugët e Tiranës dhe provuam se është e vështirë të lëvizësh vetëm me një shkop të bardhë në rrugë”,- tha drejtoresha e Institutit të Nxënësve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi”, e cila në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve të Shqipërisë dhe Qendrën Kombëtare të Rehabilitimit të të Verbërve, demonstruan për qytetarët se përdorimi i shkopit të bardhë, si çdo mjet apo pajisje tjetër tifloteknike, ka një efekt të pazëvendësueshëm në lehtësimin e proceseve jetësore të personave të verbër. “Shkopi i bardhë nuk është ende në kulturën qytetare, në mënyrë të veçantë të drejtuesve të automjeteve”, - tha Shkreta, duke shtuar se në vendin tonë mungojnë edhe shenjat e sinjalistikës për të verbërit. "Në shumë vende të botës ka sinjalistikë akustike, ku semafori sinjalizon për një të verbër. Meqë kjo mundësi nuk ekziston, atëherë qytetarët duhet të respektojnë qytetarët me aftësi të kufizuara të shikimit, pasi ata identifikohen me shkopin e bardhë", - tha Shkreta. Gjithsesi, Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, që ka anëtarësuar pranë saj rreth 8000 persona të tillë, vlerëson se ka një rritje të ndjeshmërisë së shoqërisë dhe institucioneve shtetërore ndaj personave të verbër, por arritja e standardeve bashkëkohore që rekomandojnë dokumentet ndërkombëtarë për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar kërkon më shumë punë. Sipas kësaj shoqate, problematika të tilla si krijimi i kushteve për lëvizjen autonome të personave të verbër në rrugë, janë ende të brishta në shoqërinë tonë. Për të përmbushur këtë komoditet, shoqata organizon trajnime për përdorimin e shkopit të bardhë për komunitetin e njerëzve me aftësi të kufizuara të shikimit.

Shkopi i bardhë shekullor i Biggs-
Shkopi i bardhë është krijuar në vitin 1912 nga artisti Xhejms Bigs nga Bristoli. Pas një aksidenti, i cili i mori shikimin, artisti duhej të ripërshtatej me ambientin. Duke ndier kërcënimin nga mjetet e tjera lëvizëse rreth e rrotull shtëpisë së vet, Bigs vendosi ta lyente shkopin e tij lëvizës me ngjyrë të bardhë dhe ta bënte veten më të dukshëm në rrugë. Jo më shumë se 10 vjet më vonë, shkopi i bardhë ishte prezent në shoqërinë e asaj kohe. Në shkurt të vitit 1931, Gili d Herbmont lançoi një skemë për një lëvizje kombëtare të personave të verbër në Francë. Kjo fushatë u raportua edhe në gazetat britanike, e cila udhëhiqte një skemë të ngjashme të sponsorizuar nga klubet e lotarisë. Në maj të vitit 1931, BBC sugjeroi në radion e vet se individët e verbër duhet të sigurohen me një shkop të bardhë, i cili do të mund të njihet në mënyrë universale, si një simbol që tregon se dikush është i verbër ose me shikim të pjesshëm. Ndërsa në Amerikën Veriore, celebrimi i shkopit të bardhë iu atribua Klubit Ndërkombetar të Luanëve. Në vitin 1930, një anëtar i Klubit të Luanëve, vëzhgonte se si një person i verbër priste të kalonte rrugën me një shkop të zi në dorë. Me mendimin që shkopi i zi bëhej i padukshëm për personat e tjerë, ata vendosën ta lyenin atë me ngjyrë të bardhë për të rritur dallueshmërinë e tij nga motoristët. Më pas, Presidenti i SHBA, Lindon S. Xhonson, u interesua dhe e proklamoi 15 Tetorin si Ditë e Shkopit të Bardhë. Më 6 tetor 1964, një rezolutë e përbashkët e Kongresit e deklaroi ligjërisht këtë ditë. Nisur nga kjo ngjarje, në të gjithë botën 15 Tetori kremtohet si dita simbol për pavarësi, integrim dhe autonomi të personave të verbër.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›