E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, 4-7% rritja për vitin 2012, kategoritë që do të përfitojnë

SHKRUAN: Jonida Tashi 11-01-2012 14:13

Prioritet rritja e pensioneve të ulëta. Ksera: Rritja e të ardhurave të pensionistëve mbetet një nga përparësitë e politikës ekonomike të qeverisë edhe për vitin 2012

Rritja e pensioneve për 2012-ën do të jetë në të njëjtin nivel me atë të vitit të shkuar, ndërkohë që prej saj do të përfitojnë 546 mijë pensionistë në fshat dhe në qytet. Edhe për këtë vit, rritja e pensioneve do të jetë e diferencuar sipas kategorive, ndërsa prioritet do të mbeten pagesat e ulëta, siç janë edhe pensionet e fshatit. Por, pas tyre nuk do të ngelen as pensionistët që jetojnë në qytet dhe marrin pensione minimale.

Pavarësisht gjendjes së vështirë ekonomike, edhe për vitin 2012 qeveria ka parashikuar fonde për rritjen e pensioneve, dhe ky fakt është bërë i ditur dje nga ministri i Punës, Spiro Ksera, në analizën vjetore të punës së dikasterit që ai drejton, ku ka prezantuar edhe prioritetet për vitin aktual. Ministri Ksera deklaroi se rritja e të ardhurave të pensionistëve mbetet një nga përparësitë e politikës ekonomike të qeverisë edhe për vitin 2012. “Të ardhurat minimale të pensionistëve krahasuar me një vit më parë në qytet u rritën me 4 për qind dhe në fshat me 7 për qind, duke arritur përkatësisht në 13 267 lekë, dhe 8358 lekë në muaj. Nga këto rritje përfituan 386 mijë pensionistë të qytetit dhe 160 mijë pensionistë të fshatit. Po kështu, me të njëjtat ritme do vazhdojmë rritjen e pensioneve dhe gjatë këtij viti”, - u shpreh ministri Ksera. Po kështu, ai ka garantuar edhe rritjen e pagës minimale në shkallë vendi, si dhe mosndryshimin e çmimit të dritave deri në vitin 2014. “Qeveria nënshkroi një marrëveshje me sindikatat, në të cilën parashikohet ndër të tjera mosrritja e çmimit të energjisë për tre vjet dhe rritja e pagës minimale në shkallë vendi. Në bashkëpunim me partnerët sociale dhe ekspertët e ILO-s po rishikohet Kodi i Punës, me qëllim përputhjen e plotë të tij me standardet ndërkombëtare”, - u shpreh Ksera. Lidhur me objektivat për 2012-ën, ministri i Punës deklaroi se prioritet do të jetë ndërmarrja e iniciativave që ndikojnë në uljen e varfërisë dhe integrimin e grupeve në nevojë në tregun e punës dhe në jetën social-ekonomike të vendit. Ai ka përmendur konkretisht dy prej këtyre iniciativave, që janë skema e mikrokredisë dhe hapja e ndërmarrjeve sociale ku do të punësohen të papunët. Kështu, Ministria e Punës pritet të ofrojë kredi të vogla për të shtuar numrin e personave në nevojë të punësuar, ndërkohë që ka nisur puna për të përcaktuar mënyrën se si do të përfitohet mikrokredia. Për uljen e varfërisë, kreu i Punës ka bërë të ditur se ndryshimet në ligjin “Për ndihmën ekonomike” parashikojnë aplikimin e një forme të re vlerësimi që garanton përfshirjen në skemë të çdo familjeje që jeton në varfëri. Ai ka shtuar se gjatë këtij viti do të fillojë të zbatohet edhe pilotimi i skemës së re, nëpërmjet dixhitalizimit të plotë të saj dhe ngritjes së regjistrit elektronik në nivel kombëtar. “Nëpërmjet reformimit të skemës synojmë arritjen e objektivit madhor të qeverisë që deri në 2013-ën të ulet ndjeshëm varfëria absolute dhe të zhduket varfëria ekstreme. Këtij qëllimi i shërben edhe krijimi i shoqërisë ‘Nxitja e Biznesit Social’, përmes së cilës do të sigurohen mikrokredi për individë në nevojë, dhe hartimi i ligjit të ri ‘Për ndërmarrjet sociale’. Këto dy iniciativa synojnë uljen e varfërisë dhe integrimin e grupeve në nevojë në tregun e punës dhe në jetën social-ekonomike të vendit”, - pohoi ministri i Punës. Ngritja e ndërmarrjeve sociale do të favorizojë hyrjen në punë të grupeve në nevojë, nëpërmjet prodhimit të të mirave dhe shërbimeve me dobi sociale ose interes kolektiv. Ndërmarrjet sociale mund të lidhin kontrata me shtetin për menaxhimin e shërbimeve të ndryshme, duke garantuar një cilësi më të lartë e kosto më të ulët për buxhetin e shtetit. Aktualisht në vendin tonë njihen nisma të tilla, siç janë ndërmarrja e prodhimit të karrocave për personat me aftësi të kufizuara, e ngritur në Vorë, pak kilometra larg Tiranës. Në këtë ndërmarrje punojnë vetë invalidët, por shpeshherë drejtuesit e saj janë gjendur në vështirësi financiare për shkak të mungesës së fondeve. Sipas të dhënave të INSTAT-it, punësimi gjatë vitit 2011 u rrit me 2.7% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që gjatë vitit 2012 synohet që punësimi të rritet me 3%.

Rritja 2012

Masa

4% rritja për 386 mijë pensionistë në qytet

7% rritja për 160 mijë pensionistë të fshatit

Pagesat

Pension urban minimal 11.562 lekë

Pension rural bazë 7.767 lekë

Pension urban maksimal 23.123 lekë

Të ardhurat minimale në qytet 13.798

Të ardhurat minimale në fshat 8.692

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›