E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimi i pronësisë step qytetarët, të mos aplikohet për dhurimet

18/12/2008  Financat do të marrin parasysh kërkesat e dhomës së noterëve

Tatimi për kalimin në pronësi të një trualli apo ndërtese që aktualisht është 10 për qind mund të ndryshojë. Ministria e Financave është duke rishikuar udhëzimin që ka dalë në fillim të këtij viti për herë të tretë. Kërkesa është bërë nga dhoma kombëtare e noterëve, e cila ka hasur në punën e përditshme me një stepje të qytetarëve për të kryer shitjen dhe blerjen e apartamenteve.

Kërkesa

Tatimi i kalimit të pronësisë aktualisht është 10 për qind. Ai ka nisur të zbatohet që prej muajit shkurt të këtij viti, por rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit, nuk do të thotë detyrimisht që janë rritur shitjen dhe blerjet. Dhoma kombëtare e noterëve nëpërmjet një kërkese zyrtare ka argumentuar se shumë qytetarë kur duan të dhurojnë ose të shesin një pronë, tatimi është shumë i lartë dhe ata tërhiqen. Një nga zgjidhjet e këtij ngërçi do të ishte ulja e tatimit ose rishikimi për disa kategori.

Sipas përfaqësuesve zyrtarë të kësaj dhome, është kërkuar tashmë që të paktën në marrëdhëniet familjare të mos ekzistonte 10 për qind, ose dhurimi të përjashtohej nga ky lloj tatimi.

Ndryshimi

Pritet që Ministria e Financave të rishikojë për herë të tretë udhëzimin e nxjerrë nga Qeveria. Një prej ndryshimeve që do të bëhen është në pikën e çmimit të referencës së apartamenteve. Jo rrallë këto çmime kalonin vlerën e tregut. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Financave, çmimi i vlerave të tregut për shitjen i referoheshin marrëveshjes së bërë me shoqatën e ndërtuesve dhe Drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve, ndërsa në udhëzimin e ri i referohen çmimeve të reja të tatuara nga Enti Kombëtar i Banesave.

Udhëzimi

Qytetarët që duan të rishesin një apartament, një shtëpi apo një tokë, të cilin e kanë blerë me një çmim të caktuar, me udhëzimin e fundit të Ministrisë së Financave janë të detyruar të paguajnë tatimin mbi fitimin, i cili llogaritet në 10 për qind të diferencës mes vlerës së shitjes dhe vlerës së blerjes. Si rregull i përgjithshëm vlera e shitjes dhe e blerjes përcaktohet nga kontrata paraardhëse. Nëse shitësi ka vendosur në kontratë një çmim për metër katror më të ulët se sa çmimi minimal i përcaktuar me udhëzimin e muajit shkurt, atëherë do të llogariten çmimet minimale që ka vendosur shteti, për efekt të tatimit mbi kalimin e të drejtës së pronësisë.

Përjashtimet

Sipas procedurave, këtë pagesë të tatimit për arkën e shtetit e paguan individi që shet dhe pagesa duhet të bëhet para se të kryhen procedurat në hipotekë. Por udhëzimi i Ministrisë së Financave që hyri në fuqi në shkurt të këtij viti parashikon disa përjashtime, për ndërtesat e privatizuara, apo ato të ndërtuara para vitit 1995. Nëse një individ shet për herë të parë një ndërtesë në Tiranë, e cila është ndërtuar dhe është regjistruar para 31 dhjetorit të vitit 1995, atëherë si çmim minimal i blerjes do të merret çmimi i llogaritur me koston minimale të ndërtimit, i cili është 16.664 për metër katror, sipas VKM me nr. 815 dt. 05.01.1996, të cilit i zbritet edhe 30 për qind e vlerës. Kur ky individ rishet të njëjtën ndërtesë një personi të tretë atëherë diferenca mes çmimit të blerjes dhe atij të shitjes do të tatohet me 10 për qind, detyrim që e paguan shitësi, para se të bëhen veprimet në hipotekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›