Murinjo: “Tri pikët janë të Interit”
Konsiderohet si supersfida e Italisë. Përballen dy armiq të mëdhenj në Serinë A, që nuk gjejnë kurrë paqe midis tyre. Inter-Juventus ka kaluar edhe “derbin e Madoninës”, Inter-Milan.
Sfida kësaj radhe është shumë e veçantë, pasi ndeshen dy trajnerë që jo vetëm në të kaluarën e tyre të afërt kanë drejtuar në Angli të njëjtën skuadër, Çelsin, por që në Itali më nuk kanë pasur një marrëdhënie të ngrohtë. Një ndeshje normale, tri pikë. Kështu e konsideron trajneri i Interit, Hoze Murinjo. Portugezi u shfaq i qeshur në konferencën për shtyp, duke e përcaktuar sfidën kundër Juventusit si një ndeshje të radhës. Takimi me Klaudio Ranierin, trajnerin e bardhezinjve, është një tjetër temë.
RANIERI - “Nuk më pëlqen shumë publiciteti”, - tha Murinjo për gazetën sportive italiane “La Gazzetta dello Sport”. “Kemi folur në Koverçiano me Ranierin, pa praninë e gazetarëve dhe pa spektakël, si dy kolegë që bëjnë të njëjtën punë. Më mjafton kjo dhe nuk pres mesazhe të tjera. Ranieri në ‘San Siro’ për mua do të jetë si kolegët e tjerë. Do ta pres në tunel, luaj unë në shtëpi, duhet të jem i edukuar, ashtu siç jam gjithmonë në Meaca. Do t’i shtrëngoj dorën në tunel para fillimit të takimit”.
ADRIANO – “Do të thirret si gjithë lojtarët e tjerë të disponueshëm. Jam dakord me të kur thotë se nëse nuk do të arrijë të luajë me Interin është më mirë të ndryshojë skuadër. Një lojtar nuk mund të qëndrojë në një klub në një situatë të tillë. Bën mirë që kërkon të sqarohet”. Murinjo foli edhe për formën e brazilianit. “Duhet të arrijë nivelin e të tjerëve”. Portugezi e bëri të qartë se rruga e Adrianos është ende e gjatë.
IBRA – “Nuk e di nëse këto periudha të shkurtra pushimi i kanë bërë mirë, do ta shohim nesër në mbrëmje. Unë mendoj se është e rëndësishme të jemi të nderuar. Kur mësova se kryetekniku i Suedisë e kishte lënë jashtë skuadrës, i kërkova Zlatanit të rikthehej nëse do t’i duhej të luante në ndeshjen Holandë-Suedi. Nuk jam, megjithatë, dakord me atë që thotë se Ibra është i domosdoshëm. Për mua ai luan gjithmonë mirë. Dhe me të mund të fitosh dhe mund të humbasësh në të njëjtën mënyrë”.
INTERI – “Herën e fundit që në karrierën time një president deklaroi se ishte i sigurt për fitoren e pastaj humbi ishte në rastin e ndeshjes Porto-Benfika. Nuk njoh asnjë nga Juve dhe nuk më interesojnë. Skuadra ime është gjithnjë më e forta, ishte kështu edhe kur drejtoja Unaio Leira, por dhe sot që jam trajner i Interit. Juventusi është një skuadër e fortë”, - tha Murinjo. “Çfarë më pëlqen nga Juve? Më pëlqen më shumë Interi”.
Sondazhi
i “Gazzetta dello Sport”
Kush fiton: Inter, apo Juventus?
Fiton Juventus 43%
Fiton Interi 37.4%
Barazim 19.5%
Votues: 59938
“San Siro”, e gjitha e shitur
Stadiumi “Xhuzepe Meaca” në San Siro, për ndeshjen Inter-Juventus (sot ora 20:30), i vlefshëm për javën e 13-të Serisë A, është i gjithi i shitur. Lajmi jepet nga faqja zyrtare e Interit, që shkruan se tashmë nuk ka asnjë biletë në treg. Në stadium nuk do të jenë as më pak e as më shumë, por 80 075 shikues, ndërkohë që dyert do të hapen tri orë përpara. Të gjithë ata që kanë prerë biletë, sipas modaliteteve të ligjit italian, do ta shoqërojnë edhe me një dokument identiteti.
Ranieri: “Do të paguaja gjithçka për të mundur Interin”
Trajneri i Juventusit, Klaudio Ranieri, e di se të fitosh kundër Interit duhet të jesh një superskuadër dhe se fitorja e ka një çmim. “Këtë vit do të isha i gatshëm të paguaja gjithçka për të mundur Interin”. Tekniku i Juves nuk e fsheh rëndësinë e një ndeshjeje të shumëpritur nga tifozët e lojtarët. Në “San Siro” bardhezinjtë janë të gatshëm të luajnë një ndeshje për tri pikë.
“Do të jetë një Juve e karikuar dhe e vetëdijshme, duam të bëjmë lojën tonë. Unë nuk vështroj kundërshtarët, godas gjithmonë i pari, dhe nëse pastaj të tjerët do të jenë më të fortë, do të pranoj verdiktin dhe do t’i shtrëngoj dorën kundërshtarit. Është ndeshje e ndryshme nga të tjerat, si ajo kundër Realit. Vijmë pas shtatë fitoresh? Përgjigjja më e mirë do të jetë të shtunën në fushë”.
Ranieri flet edhe për kolegun e tij. “Murinjo dëshiron që t’i shtrëngoj dorën? E pranoj me kënaqësi. Nuk është një duel midis dy trajnerësh, për mua është thjesht Inter-Juve, një ndeshje që vendoset në fushë. Sfida do të jetë një ndeshje e shpejtë dhe vibruese, janë ndeshje që stimulojnë lojtarët e ambientin. Janë tri pikë në lojë, një ndeshje që vlen. Interi më i fortë se ne? Kanë fituar dy kampionate, është një skuadër që duhet mundur”.
22 Nentor 2008