E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pensionet e ushtarakëve, kategoritë që përfitojnë”



nertila maho

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pensionet e ushtarakëve vlerësohet pozitivisht nga këta të fundit. Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, Mehdi Pogaçi shpjegon për gazetën kategoritë që prek ky ligj dhe mënyra se si do të bëhet përllogaritja e pensionit për secilën prej tyre. Kështu, sipas Pogaçit, përfitues do të jenë të gjithë, edhe pse jo në përmasat që përcakton ligji i Statusit Ushtarak. Gjithsesi, kreu i Shoqatës thekson se me këtë vendim të Kushtetueses, kjo kategori është e kënaqur.
Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin e saj, lidhur me ligjin për pensionet e ushtarakëve, ç'mund të na thoni lidhur me këtë?
Kërkuesit e parë dhe kryesorë për këtë ligj kemi qenë ne, si Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve Rezervë dhe dua të theksoj se të dy ato nene që u shpallën të papajtueshme me Kushtetutën nga Gjykata Kushtetuese i kemi kërkuar ne. Nga gjithë kërkesat që janë bërë, Gjykata Kushtetuese ka marrë parasysh dy nga nenet që ka kërkuar Shoqata e Ushtarakëve në Rezervë.
A jeni të kënaqur me këtë vendim të Gjykatës? Po pretendime të tjera keni, cilat janë?
Në përgjithësi jemi të kënaqur me vendimin, por kemi dhe pretendime të tjera. Kjo për shkak të abuzimeve që kanë pësuar ushtarakët deri më sot, nga llogaritjet jo të drejta që kanë bërë sigurimet shoqërore dhe gjithmonë i ruhemi kësaj. Prandaj në kërkesën tonë ndaj Gjykatës Kushtetuese për këtë ligj kemi bërë shumë kontestime, të cilat sigurisht nuk u hodhën për shkak se në pjesën shpjeguese të vet, gjykata i bën të qarta. Me siguri që sigurimet shoqërore do t'i kenë parasysh ato.
Kush përfiton nga ky ligj, në ndryshim nga ligji i mëparshëm?
Në këtë ligj përfitimi nuk është në përmasat që përcakton ligji i Statusit Ushtarak i vitit 2004, por në përmasa më të vogla do të përfitojnë të gjithë. Pika 2 e nenit 14, që Gjykata Kushtetuese ka shpallur të papajtueshme me Kushtetutën është një pikë themelore. Kjo sepse nëpërmjet anulimit të saj, Gjykata Kushtetuese i jep fund diskriminimit që bëhet ndërmjet grupimeve të ushtarakëve, në pikëpamje të cenimit të sigurisë juridike të tyre sepse pensioni i parakohshëm kufizohej në dy, maksimumi tre pensione bazë. Ndërsa pika 1 e nenit 14 të këtij ligji thotë që është 50 për qind e pagës mesatare referuese plus dy për qind për çdo vit.
Në shifra, sa shkon përfitimi ose pensioni i ushtarakëve i llogaritur sipas ligjit, dhe cilat janë disa nga kategoritë përfituese?
Kjo ndryshon në vartësi të faktit se sa do të shkojë paga referuese e secilit. Ne akoma nuk kemi përfunduar së studiuari vendimin e Gjykatës Kushtetuese me ligjin. Me shifra nuk flasim dot tani, por e rëndësishme është që do të ketë rritje.
është problemi i mesatares referuese që thonë këta që na ngatërron. Sepse për të nxjerrë një mesatare referuese, pjesa më e madhe e ushtarakëve që janë në pension të plotë pleqërie, apo dhe pension të parakohshëm, e kanë një pjesë të aktivitetit të tyre para 1991-it. Para këtij viti ka qenë sistem tjetër pagash dhe detyrash dhe për këtë ligji kërkon që me një vendim të Këshillit të Ministrave këto të njësohen, të konvertohen me funksionet e sotme dhe mbi këtë bazë të bëhet llogaritja. Ne duke mos e ditur sa është kjo bazë, s'mund të bëjmë asnjë llogaritje. Për këtë, ashtu si dhe për zbatimin e ligjit, duhet që mbas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të dalin vendimet e Qeverisë. Ajo që mund të them më në detaje është që në bazë të këtij ligji (pavarësisht se ne kemi kontestuar këtë pikë) përfitojnë jo në masën maksimale, por në bazë të Statusit edhe ata që kanë pension të plotë pleqërie, që marrin aktualisht pension minimal pleqërie. Janë sidomos grupi që ka dalë në lirim në periudhën 1992-1998, periudhë në bazë të Vendimit 225 të vitit '92 dhe Vendimit numër 7 të Qeverisë, të dyja këto të vitit 1996 të cilëve nuk u janë paguar sigurimet shoqërore. Sipas këtij ligji, atyre do t'ju paguhen sigurimet shoqërore, do të përcaktohet paga referuese dhe do t'ju bëhet rillogaritja e pensionit. Mbi këtë bazë do të bëhet dhe rillogaritja e pensionit suplementar, pra ky grupim do të ketë rritje të pensioneve. Për herë të parë do të marrin në një masë të caktuar pension suplementar të gjithë ata ushtarakë që janë në pension pleqërie dhe që kanë dalë para vitit 1991. Qeveria duhet t'i nxjerrë sa më shpejt këto vendime, me qëllim që të fillojë dhënia e pensioneve të parakohshme. Rillogaritja e pensioneve të pleqërisë për grupin që thashë, '92-'98, dhe rillogaritja e pensionit suplementar për atë pjesë që nuk e merr sepse kemi parasysh se nga korriku i vitit 2009 janë me dhjetëra ushtarakë, punonjës të policisë të Shërbimit Informativ të policisë së Burgjeve të Gardës e të tjera, që nuk marrin pension të parakohshëm vetëm sepse ligji ka qenë në Gjykatën Kushtetuese. Shpresojmë që të merren masat që zbatimi i këtij ligji të fillojë sa më shpejt. Efektet e këtij ligji duhet të jenë nga momenti që ai ka hyrë në fuqi.
Po lidhur me rezervat që keni për këtë ligj? Ku konsistojnë kontestimet tuaja?
Kemi kontestime të tjera lidhur me problemin e pagës mesatare referuese sepse në kundërshtim me të gjitha ligjet në fuqi për gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Ky është një diskriminim, pasi zakonisht për dikë që del në pension merren si referencë tre vjetët më të mira, në 10 vitet e fundit të punës, ndërsa për daljen në pension të ushtarakëve do t'ju llogarisin pagën mesatare referuese. Nga dita që ka hyrë në punë, deri në ditën që ka dalë. është pikërisht kjo pikë që ul masën e këtyre pensioneve dhe nuk e çon në atë nivel që e ka garantuar Statusi i Ushtarakëve. Këtu kemi shkelje të Statusit. Gjykata Kushtetuese nuk e ka parë mbase këtë me vëmendje ose nuk e ka parë si të drejtë që ta anulojë. Gjithashtu, një problem tjetër që lind nga ky ligj është problemi i llogaritjes së vjetërsisë. Në llogaritjen e vjetërsisë në ligjet e mëparshme ka qenë që, 6 muaj e një ditë konsideroheshin një vit, ndërsa sot një vit pa një ditë konsiderohen zero. Kjo është një gjë absurde dhe e pakuptimtë sepse ka me dhjetëra ushtarakë që kanë nga 14 vjet e 7-8 muaj dhe për dy apo tre muaj ata nuk fitojnë dot pension.
Cili do jetë hapi juaj i mëtejshëm, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?
Hapi jonë i mëtejshëm është ndjekja nga afër e zbatimit të kësaj pjese, që tashmë është miratuar me ndryshimet që sjell vendimi i Kushtetueses. Natyrisht do t'i bëjmë kërkesë Qeverisë, duke i bërë thirrje dhe përmes medias që t'i nxjerrë sa më shpejt këto vendime, me qëllim që ligji të fillojë të zbatohet. Më pas në të ardhmen natyrisht brenda kuadrit ligjor dhe demokratik, ne do të kërkojmë që niveli i pensioneve të ushtarakëve të arrijë në atë nivel që përcakton Statusi i Ushtarakut i vitit 2004. Ky status nuk ka pagë mesatare të viteve, por ka paga të viteve që ushtaraku ka dalë në pension dhe kjo më pas e konvertuar.

Sindikata e Policisë: Kushtetuesja s’mori parasysh pretendimet tona
Sindikata e Policisë ka reaguar dje në lidhje me shfuqizimin e disa neneve për pensionet e ish-ushtarakëve. Kreu i Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta gjatë një konference për shtyp tha se, "me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kërkesën tonë dhe shumë subjekteve të tjera me objekt "Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009 "Sigurimin Shoqëror Suplementar", me të cilin përfitojnë edhe punonjësit e policisë, Gjykata shfuqizoi përkatësisht pikën 2 të nenit 14 dhe nenin 27 të këtij ligji. Në lidhje me këtë vendim, Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit vëren se pavarësisht që Gjykata Kushtetuese nuk ka vlerësuar të gjitha pretendimet të arsyetuara nga avokatët tanë, ajo ka vendosur shfuqizimin e një neni shumë të rëndësishëm që dëmton përfitimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, në një masë mjaft të konsiderueshme". e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›