E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Daul bëri fushatë për Berishën



Erald Kapri

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama iu përgjigj dje deklaratës së kryetarit të grupit parlamentar të partive të djathta në Parlamentin Europian, Joseph Daul, sipas të cilit negociatat që kanë nisur në Strasburg, nuk kanë pasur një draft me propozime para. Në një bashkëbisedim me gazetarët, i pyetur mbi këtë deklaratë, Rama deklaroi se Daul erdhi në Tiranë për të bërë fushatë për Partinë Demokratike dhe Kryeministrin Berisha. Kreu i PS-së tha që i qëndron letrës së shkruar pak ditë më parë, drejtuar dy krerëve të grupeve parlamentare në Parlamentin Europian. "Zoti Daul, siç e tha dhe vetë, erdhi në një vizitë të planifikuar 4 muaj më parë. Bëri atë që do kishte bërë edhe katër muaj më parë, bëri fushatë për PD, si një parti simotër dhe për Kryeministrin, si një partner sivëlla. Përsa i përket çështjes konkrete të negociatave dhe të përfshirjes së tij e të kreut të grupit socialist dhe të tjerëve, gjë për të cilën unë e falënderoj përzemërsisht, unë i mbetem besnikërisht atyre që kam thënë dhe gjithçkaje që kam shkruar në letrën e adresuar zotit Daul dhe zotit Shultz, që shpresoj në kthim zoti Daul ta marrë", tha Rama.
Protestat
Duke folur më tej për situatën aktuale politike, Rama tha se nëse nuk ka rezultat nga negociatat për transparencën e zgjedhjeve të kaluara, atëherë opozita do të vijë me protestat e saj, madje duke i përshkallëzuar ato. "Kujtoj se në momentin që kemi bërë detyrën tonë, duke u ndalur në një stacion ku u krijuan mundësitë për dialog dhe negociata, kam thënë e kemi thënë të gjithë së bashku, se ne këtu jemi. E në rast se rezultati nuk do të vijë në këtë stacion, ne do të rimarrim rrugën e protestës sonë, rrugën e përshkallëzimit të saj, siç tani me shqiptarët mbarë dhe ajo pjesë e vogël e botës së madhe demokratike që na ndjek e di se jemi në gjendje ta bëjmë, për ta gjetur zgjidhjen në stacionin e ardhshëm", tha Rama. Ai shtoi më tej, duke thënë se "beteja e opozitës nuk do të rinisë, beteja e opozitës është në zhvillim. Sigurisht, nuk është një betejë lineare, është një betejë që ka kurbat e saj pikërisht sepse ne jemi një opozitë që përfaqëson një alternativë qeverisëse. Nuk jemi një forcë destruktive".
Zgjedhjet
I pyetur nga gazetarët në lidhje me zgjedhje lokale dhe për deklaratën e tij tek "Zëri Amerikës", kreu i opozitës Edi Rama tha se deklarata e tij u përkthye keq nga maxhoranca, duke lënë të nënkuptuar se opozita nuk do të bojkotojë zgjedhjet lokale. "Ju thatë në kampin tjetër është përkthyer dhe këtu përfundon përgjigja ime. Ju nuk keni pse i referoheni leximeve të këqija. Lexoni sa më shumë në origjinal, sepse me përkthyes Sali Berishën, një simfoni bëhet rapsodi", tha Rama. Kreu i opozitës foli dje në konferencë edhe për temat e ditës, si liberalizimi i vizave, rezoluta në Parlamentin Europian, si dhe për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit për votim të hapur ndaj dekreteve të Presidentit Topi. Ai shtoi se do të mblidhen forumet e partisë, për të diskutuar për reagimin ndaj kësaj çështje, pasi sipas kreut të opozitës kjo çështje nuk do të qëndrojë me kaq. "Ky reagim do të diskutohet dhe do të formulohet nga Grupi Parlamentar. Por jam i bindur që do të jetë një reagim i fortë dhe i barazvlefshëm me aktin brutal, jo si shprehje brutaliteti po si shprehje e filozofisë sonë të rezistencës ndaj këtij pushteti", deklaroi Rama në konferencën për shtyp. Porsa i përket rezolutës së PE-së, Rama tha se ajo "vajton krizën politike që pasoi zgjedhjet parlamentare dhe po ashtu vajton faktin se megjithë bisedimet më të fundit të lehtësuar nga Bashkimi Europian, përsëri kërkohet konsensus dhe konsensusi nuk është arritur lidhur me mënyrën sesi duhet të trajtojmë çështjen e hapur të zgjedhjeve të shkuara". Në lidhje me liberalizimin e vizave, ai shtoi se "që kriza politike nuk e kushtëzon liberalizimin e vizave, kjo ka qenë vijimësisht një besim i përbashkët. Sigurisht që ka ekzistuar dhe ekziston shqetësimi që degradimi i mëtejshëm i situatës, për shkak të thellimit të krizës, mund të krijojë shqetësim kërcënues edhe për këtë proces".

Përnaska: Rama ka braktisur detyrën
Deputetja e Partisë Dem-okratike, Lajla Përnaska akuzoi dje kreun e Bashkisë së Tiranës Edi Rama se ka 3 vjet që ka braktisur detyrën. "Në këto tri vite, qytetarët e Tiranës e kanë parë z.Rama të merret me gjithçka tjetër, por jo me problemet me të cilat ballafaqohen çdo ditë qytetarët e Tiranës. Një foto e çastit e z. Rama pranë një kanali apo eskavatori, siç ka qejf të dalë ai, nuk i gënjen dot qytetarët e Tiranës. Kryetari i Bashkisë e ka bojkotuar tërësisht qytetin", tha Përnaska. Sipas saj, "qytetarët e Tiranës e kanë parë z. Rama të lobojë kundër liberalizimit të vizave dhe integrimit të Shqipërisë, por nuk e kanë parë atë t'i shërbejë atyre si Kryetar Bashkie".

Trashani: Rama dështoi për të shtyrë vizat
Deputetja e Partisë Demokratike, Arenca Trashani reagoi dje pas daljes publike të kreut të opozitës, Edi Rama. Ajo deklaroi se Rama dështoi për të shtyrë vendimin për liberalizimin e vizave. "Edvin Rama dështoi në përpjekjen e tij, për të shtyrë vendimin e liberalizimit të vizave. Në fakt, kjo ishte fiaskoja e fundit e turpshme e tij", tha Trashani. Më tej, ajo shtoi se "liderët e grupeve të djathta e të majta i kanë kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të fillojë punën për implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR për Kodin Elektoral. Zoti Rama, mos i vendos më në pozita qesharake dhe kundër interesave të popullit deputetët e PS-së".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›