E Shtunë, 31 Tetor 2026

PPE: Rama, kërkesa të reja sa herë që Berisha bën lëshime



Partitë Popullore Europiane kritikojnë ashpër qëndrimin e opozitës lidhur me situatën politike në vend. Në një deklaratë të Presidentit të PPE-së, Wilfried Martens, kordinatorit dhe Ministrit të Jashtëm të Italisë, Franko Fratini si dhe eurodeputetit, Elmar Brok thuhet se "Qeveria shqiptare ka bërë lëshime të shumta në mënyrë që të plotësojë kërkesat e opozitës, duke i ofruar asaj edhe shumicën dhe kryesinë e komisionit hetimor, por Edi Rama dhe opozita kanë bërë në vazhdimësi kërkesa të reja në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin elektoral dhe vendimet e mëhershme të gjykatave. Kjo na bën të mendojmë se zoti Rama nuk është aspak i interesuar në gjetjen e një marrëveshje politike në përputhje me rendin ligjor dhe Kushtetutën". Në të njëjtën kohë thuhet se "Partitë Popullore Europiane shprehin shqetësimin mbi situatën aktuale politike, duke theksuar se ajo erdhi pas zgjedhjeve demokratike të qershorit të 2009, me refuzimin që Edi Rama dhe Partia Socialiste i bënë përmbushjes së detyrës së tyre si opozitë parlamentare, duke zgjedhur t'i shprehin pakënaqësitë e tyre në rrugë e si rrjedhojë duke penguar funksionimin normal të Kuvendit". Deklarata e cila vjen pak ditë pas miratimit në Parlamentin Europian të rezolutës për Shqipërinë thekson se Qeveria e Kryeministrit Sali berisha është legjitime dhe tani Parlamenti funksionon plotësisht. PPE i kërkon opozitës socialiste të qendrojë në Parlament, të përmbushë rolin e saj si një opozitë parlamentare dhe të pranojë zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kolegji Zgjedhor, dhe të gjitha organizatat monitoruese ndërkombëtare. "Procesi i liberalizimit të vizave me Shqipërinë nuk duhet të vihet në dyshim nga situata aktuale politike dhe Partitë Popullore Europiane që përbëjnë shumicën në Parlamentin Europian, besojnë se çdo përpjekje e tillë do të ishte në dëm të popullit shqiptar", thuhet më tej në deklaratë. Gjithashtu PPE vlerëson progresin e arritur nga Qeveria shqiptare dhe beson se Këshilli dhe Parlamenti duhet të aprovojnë liberalizimin e vizave për Shqipërinë deri në fund të vitit 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›