E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike globale “fundos” flotën tregtare shqiptare



Ervin KOÇI

“Stuhia” ekonomike që është shkaktuar prej krizës financiare globale në tregjet ndërkombëtare, ka sjellë dallgën e saj edhe në sektorin e transportit detar. Prej kësaj stuhie të vërtetë ekonomike ku janë prekur direkt porositë e kompanive për mallra dhe pajisje importi, flota tregtare shqiptare e përbërë nga më shumë se 27 anije është në rrezik të vërtetë falimentimi. Të gjitha anijet e flotës tonë tregtare kanë mbetur pa punë dhe janë ankoruar në Radat e jashtme të porteve detare të vendit, një pjesë e të cilave janë vënë dhe në shitje nga pronarët e tyre. Sipas të dhënave paraprake për gazetën “Albania” nga Porti detar i Durrësit, “nga 30 anije që numëron aktualisht flota tregtare shqiptare, rreth 15 prej tyre kanë dalë në shitje prej pronarëve ose ortakëve që i posedojnë”. Por për fat të keq, si pasojë e krizës edhe vlera e anijeve të mallrave ka rënë në mënyrë të ndjeshme në tregun ndërkombëtar. Kjo situatë është krijuar edhe në portin më të madh të vendit tonë, në Portin e Durrësit, ku një pjesë e madhe e anijeve tregtare prej muajsh qëndrojnë të ankoruara në Radën e jashtme të portit, në pritje për tu shitur por pa mundur akoma që të ndryshojnë pronarë. Anije të tjera më të vogla në kapacitet kanë krijuar probleme me ankorimin e tyre nëpër kalatat e porteve të vendit duke rrezikuar në të njëjtën kohë edhe amortizimin. Sipas Regjistrit Detar Shqiptar, flota jonë e transportit detar përfshin 30 anije, me një kapacitet total prej 150 mijë tonësh. Prej tyre, 20 anije i përkasin portit të Durrësit dhe 10 të tjera porteve të Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit.

Parkimi në Radë

Rënia e transportit detar në botë, është reflektuar edhe në flotën tregtare të Shqipërisë, ku si pasojë e mungesës së kontratave nga sipërmarrësit e import-eksportit, asnjë prej mjeteve lundruese nuk po punon. Prej muajsh, anijet e transportit po përballen me mungesën e porosive, e ndikuar kjo nga rënia e kërkesës botërore. Për këtë flasin edhe shoferët e transportit në Portin detar të Durrësit, të cilët rrinë në pritje të ndonjë vapori për t'u shkarkuar, por dhe shumë anije të flotës tregtare të vendit shikohen me sy të lirë që rrinë pa punë në Radë, zonë detare në afërsi të portit. Ky parkim ujor tregon fare qartë, pa qenë nevoja të pyesësh marinarët, për mungesën e porosive nga ana e kompanive. Të dhënat zyrtare të sektorit të transportit detar tregojnë se, ai përballon 60 deri 70 për qind të import-eksportit të vendit. Që nga muaji shtator dhe deri më sot, 2/3-at e anijeve kanë mbetur pothuajse pa punë dhe gjenden në pritje, si në port ashtu dhe në Radën e jashtme të tij.

Përgjysmimi i ekuipazheve

Të detyruar prej mungesës së punës, një pjesë e mirë e pronarëve të mjeteve lundruese kanë nisur të përgjysmojnë ekuipazhet e tyre, duke mbajtur në punë vetëm një pjesë, e cila është e domosdoshme për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e mjeteve lundruese. Ndërsa, disa pronarë të tjerë i kanë nxjerrë anijet në shitje. Disa që kanë qenë me fat kanë gjetur punë përtej kontinentit. Njëri prej armatorëve, që ka dy anije në pronësi, thotë se ai dhe shokët e tij kanë disa javë që kanë mbetur pa punë, pasi biznesmenët, të cilët kanë qenë të lidhur me ta për transporte mallrash, e kanë ndërprerë aktivitetin. Një situatë e tillë është rënduar së tepërmi në fillim të dhjetorit 2008. Sipas ekonomistëve me sektorin e import-eksportit është i lidhur një zinxhir i gjatë subjektesh, të cilët kanë mbetur pa punë. Kjo situatë i ka detyruar armatorët të reduktojnë ekuipazhet e anijeve të tyre dhe të mbajnë nga tre apo katër marinarë, sa për t'i mbajtur ato në gjendje pune, në mënyrë që të mos amortizohen.

Shitja e anijeve

Një pjesë e pronarëve tashmë i ka pasqyruar mjetet lundruese në rrjetin e internetit me të gjitha të dhënat dhe cilësitë e lundrimit dhe i ka shpallur ato në shitje. Kështu po veprojnë kryesisht ata armatorë që kanë në pronësi më shumë se 1 anije. Armatorët të cilët janë kryesisht nga qytetet me porte, kanë bërë të ditur se situata në tregun e shitblerjeve të anijeve të përdorura në tregun ndërkombëtar, është në gjendje ngërçi. Kjo gjendje është reflektuar edhe për anijet e flotës sonë të cilat janë shpallur në shitje. Pronarët e tyre kanë sqaruar se anijet e tonazhit të vogël, nga 500 ton deri 2500 ton si dhe anijet e tonazhit të mesëm, nga 2500 deri 5000 ton nuk preferohen më në treg. Nëse deri vitin e kaluar këto anije vlerësoheshin nga 2 deri 4 milionë dollarë në vartësi të tonazhit, sot vlera e tyre ka rënë në shifra minimale. Kështu p.sh, për një anije që në verën e vitit që shkoi vlerësohej 2 deri 2,5 milionë dollarë, ofertat e fundit kanë qenë për 1 milion dollarë. Flota jonë përbëhet pothuajse krejtësisht me anije të këtij tonazhi. Janë 15 anije të kësaj madhësie të shpallura në shitje nëpërmjet internetit dhe agjencive të ndryshme, por askush deri tani nuk ka shfaqur interes për t'i blerë. Mësohet se brenda 6 muajve nuk është shitur asnjë anije me pronar shqiptar. Një situatë e ngjashme është edhe në mjaft porte të tjera jashtë vendit, në të cilat janë krijuar stoqe me anije të shpallura në shitje, por që nuk i blen askush pasi nuk ka oferta për t'i futur në punë. Të privilegjuara në këtë situatë janë vetëm anijet e tonazhit të madh, mbi 9 mijë ton. Këto anije përshkojnë rrugë transit nëpër dete dhe oqeane për llogari të kompanive aziatike, afrikane, arabe apo amerikane. Ndërsa në Durrës anijet e papuna, kanë mbushur Radën e jashtme të portit detar dhe duken fare mirë nga zona e plazhit. Ato kanë që nga nëntori i vitit të shkuar që rrinë pa punë.

Çmimet e transportit botëror detar, me shpejtësi drejt zeros

Indekset ndërkombëtare të tregtisë detare kanë rënë në nivelet minimale, duke bërë që ky lloj transporti të shkojë nën kosto. Në muajin maj të vitit 2008, indeksi arriti rekordin e tij më të lartë që nga viti 1985, kur u aplikua për herë të parë, duke u fiksuar në 11,793 pikë. Vetëm disa muaj më vonë, më 5 dhjetor, indeksi ra me 94 për qind, ose në 663 pikë, niveli më i ulët që nga viti 1986. Mediat ndërkombëtare raportuan disa javë më parë se vlerat e transportit të mallrave kanë rënë në zero, duke treguar për kolapsin që ka përfshirë tregtinë. Në fund të vitit 2008, koha e lundrimit u rrit, për shkak se anijet e transportit reduktuan shpejtësinë, për të kursyer karburant, por mungesa e besimit do të thoshte reduktim të letrave të kreditit, që kërkohet historikisht gjatë ngarkesave në porte. Kompanitë e ndërtimit të anijeve kanë hasur vështirësi edhe në gjetjen e kredive për ndërtim, duke u përballur me falimentime. Këto, të kombinuara me rënien e çmimeve të lëndëve të para, kanë krijuar "një stuhi perfekte" në tregtinë botërore detare. Gazeta e tregtisë detare, "Lloyd's List" deklaroi për brokerat në Singapor se tani po tarifojnë dërgesat nga Kina Jugore vetëm me kostot minimale. Tarifat për konteinerët nga Azia Veriore kanë rënën në 200 dollarë, ose nën shpenzimet operative. Baltic Dray Index, i cili mat vlerat e ngarkesave mallra, të tilla si hekuri dhe drithërat, ra para disa javësh me 96 për qind. Kriza ka arritur deri tek faza e fundit e mallrave industriale, gjaku i ekonomisë botërore, siç është transporti. Të dhënat tregtare nga tigrat eksportues të Azisë kanë qenë të zymta gjatë javëve të kaluara, duke reflektuar kolapsin e tregjeve amerikane dhe evropiane.

Porti i Durrësit, pakësohet transporti i çimentos dhe kromit

Sipas statistikave të dispeçerisë në Portin detar të Durrësit, gjatë 12-mujorit të vitit 2007 janë bërë transporte me 37.438 copë konteinerë, ndërsa gjatë 12-mujorit të vitit 2008, ky transport ka arritur në rreth 120 mijë, pra rreth 82 mijë konteinerë më shumë. "Në pakësimin e volumeve me anije kanë ndikuar edhe rënia mes të tjerave të transportit të çimentos dhe kjo për shkakun se ka filluar punë fabrika e çimentos në Fushë-Krujë, pra ka pasur ndikim në rënien e importit të këtij artikulli",- thonë burimet nga Porti. Për vitin 2007 janë transportuar çimento rifuxho kalate, në masën e 387 mijë tonë, ndërsa për 12-mujorin e vitit 2008, kjo shifër ka rënë në 270 mijë tonë, pra rreth 116.7 mijë tonë më pak. Nëse nga çimentoja rifuxho “SEAM”, nga 8 mijë tonë në vitin 2008 nuk është shkarkuar asnjë ton, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me transportin e hekurit. Nëse për 12-mujorin e vitit 2007, statistikat flasin për një transport prej rreth 218 mijë tonë, kjo shifër shënon ulje të ndjeshme për vitin 2008, në rreth 107 mijë tonë. Sipas të njëjtave burime mësohet se një rënie të madhe ka pësuar edhe transporti i kromit. Gjatë vitit të kaluar janë eksportuar vetëm rreth 2 mijë tonë krom për në Republikën e Kinës. Po sipas këtyre burimeve, kriza bie në sy edhe në faktin se bizneset tashti nuk bëjnë blerje mallrash në sasi të mëdha që t'i transportojnë me vaporë, por sjellin sasi të kufizuara mallrash, të cilat transportohen me kosto më të lirë me konteinerë.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›