E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i DASH PS: Maxhoranca, përgjegjëse për korrupsionin

Autori i Lajmit: Redaksia

Partia Socialiste vlerëson se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit paraqet situatën reale në të cilën ndodhet Shqipëria, por edhe atë cka opozita shqiptare ka ngritur me zë të fortë shpeshherë. Deputeti socialist Sajmir Tahiri duke komentuar këtë raport, fajëson qeverinë Berisha si përgjegjësen kryesore të zhytjes së vendit në korrupsion dhe drejtpërdrejt kryeministrin, që sipas selisë rozë ka bërë kompromis me interesat korruptive për pushtetin e tij familjar dhe politik.
“Tashmë opozita, shumica e shqiptarëve, por edhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë që monitorojnë zhvillimet në vendin tonë vlerësojnë se Shqipëria është zhytur e po zhytet gjithmonë në korrupsion qeveritar dhe kapilar. Këtë fakt e mohon vetëm kryeministri Berisha dhe mazhoranca e tij. Kjo mazhorancë është përgjegjëse jo vetëm se nuk e ka luftuar përhapjen masive të korrupsionit, por mbi të gjitha është përgjegjëse pse ka kontribuar aktivisht që metastazat e korrupsionit të përhapen edhe në shtresat më të larta të pushtetit. Kryeministri është përgjegjës jo vetëm se gënjen shqiptarët dhe ndërkombëtarët për gjoja luftën e pa kompromis kundër korrupsionit, por pikërisht pse ka bërë kompromis me interesa korruptive për pushtetin e tij familjar dhe politik, duke marrë në mbrojtje ata që jo vetëm ne, por e gjithë bota i njeh si ministra të akuzuar për korrupsion, por të shpëtuar nga kryeministri me komardaren e imunitetit” – deklaroi Tahiri.
Raporti i DASH, i publikuar dy ditë më parë evidentoi probleme që karakterizuan zgjedhjet e 2009-ës. Në raport cilësohej se zgjedhjet nuk përmbushën tërësisht standardet e kërkuara, ndërsa korrupsioni politik mbetej ende një problem i madh. Lidhur me korrupsionin DASH vë në dukje se ka pasur disa arrestime të zyrtarëve të lartë, por ky fenomen mbetet pengesë për reformat. Mazhoranca vetë përshëndeti raportin e DASH si realist dhe vlerësuaes për luftën e bërë nga qeveria shqiptare kundër trafikut ndërkombëtar, ndërsa e shfrytëzoi këtë rast për ti bërë thirrje opozitës shqiptare të bashkojë votën me mazhorancën aktuale për të hequr mandatin e deputetit.
Ky lajm është publikuar: 14/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›