E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkumbin, dhjetëra pushues zgjedhin plazhin e lirë

ELBASAN - Në pamundësi për të kaluar një fundjavë në bregdetin e vendit, shumë qytetarë elbasanas i janë drejtuar lumit Shkumbin. 

Por, në vendet e mundshme për të qëndruar, lumi të fton vetëm të marrësh rreze dhe të freskohesh nga puhiza e lehtë, pasi nëse lahesh në ujërat e tij, rrezikon të prekesh ndaj ndonjë sëmundje infektive. Në tentativë për ta gjetur atë sa më të pastër, elbasanasit udhëtojnë për disa kilometra në drejtim të Librazhdit, por përsëri gjendja nuk ndryshon shumë. Ujërat këtu ndikohen nga shkarkimet e qyteteve Librazhd dhe Përrenjas dhe të fshatrave, nga mbetjet e minierave dhe të guroreve ose lavatriçeve të inerteve. Përgjithësisht, ato krijojnë turbullim të kuqërremtë nga formacionet argjilore të bollshme në shpatet e sipërme të lumit. Por jo vetëm kaq, të gjitha lokalet të cilat janë ngritur buzë lumit, mbeturinat inerte, apo organike i hedhin pikërisht aty. Përgjatë aksit Elbasan-Librazhd, i cili shoqërohet nga rrjedha e lumit gjenden oaze rëre dhe pemë të shumta në brigje, vende të cila "shënjestrohen" nga qytetarët, të cilët pushojnë aty. Pushuesit shprehen se kanë zgjedhur të kalojnë një fundjavë në lumin Shkumbin, pasi edhe pse kënaqësia nuk është e njëjtë me të plazhit, shpenzimet janë të pakta. Ata i marrin ushqimet me vete nga shtëpia dhe gjithçka tjetër e kanë falas. Ndërsa pronarët e lokaleve të ndërtuar përgjatë rrjedhës së lumit janë përpjekur të krijojnë ambiente të këndshme për thithjen e pushuesve. Të ndodhur edhe pranë një rruge të standardeve të larta ata mendojnë se në një të ardhme të afërt fluksi i plazhistëve do të vijë duke u shtuar. Vendet si "Uji i ftohtë" dhe lokalet pranë Malit të Vashës, të ftojnë të kalosh një fundjavë në këtë vend, në të cilin duket hapur nevoja për investime. Por edhe kështu, pushuesit duken të kënaqur. "Më mirë se hiç, është", shprehen ata. Por ata të cilët nuk duket se i shqetëson shumë fakti nëse lumi është apo jo i pastër mbeten edhe peshkatarët. Të gjithë ata, të çfarëdo moshe qofshin, presin fundjavën për të gjuajtur me grepa peshkun e shijshëm të lumit. a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›