E Shtunë, 31 Tetor 2026

Razma, perla e harruar prej 20 vitesh

Mungesa e statusit "Zonë turistike e mbrojtur", ka lënë në harresë një nga perlat e Shkodrës, Razmën. 

SHKODER / RITVAN DIBRA

Kjo zonë malore, e preferuar jo vetëm për bukurinë natyrore, por edhe për vetitë kurative, nuk njeh asnjë fond për mirëmbajtjen e saj.
Problemet me ujin, dritat, rrugët e deri tek mungesa e valëve të telefonisë, ka bërë që numri i turistëve të mos ndryshojë me ritme pozitive në frekuentimin e zonës. Kryetari i komunës së Shkrelit, Fredi Sterkaj, ka renditur pikërisht këto probleme në një shkresë zyrtare dërguar instancave lokale e qendrore. Vendimi i pritshëm i Këshillit të Qarkut Shkodër, duke e kthyer Razmën në zonë turistike të mbrojtur, sipas Sterkajt, sjell dhe mbështetjen ligjore të Ministrisë së Turizmit, me projekte dhe fonde. Sipas tij, një nga rreziqet më të mëdha që paraqitet sot në këtë zonë, janë ndërtimet pa leje dhe vetëm me ndërhyrjen e shtetit mund të parandalohet dëmtimi i vlerave të Razmës.
Që në vitet '30, Razma është përshtatur si një zonë turistike dhe e preferuar jo vetëm nga shkodranët, por dhe nga zona të tjera të vendit, sidomos për vetitë e saj kurative. Por sot, pamja që të ofron kjo zonë është mjerane, me mungesa jetike. Në Razmë s'ka ujë, e pushuesve u duhet ta blejnë atë. "Komuna është e pazonja që të ndërmarrë një investim të tillë. Për ndërtimin e ujësjellësit vetëm buxheti i shtetit mund ta përballojë. Po kështu edhe energjia elektrike kur vjen në fshat, është me një tension shumë të ulët, saqë dhe televizioni nuk mund të ndizet. Mbi të gjitha, për këtë zonë turistike mungon një plan rregullimi", tha kreu i komunës, Sterkaj. Një tjetër problem që ka "izoluar" banorët që jetojnë në këtë zonë është mungesa e valëve të telefonisë. Kjo privon edhe pushuesit nga kjo mundësi komunikimi me pjesën tjetër të vendit, për ta vizituar këtë zonë. Turistët e zakonshëm janë banorë të Shkodrës apo të zonave përreth, të cilët mjaftohen me pak orë qëndrimi në ambientet e freskëta të zonës malore, për t'u kthyer sërish brenda ditës.
Razmën e ndajnë vetëm 40 kilometra nga Shkodra dhe 126 nga Tirana. Banorët dhe drejtuesit lokalë kërkojnë një rrugë, duke shpresuar që Razmës t'i rikthehen turistët e munguar që prej 20 vitesh.
Kryetari i komunës së Shkrelit në Malësi të Madhe, (e cila përfshin fshatin e Ramzës), Sterkaj, i është drejtuar instancave shtetërore, lokale e qendrore me një shkresë zyrtare ku paraqet situatën në këtë zonë. Ai kërkon që zona e Razmës të marrë statusin e "zonës turistike". Sipas tij, "në bazë të legjislacionit shqiptar, Këshilli i Qarkut ka kompetencë që të marrë vendimin përkatës. Në kushtet e mungesës së rrugës, mungesës së energjisë elektrike, ujit të pijshëm, shtimit të ndërtimeve pa leje dhe dëmeve në sipërfaqet pyjore, ky vendim duhet të merret sa më shpejt", tha ai. Pritet që së shpejti nga pushtetarët e Shkodrës dhe ata të Tiranës të japin një zgjidhje të shpejtë për këtë zonë, e cila të shndërrohet në një pikë të vërtetë turistike, për të tërhequr pushues të shumtë. Shtimi i numrit të tyre do të thotë dhe zhvillim të zonës së thellë në veriperëndim të vendit, ku të ardhurat e vetme nxirren nga bujqësia e blegtoria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›