E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokracia në Evropë, rasti i Shqipërisë

Prof. Dr. Kastriot Islami 

Asambleja parlamentare e  KE-së përbëhet nga 47 vende. Vetëm në 11 vende, ku bën pjesë edhe Shqipëria, vazhdon procedura e monitorimit të funksionimit të institucioneve demokratike, ndërsa në tre vende të tjera, Bullgaria, Turqia dhe Maqedonia vazhdon “dialogu pas monitorimit” Monitorimi ka të bëjë kryesisht me funksionimin e institucioneve demokratike dhe respektimin e mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gjatë seancave plenare të 23-27 qershorit 2008, në debatin “Gjendja e Demokracisë në Evropë”, u diskutua dhe u miratua një rezolutë kryesisht për situatën e demokracisë në vendet që ndodhen nën monitorim.Situatat më “kritike” në vendet evropiane në 2007-2008...
Gjatë periudhës së fundit 2007-2008, Asambleja parlamentare ka përqendruar vëmendjen dhe ka ndjekur situatat kritike e krize në një sërë vendesh. Pas disa muajsh të krizës institucionale në Ukrainë, është arritur shpërndarja e parlamentit me dekret të presidentit dhe organizimi i zgjedhjeve të përgjithshme. Në Gjeorgji janë zhvilluar zgjedhjet presidenciale e të përgjithshme pas manifestimeve politike disa ditore e ndërhyrjeve brutale të policisë dhe deklarimit të gjendjes së jashtëzakonshme në nëntor të vitit 2007. Kriza pas zgjedhore në Armeni, në shkurt 2008 e shoqëruar me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe vdekjen e disa dhjetëra personave e shumë të plagosurve. Situata nuk duket shumë premtuese në Azerbajxhan, për të cilën u bënë shumë kritika gjatë këtij sesioni, duke ngritur shqetësimin për realizimin e zgjedhjeve parlamentare në tetor të vitit 2008.
Kritika e tërheqje e vëmendjes vendeve nën monitorim..., pra edhe Shqipërisë...
Në debatin për gjendjen e demokracisë në Evropë, kritika, tërheqje vëmendjeje dhe rekomandime janë formuluar kryesisht ndaj pothuajse të gjithë vendeve që ndodhen në fazën e monitorimit. Në shumë prej tyre demokracia është ende e brishtë dhe faza e tranzicionit paraqitet ende e vështirë. Çështjet më të mprehta që shërbejnë për të matur nivelin e progresit demokratik nga këndvështrimi i Këshillit të Evropës ishin: i) zgjedhjet, ii) funksionimi dhe financimi i partive politike, iii) lufta kundër korrupsionit, iv) pluralizmi në media; v) funksionimi i parlamentit.
Lidhur me çështjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme...
Për sa i përket çështjes së zgjedhjeve dhe të reformës elektorale, kërkohet që Shqipëria së bashku me Armeninë, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Malin e Zi, Moldavinë, Rusinë, Serbinë, Maqedoninë, Turqinë dhe Ukrainën, të angazhohen në kryerjen dhe përfundimin e reformës zgjedhore. Në mënyrë më specifike, Shqipërisë i kërkohet bashkëpunim me Komisionin e Venecias për listat e zgjedhësve, duke qenë në të njëjtin nivel problematik me Gjeorgjinë, Malin e Zi dhe Ukrainën. Në këtë kontekst, Këshilli i Evropës tërheq vëmendjen e vendeve nën monitorim gjithashtu për i) ndërtimin e administratave zgjedhore imparciale dhe efikase që sigurojnë besim te zgjedhësit, ii) përcaktimin e procedurave efikase për ankimime; iii) krijimin e kushteve të barabarta për konkurrimin e të gjithë partive politike, iv) ndarjen e qartë të veprimtarisë shtetërore nga ajo e kandidatëve/partive politike; v) abrogimin e dispozitave kushtetuese dhe/ose ligjore që lejojnë revokimin e deputetëve nga partitë politike (mandati imperativ); vi) dhënies fund të kërcënimeve dhe presioneve mbi kandidatët/partitë opozitare; vii) abrogimin të dispozitave që lejojnë rirenditjen pas përfundimit të zgjedhjeve të kandidatëve në listat e partive etj. 
Lidhur me funksionimin e partive politike dhe financimin e tyre...
Asambleja parlamentare riafirmon pozicionin kritik ndaj veprimeve për “heqjen e mandatit të deputetëve nga partitë politike (mandati imperativ)”, duke e konsideruar atë një praktikë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet e shtetit ligjor dhe të ndarjes së pushteteve.  Për sa i përket financimit të partive politike, bazuar në vlerësimet e GRECO (organizëm i KE për luftën kundër korrupsionit), në rezolutën e miratuar thuhet se, “... shtetet anëtare kanë intensifikuar përpjekjet për të kryer rregullimet për sa i përket financimit të partive politike, por praktikat e vendeve të ndryshme nuk i përgjigjen standardeve të Këshillit të Evropës ...”. Me këtë rast kërkohet që krahas shqyrtimit në përgjithësi të kësaj çështjeje, të tregohet vëmendje e veçantë lidhur me ngritjen e organeve të kontrollit (auditit), të pavarur, të specializuar dhe të aftë për të kryer kontrollin e financimit të partive politike dhe të fushatave elektorale. Kjo vërejtje qëndron edhe për Shqipërinë.
Lidhur me luftën kundër korrupsionit...
Për Këshillin e Evropës «... me gjithë përpjekjet e vlerësueshme të qeverive të shumë vendeve për të hartuar strategjitë e luftës kundër korrupsionit dhe zbatimit të planeve përkatëse të veprimit, korrupsioni mbetet një nga problemet madhore në të gjithë vendet që monitorohen...», pra edhe në Shqipëri. Me këtë rast i jepet këtyre vendeve rekomandimi për të vënë në jetë rekomandimet e GRECO-s, lidhur me përmirësimin e legjislacionit dhe aplikimin e masave të përshtatshme, me synimin për të marrë njëkohësisht masa represive e parandaluese kundër korrupsionit dhe garantuar një bashkëpunim të gjithë forcave politike. Në mënyrë më specifike, lidhur me ngritjen e një administrate stabël dhe profesionale, të aftë për të luftuar e parandaluar korrupsionin, tërhiqet vëmendja në mënyrë specifike për Shqipërinë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën. 
Lidhur me pluralizmin në media...
Mungesa e pluralizmit në media ka qenë kritika kryesore ndaj vendeve të tilla, si Rusia, Moldavia, Armenia dhe Azerbajxhani. Po ashtu është shprehur shqetësimi ndaj monopolizimit të disa mediave nga grupe politike apo drejtues ndërmarrjesh si dhe mungesa e pavarësisë së plotë të organeve rregullatore. Shqipëria kritikohet konkretisht për faktin se ende nuk ka përfunduar procesi i krijimit të një shërbimi të vërtetë të radiodifuzionit publik; duke qenë në të njëjtin nivel me Armeninë, Azerbajxhanin, Moldavinë, Rusinë dhe Ukrainën. Kurse Azerbajxhani dhe Rusia kritikohen rëndë për censurimin e gazetarëve, ndjekjet dhe burgosjet, presionet e deri kërcënimet fizike. Nga ana tjetër vlerësohen pozitivisht veprimet, depenalizimin e shpifjes në Bosnje, Gjeorgji, Ukrainë dhe depenalizimin e pjesshëm në Moldavi, ndërkohë që kodi i etikës së gazetarëve kërkohet të përmirësohet në të gjithë anëtarët e Këshillit të Evropës.
Angli: Sistemi i administrimit të zgjedhjeve i hapur për manipulime...
Nuk mungon tërheqja e vëmendjes edhe për vende të tilla si Anglia, që ndodhen jashtë procesit të monitorimit. Pas një hetimi që është kërkuar nga vetë parlamentarët britanikë për kryerjen e një misioni monitorimi në Angli lidhur me «manipulimet elektorale» në këtë vend, komisioni i monitorimit i Këshillit të Evropës ka arritur në përfundimin se «sistemi britanik është qartësisht i hapur ndaj manipulimeve zgjedhore», kryesisht nisur nga fakti që sistemi lejon regjistrimin e zgjedhësve pa kërkuar identitetin e tyre. Situata është veçanërisht shqetësuese lidhur me votimin me korrespondencë sipas një kërkese paraprake të individit. Sidoqoftë nga komisioni i monitorimit është arritur në përfundimin se zgjedhjet në Angli janë kryer në mënyrë demokratike dhe rezultati pasqyron vullnetin e votuesve, dhe mbi këtë bazë nuk është vendosur që Anglia t’i shtohet vendeve që do të rifillonin procesin e monitorimit të zgjedhjeve.
Itali: Monopolizimi i medias...
 Mbi bazën e një kërkese, komisioni i monitorimit i Këshillit të Evropës ka filluar hetimin mbi monopolizimin e medias elektronike dhe mundësinë e abuzimit të pushtetit në Itali. Nga ky hetim ka rezultuar se spektri i medias italiane paraqet anomali në sektorin televiziv. Megjithatë qytetarët italianë kanë mundësi zgjedhjeje në peizazhin mediatik në një larmi burimesh të informacionit e programesh. Prandaj, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vlerësoi se anomalitë e vërejtura nuk përbëjnë argument të mjaftueshëm për hapjen e një procedure të monitorimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›