E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëndrimi uniform është i dëmshëm



Asnjë parti politike serioze dhe me elektorat nuk është deklaruar për një përcaktim tjetër politik të kundërt me opsionin se pavarësia e Kosovës është kompromis.

Në historinë më të re politike hapat taktikë dhe strategjikë të partive politike shqiptare është vështirë të thuhet se patën dallime esenciale në programe. Kur i shfleton programet e tyre apo kur i dëgjon premtimet që ua bënin dhe që ua bëjnë liderët elektoratit në kulmin më të madh të fushatës zgjedhore, është çështje nuancash se cila nga partitë mund të cilësohet e majtë dhe cila e djathtë. Ato parti politike të cilat deklaroheshin të djathta, gjatë qeverisjes së tyre në mënyrë të pavarur apo në koalicion me partitë e tjera jo rrallë kanë zbatuar programe të tilla sociale, ekonomike e qasje politike të cilat është vështirë, të mos themi është e pamundur, të cilësohen se janë karakteristikë e partive të djathta. Përkundrazi. Po ashtu ka ndodhur jo një herë gjatë historisë më të re politike si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë, që partitë të cilat janë cilësuar të majta apo që të tjerët i kanë cilësuar të majta, kanë bërë prerje të tilla në planin ekonomik (të imponuar nga faktorët e jashtëm apo nga situata e ekonomisë së brendshme, është krejtësisht e parëndësishme ), që jo vetëm se nuk mund të thuhet për asnjë çast se ishin në pajtim me përcaktimin e tyre majtist apo se u shkonin për shtat shtresës së varfër dhe shtresës së mesme, por më shumë u kishin hije partive të djathta. Dhe këto veprime janë përsëritur në mënyrë ciklike nga rasti në rast dhe nga atmosfera politike e cila është imponuar.

Majtizmi dhe djathtizmi në Kosovë

Në kohën më të re, partia e cila një kohë të gjatë është cilësuar e majtë, përnjëherë njëri ndër personalitetet kryesore të kësaj partie, e habit skenën politike e publike me deklaratën se partia e tij është e përcaktimit politik të djathtë. Dhe kjo është krejtësisht normale, një parti e ndërron përcaktimin a fizionominë e vet të brendshme. Megjithatë, është pritur që të komentohet kjo gjë, të thuhet se ka bërë ndryshime a modifikime për t’ia ndryshuar kahen subjektit të vet apo analistët është dashur të thonë se nuk ka bërë ndryshime të këtilla. Por asnjë analist i vetëdeklaruar apo real nuk e tha asnjë fjalë për këtë gjë: është e vërtetë një gjë e këtillë, apo nuk është, ka ndryshuar partia politike përcaktimin politik, duke u distancuar nga periudha e deritashme apo synon që të distancohet nga individët e grupet e dala boje e të shkelura kohe. Pastaj shtrohen edhe një varg pyetjesh të tjera: Çka do të ndodhë me ata anëtarë me ndikim të kësaj partie të cilët jo vetëm se nuk do të pajtohen me djathtizmin e saj të deklaruar a të synuar, por deri më tash janë deklaruar disa herë se janë të përcaktimit të skajshëm majtist-enverist (a marksist-leninist, si të doni, kryesore të një partie të dhunës e të krimit që e dërmoi kombin). A kanë ndryshuar apo mund të ndryshojnë njerëzit e tillë aq shpejt dhe me aq vrull nga një pol në polin tjetër?

Se si do të rrjedhin gjërat në të ardhmen është vështirë të dihet, mirëpo se nuk do të jetë pa jehonë një deklaratë e këtillë e njërit ndër njerëzit kryesorë, i cili deklaron në përvjetorin e partisë se vet se ajo është e përcaktimit të djathtë, ndërsa shumica e kanë cilësuar të përcaktimit të majtë. Duket se ngurrimi i një soj “analistësh” është i tillë saqë më me dëshirë e kapërcejnë këtë, sesa ta komentojnë. Të thonë se nuk është e vërtetë, nuk duan të fërkohen me askënd. Të thonë se u bë mirë që ndërroi pozicion, duket se nuk duan të fërkohen me ata që nuk janë të këtij përcaktimi.

Një gjë e tillë gati rrallë apo asnjëherë nuk i ndodh ndonjë subjekti politik në Evropën Perëndimore apo në botë, ku ka një traditë të lakmueshme demokratike dhe ku përcaktimet politike gati-gati çimentohen. Arsyet pse ndodh kjo janë të shumta, mirëpo është edhe çështje ndonjëherë e makiavelizmit të çastit, gjë që pastaj në hapat e mëtutjeshëm herë mund të reflektohet pozitivisht, herë negativisht, por sidoqoftë, kreu politik vlerëson se është në të mirë të grupit të tyre.

Elitizmi dhe majtizmi

Po ashtu, edhe ndaj problemit ende të pazgjidhur kombëtar në shkallën e lakmueshme apo në shkallën të cilën e synojmë në afat të mesëm, pjesa dërmuese e partive politike i ngjasojnë njëra-tjetrës si veza vezës. Kjo ndodh si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Kështu nuk ka parti serioze politike në Shqipëri dhe në Kosovë apo parti që ka elektorat, e cila merr obligim të deklarohet se është për bashkimin kombëtar, apo se në programin politik e ka synim parësor integrimin ekonomik, politik e territorial të Kosovës dhe të Shqipërisë, të territoreve etnike që kanë mbetur në kuadër të shteteve të tjera. Ka tek-tuk ndonjë parti që simbol e ka draprin e çekanin, që e paraqet në mënyrë të mjegullt bashkimin kombëtar, mirëpo ata nuk kanë ithtarë dhe nuk do të kenë as aleatë, sepse partitë e draprit e çekanit kanë vdekur. Madje as partitë e vogla që do të duhej të ishin elitiste e jo marksiste nuk parashikojnë një bashkim të këtillë: deklarimi virtual nëpër shkrime elektronike nuk është serioze dhe askush nuk do ta merrte për përpjekje të mirë për të qenë. Prandaj kjo rrudhje dhe kjo njëzëshmëri është e dëmshme.

Derisa dikur në Kosovë pjesa më e madhe e partive politike që ishin të pushtet apo në pozitë deklaroheshin, deklarohen edhe sot se pavarësia e Kosovë është kompromis, partitë rivale që pretendojnë të marrin elektorat për asnjë çast nuk shkojnë më tutje që të thonë se ata janë për bashkim kombëtar, se nuk pajtohen aspak që Kosova Lindore (Presheva, Medvegja dhe Bujanovci me fshatrat) të mbeten nën Serbinë apo që territoret në Maqedoni apo Mal të Zi t’i bashkohen arealit të vet etnik e natyror.

Ku është arsyeja e një përcaktimi të këtillë unison, pa dallime në qëndrimin ndaj çështjes kombëtare dhe ndaj interesave kombëtare, të cilat fare lehtë mund të riformulohen dhe në anën tjetër të qëllonte një apo më shumë parti politike, kërkesat e të cilave do të ishin të ndryshme me kërkesa “maksimale” - bashkimin e të gjitha territoreve, ndërsa njëkohësisht do ta ndihmonin shumë pjesën e partive politike të cilat konsiderohen të matura në realizimin e përcaktimeve të tyre.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›