E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet në maj, rritja mesatare 1 mijë lekë

Autori i Lajmit: red.
”Rritja e re e pensioneve, që do të zbatohet në muajin maj, parashikohet që t i shtojë mesatarisht 1 mijë lekë çdo përfituesi të pagesës së pleqërisë. Pra pensionet e qytetit do të rriten me 10 për qind, ndërsa pensionet e fshatit me 20 për qind”

Nga muaji maj i këtij viti, pensionet e qytetit do të rriten në masën 10%, ndërsa ato të fshatit në masën 20%. Më shumë se 535 mijë pensionistë në të gjithë vendin, pritet të përfitojnë nga rritja e pensionit. Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në Tiranë kanë bërë llogaritjet paraprake se sa do të rriten konkretisht pensionet nga shtesa e re. Sipas tyre, rritja e re e pensioneve, që do të zbatohet në muajin maj, parashikohet që t i shtojë mesatarisht 1 mijë lekë çdo përfituesi të pagesës së pleqërisë. Sipas ekspertëve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, kjo rritje ul diferencën e pensioneve të qytetit me ato të fshatit.
Rritja për qytetin
Referuar statistikave zyrtare në qytet numërohen më shumë se 375 mijë pensionistë. Në rritjen e re të pensioneve parashikohet që të përfshihen pensionistë që marrin pension pleqërie, familjar dhe invaliditeti, si në qytet ashtu dhe në fshat. Sipas skemës së re të rritjes, nga muaji maj e në vazhdim, pensioni i plotë minimal i qytetit do të rritet 10 për qind, ose në masën 951 lekë në muaj, për të arritur në 10,466 lekë. Duke përfshirë këtu edhe kompensimet, pensioni minimal mujor për qytetin pritet të arrijë në nivelin 12,226 lekë. Në të njëjtën përqindje do të rriten edhe pensionet e plota maksimale të qytetit. Por, këta pensionistë që marrin këtë lloj pensioni, do të përfitojnë një rritje akoma edhe më të madhe, pavarësisht se përqindja është e njëjtë. Kështu, sipas llogaritjeve paraprake, një pensionist që trajtohet me pension maksimal qyteti, do të marrë një shtesë prej 1900 lekësh në muaj dhe, si pasojë, të ardhurat mujore do të kapin nivelin e 21433 lekëve. Ndërkohë, ashtu siç është vepruar edhe gjatë viteve të kaluara, pritet që kjo rritje të mos cenojë kompensimet e ndryshme që përfitojnë pensionistët. Pra, të gjithë pensionistët pa përjashtim, përveç rritjes së përfituar në vitin 2008, do të vazhdojnë të përfitojnë edhe kompensimet e përfituara me vendime të veçanta të qeverisë.
Rritja për fshatin
Sipas së njëjtës mënyrë, do të procedohet edhe për pensionet e fshatit, numri i të cilëve e kalon shifrën 160 mijë. Kjo kategori pensionistësh do të përfitojë një rritje në masën 20 për qind. E përkthyer në vlerë monetare, do të thotë një rritje prej 1040 lekësh në muaj, duke filluar nga muaji maj. Kështu, pas kësaj rritjeje, pensioni i plotë i pleqërisë në fshat do të arrijë në masën 6240 lekë në muaj. Ndërsa të ardhurat mujore të pensionistëve të fshatit, që kanë pensione të plota, mbas kësaj rritjeje pritet të arrijnë nga 6240 lekë në 7130 lekë në muaj. Gjithashtu, pensioni i invalidëve do të rritet nga 8 mijë lekë në 11 mijë lekë. Ndërsa pensioni i pleqërisë do të rritet nga 10 mijë lekë në 12 mijë lekë. Në krahasim me rritjet e aplikuara gjatë këtyre viteve, pensionet e qytetit do të rriten më shumë. Ky hap është marrë për të minimizuar efektet negative nga rritja e çmimeve. Për vitin 2008, pensionet në fshat janë rritur me 15 për qind dhe pensionet në qytet me 10 për qind. Aktualisht, pensioni i plotë minimal i pleqërisë është 9515 lekë në muaj. Ndërkohë që, pensioni maksimal në qytet kapërcen dyfishin e pensionit bazë, pra jo më shumë se 19030 lekë në muaj.

Pensionet qytet-fshat
a) 6240 lekë në muaj do të jetë pensioni i plotë i pleqërisë në fshat
b) 7130 lekë në muaj do të jenë të ardhurat për pensionin e plotë në fshat
c) 10466 lekë në muaj do të jetë pensioni minimal i pleqërisë në qytet
d) 12226 lekë në muaj do të jenë të ardhurat nga pensioni minimal në qytet
e)Pensioni i invalidëve bëhet 11 mijë lekë
f)Pensioni i pleqërisë bëhet 12 mijë lekë

Rritja e re sipas kategorive:
1. Të ardhurat minimale për pensionin e plotë të qytetit:
Është: 9515 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 11275 lekë
Bëhet: 10466 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 12226 lekë
2. Të ardhur maksimale për pensionin e plotë të qytetit:
Është: 19030 lekë + 350 + 150 = 19530 lekë
Bëhet: 20933 lekë + 350 + 150 = 21433 lekë
3.Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:
Është: 5200 + 200 + 690 = 6090 lekë
Bëhet: 6240 + 200 + 690 = 7130 lekë
Ky lajm është publikuar: 18/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›